Kur viçi përqafon kasapin, pëllumbi skifterin, dyshimi mirësinë dhe i plaçkituri plaçkitësin…

Nga Enver Robelli

Kur «gazetarët» duan të bëhen politikanë (të korruptuar); kur politikanët duan të bëhen «gazetarë», sepse «gazetarët» e korruptuar janë bërë bashkë me politikanë të opozitës (ose pushtetit) dhe shtrembërojnë të vërtetën; kur njëra dorë lan tjetrën dhe të dyja lajnë krimin e korrupsionin, fshehin vrasjet dhe krimet e tjera; kur kasta e korruptuar i urren dhe linçon ata që s’janë pjesë e qymezit të ndyrë politiko-medial; kur vendimmarrja politike zhvendoset në kafehane, banesa, shtëpi private dhe hotele (edhe në botën perëndimore); kur vendimet – qofshin politike apo mbi personelin – merren pa debat të gjerë intern dhe pa shoshitje të përparësive dhe mangësive; kur politika shtetërore shndërrohet në agjendë personale të njerëzve të etur për kënaqje të egos; kur debati për një çështje reduktohet në etiketime të ndyra për prejardhjen familjare të njerëzve; kur çdokush që nuk mendon si ti, është ose spiun ose bir spiuni, mbesë apo stërmbesë spiuni; kur ngatërrohen rolet – gazetar dhe politikan; kur politikani i jep urdhër «gazetarit» për të llomotitur dhe kur «gazetari» llomotitjen e kryen me devotshmëri të zagarit të etur për një litër qumësht; kur mitizimi i njerëzve shndërrohet në sport nacional në stadiumin e mediave sociale; kur përtypja e rrenave dhe dehumanizimi i tjetrit shikohet si kontribut i madh filozofik; kur «gazetarët» shkelin mbi kufoma për t’u bërë milioner si politikanët; kur politikanët për të qëndruar në pushtet, ndajnë një copë edhe për kalemxhinjtë e tyre personalë; kur hafijet e shërbimeve sekrete partiake bëhen sikur janë «gazetarë»; kur ndihmësvrasës e shërbëtorë të UDB-së në vitet ’70 marrin poste të larta shtetërore; kur zhvatësit bëhen zëvendësministra, ministra, këshilltarë dhe ndihmëskëshilltarë; kur fjalia «Mshoj gjanarski jarani jem» është kod i komunikimit për manipulim tenderësh komunalë dhe nacionalë; kur – sipas poezisë së Juan Gelmanit – viçi martohet me kasapin, pëllumbi me skifterin, dyshimi me mirësinë, i plaçkituri me plaçkitësin; kur vlerat përmbysen dhe antivlerat latohen në pazarin e mendimeve vrastare; kur – sipas Georg Büchnerit – «ju mund ta padisni fqinjin tuaj, i cili ua ka vjedhur një patate; por padisni njëherë për vjedhjen e përditshme të pasurisë suaj, e cila kryhet prej shtetit në emër të taksave dhe tatimeve, në mënyrë që një legjion zyrtarësh të kotë të vënë dhjam me djersën tuaj: ankohuni njëherë që i jeni nënshtruar arbitraritetit të disa barkderrave dhe se ky arbitraritet quhet ligj, ankohuni se jeni kuajt e arës së shtetit, ankohuni për të drejtat tuaja të humbura njerëzore: ku janë gjyqet që pranojnë paditë tuaja, ku janë gjykatësit, të cilët ndajnë drejtësi?»; kur ndodhin të gjitha këto, atëherë si shtet (apo shtete) e shoqëri s’të merr më askush seriozisht.

Diplomatët perëndimorë nuk ta thonë këtë në sy dhe direkt, por me vendime e me sjellje të tregojnë ku e ke vendin si shoqëri. Në njërën prej poezive të tij poeti kroat Tin Ujeviq shkruan: «U nisëm rrugës. Rruga qe e gjatë. / Vonë e vërejtëm se ajo rrugë ishte rreth». Gati 30 vjet pas rënies së komunizmit – Shqipëria sillet në rreth. Gati 20 vjet pas çlirimit – Kosova sillet në rreth. Dhe debatet e ditëve të fundit – absurde, cinike, me tifozllëk të verbër e sy të skuqur, me ulërima pro e kundër, me kërcënime të stilit mafioz, me beteja me statuse në Twitter e Facebook mes krerëve të shtetit, politikanëve të tjerë, «gazetarëve» dhe militantëve me thikë në dorë – janë dëshmi e frikshme për gjendjen e shoqërive shqiptare.

REMOTE_ADDR:[]

7 komente në “Kur viçi përqafon kasapin, pëllumbi skifterin, dyshimi mirësinë dhe i plaçkituri plaçkitësin…”

  1. 🇦🇱 says:

    Gazetarët tanë duhet të kalojnë 80 %të kohës së tyre me shtypin e huaj (duke lexuar dhe kuptuar ç’ndodh në botë )dhe 20%me problemet ditore të vëndit.

  2. kastriot says:

    Ja e hoqem shtetin.Pastaj.Ti cmendon se bashku me Bühnerin.Kritike eshte kollaj .Trego cfare vjen mbrapa.

    1. mik says:

      Kastriot – Mendoj qe autori ka te drejte. E shohim me sy hapur cdo dite. Nje shprejhje thote : ” Ku ka vullen, ka edhe zgjidhje “.
      Ajo qe duhet te vije mbrapa, asht zgjidhja.

  3. TJETRI says:

    Enver! Mos merrni shembull nga ne te Shqiperise, asgje te mire nuk keni çmesoni nga shteti yne.
    Shikoni pervoja te tjera shtet ndertimi, se po do shikoni neve do perfundoni me keq se ne. Ketu 90% e atyre qe kane ne dore sado pak pushtet e kan mendjen per te vjedhur duke filluar nga Like Floriri, Sali Hajduti e me radhe….

  4. Illyria-Shqiperia says:

    Te thuash shoqeri e pa civilizuar eshte pak. Vendin e kemi thelle ne Anadoll, pasi jemi ne qe u shkojme mbrapa te gjithe atyre qe ke numeruar me lart z. Robelli. U perpoqa mbreme te ndiqja ZL te A. CANIT. Nuk munda te duroj deri ne min. 8. Cfare tmerri I gazetarise? Cfare edukate e gazetarit? Cfare fjalori? Si mund ta quash ate pacavure gazetar?! E cmenden kete popull!!!!

  5. dardan says:

    Ky artikull eshte skanim i plote dhe me se i sakte i aktualitetit ndershqiptar. Ske ça i shton as i heq asnje presje. Hut ab! E.Robelli.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *