Kur heshtja nuk eshte flori

13 Janar 2019, 18:01Blog TEMA
Kur heshtja nuk eshte flori

 

Kristo  MËRTIRI

Të jesh njeri i mirë është e lehtë; vështirë është të jesh i drejtë. Ky postulat i mocëm mbetet kurdoherë i ri dhe me tingëllimë aktuale. Për cdo të gjallë të kësaj bote të krokolepsur. Aq më tepër punonjësit e Drejtësisë, që populli i shikon në dritë të syrit dhe punën e tyre e prek përditë. Në qytet e në fshat, në cdo familje të kamur a të varfër. Prandaj u ka besuar peshoren më të shenjtë. Sidomos ju dhe vartësit tuaj që mbroni e përfaqësoni akuzën në emër të Shtetit, në emër të Kushtetutës së tij Demokratike. Sepse në fund të fundit, sic na thoshte shpesh dikur një akademik i shquar shkodran, “nuk mund të ketë asgjë të ndershme në jetë, në qoftë se ajo nuk përputhet me Drejtësinë”.

Së pari, mbi një muaj më parë(në një ditë të shënuar të jetës sime), u transmetua për publikun e gjerë një emision televiziv jo i shkurtër e me fakte tronditëse për ndërgjegjen e qytetarëve të ndershëm. “ Kupa po derdhet, tani dëgjoni krismat e Prokurorisë në poligonin e ndjekjes penale”,thanë jo pa shpoti njerëzia aty për aty, por edhe me seriozitet. Dhe pritëm me ankth e pa ankth. Unë atë mbrëmje dhjetori(për arsye objektive) nuk munda ta ndiqja dot në detaje. Më vonë lexova e dëgjova ndonjë fakt ulërimë të padëgjuar më parë. Sepse shumicën i dija dhe i kisha bërë publike me kohë , por Drejtësia e shtetit tonë pluralist vazhdon të përpëlitet nën kthetrat e hajdutërisë politike. Fol, o gur, fol o mur ! Prapë provova një shije të hidhur : Deri në castet që po shkruaj, askush nga institucioni juaj, nuk bëzan ! Heshtje totale e vrastare. Në cilën humbëtirë paska rënë zëri i përfaqësuesve të Akuzës në emër të Shtetit të së Drejtës ?

Së dyti, zonja Prokurore e Përgjithshme, kush e vuvosi institucionin tuaj përballë ngjarjeve që bombardojnë e shokojnë cdo shqiptar brenda e jashtë Shqipërizës sonë ? Të kuptohemi, nuk duam temenara a “qiqra në hell” ! Mirëpo, njerëzia nuk janë as shurdh, as memecë dhe as qorra. Fjala vjen, deri kur do të tororisen, trallisen e engledisen vartësit tuaj rreth “bizhuterive të Tahirit”, të lakuara e zgjedhuara me aq vulgaritet e banalitet juridik nëpër media ? Vecse një gjë nuk e lëkund bindjen time qytetare e profesionale: “Cështja e Saimirit” nuk mund t’i pastrojë kurrë gjirizet 30 vjecare të Polit(h)ikës shqiptare pa kurrfarë morali…Bumerangu po duket sheshit ! Sidomos përballë zyrtarëve e politikanëve të tjerë të lartë (të djeshëm e të sotëm), që rrokanisin e gogësijnë këmbë përmbi këmbë nga vilat, pallatet, bizneset legale e ilegale, llogaritë e majme bankare, nga luksi i shfrenuar e verbues, realizuar me “rrogat” shtetërore (pasi vranë, poshtëruan, poqën e dogjën, vodhën sa e si deshën me soj e sorollop, duke sharë e mallkuar “komunizmin”. Një hipokrizi e pashoqe që të detyron të mbash hundën me dorë !). Të tillë menefregizëm(më e pakta) të prokurorëve mehmurë e ethebutë, nuk e honeps dot. E jo vetëm unë. S’jam kurrsesi për të bërë punën me yrrja-byrrja dhe jashtë cdo rregulli ligjor e moral. Por ama t’i bësh kapicë mjaft denoncime, sic janë ato nga Inspektoriati i Lartë i Kontrollit të Pasurive (kështu bëri edhe paraardhësi juaj), denoncime me emra e mbiemra konkretë majtas e djathtas, flet ashiqare për një korrupsion aspak të rafinuar a të djallëzuar. Ose “pushimi i cështjeve”, nuk është pushim a qepje e xhepave erërënda. A mund ta bëni transparencën e tyre publike, sipas shkresave zyrtare të Inspektoriatit dhe si i kanë kullandrisur, bitisur e gremisur punonjësit tuaj ? Me adresa, jo me statistika e lesa ! Taksapaguesit e thjeshtë tashmë janë velur me përqindjet burokratike e qesharake të zyrave rakitike. Madje u vjen për të vjellë kur dëgjojnë ende raportime të rrumbullakosura e të sheqerosura, qoftë edhe rrallë e për mall. Një statukuo e neveritshme dhe tepër e vjetruar, pse jo edhe irrituese për opinionin e gjerë besimthyer.

Së fundi, vërtet po të perëndon “ylli” i karrierës, zonja Marku apo është heshtje gënjeshtare përpëra ndonjë furtune politike me shashka e pa shashka parlamentare ? Ditët e fundit na thuhet tinëzisht se pritet muaji shkurt a mars dhe do të bëhet nami a dita e qametit nga SPAK e BKH  (iniciale që po ia bëjnë mendjen ujem miletit). Të tjerë konspirativë të thekur shprehen vesh më vesh se ju nuk e hani atë kokërr ulliri për të hedhur ca byzylykë në duart e hajdutëve të pasur nëpër piramidën politike e shtetërore, sepse doni të siguroni një vend pëllumbash në kryeqytet ! Ky lloj pragmatizmi pjellor a shtirak nuk na e mbush kollaj radaken. Por ndonjëri shkon edhe më tej: Besimi i Publikut po rrokulliset drejt nivelit zero (?!). Kjo dëshmi mua sikur më trondit e më lëndon realisht, vecse vërteton tërë ato pikëpyetje që vërshuan pa mëshirë qysh ditën e parë të punës tuaj. Por heshtja juaj i ka ushqyer pa hesap mjegullnajat e padaravitura në qiellin e vrenjtur të politikës e medias. Komentet e tjera më duken si pesë me hic. Apo të mërmërijmë  atë urtësinë e njohur : Shkurti shkurton urët, marsi ngre lëkurët !?…Pritmëria nga ju ka qenë jo e vogël dhe as vërë në ujë. Aq më shumë që po vije drejt e në majë nga një familje e thjeshtë e pa “shpatulla të ngrohta”. Por duhen këllqe të forta, guxim e trimëri përballë zullumqarëve në nivele të larta. Unë personalisht kam njohur e njoh mirë mjaft nga kolegët tuaj vartës. Ndoshta edhe më tepër se ju, falë punës 40 vjecare në media. P.sh. nëse dëshironi një “peshore” origjinale e më të saktë se fjala “Vetting”, mund të vendosni për pak kohë në cdo derë prokurorie a gjykate shembullin e papërsëritshëm të juristit të paharruar, Xhevat Hana. Më besoni, ballafaqimi me pasurinë e tij me siguri nxjerr zbuluar shumicën e kolegëve tuaj prokurorë e gjyqtarë. Ai punoi gati 4 dekada dhe familja e tij(me 6 vetë në moshë madhore) banon sot e gjithë ditën në 70 metra katrorë. Më gjeni sot një të dytë që ka vetëm një apartament të vjetër e parafabrikat ! Një model dinjiteti e ndershmërie. Si nuk kujtoheni xhanëm, të thoni dy fjalë të merituara për atë prokuror atdhetar e idealist të kulluar ?!…Sinqerisht, u përpoqa të jem vullnetmirë, i hapur e mirëkuptues. Sepse heshtja juaj po bëhet e padurueshme. Heshtje që nuk është aspak flori për vendin tënd e për vendin tim. Kur të themi “ Fol, fol ose…dorëzo kolltukun e postit të dhuruar”, nuk duam të lajmë gojën. Dhe as të bëjmë hajgarë, si ai deputeti i dikurshëm që rrinte gojëkycur në Parlament. Kur po diskutohej buxheti i shtetit, cuditërisht, ngriti gishtin dhe kërkoi të flasë. Kryetari u befasua dhe ngriti zërin: -Tani e ka fjalën, zoti…

-Unë desha të them, zoti Kryetar, të mbyllet një cikë ajo penxherja te krei, se bën konkurencë me derën e hapur, e mos ftohemi…

5 komente në “Kur heshtja nuk eshte flori”

  1. Sabriu says:

    Jo drejtesi, por dreqesi. Heshtja e prokurorise apo vdekja e saj thuaje si te duash nuk kthehet ne ze dhe pse kjo zonje erdhi ne karriken e kreut te akuzes. Nje hesap eshte si me prokurore te pergjithshme si pa te.
    Keshtu sic i drejtoheni drejtperdrejt ju zoti gazetar, ti drejtohemi dhe ne asaj. Dhe njeri nuk i kerkon llogari,
    Plas po deshe.

  2. Perlati says:

    Shkrim qe prek ne nje plage jo te vogel. Sepse prokuroria e pergjithshme ka rolin e vete te rendesishem, jetik. Duke heshtur apo zvarrit ceshtje te rendesishme qe lidhen me kriminalitetin, korupsionin, ne vend te denoncimit te tyre, ajo dhe institucionet vartse kthehen ne mbrojtese. Ato po shihet qe jane te semura keq, por opercionet e filluara me te e drejtesine ne pergjithsi duhen me te thella. Keshtu mund te besojme te kjo drejtesi, kur nuk keqperdoret detyra qe kane. Vendi ka nevoje per Falkone e per prokuror si i ndjeri Xhevat Hana. Ndikimi i politikes ne organin e akuzes, sikurse ka ndodhur, vetem e shkaterron. Po a mund te kete prokuror te pergjithshem e prokurore qe te mos ndikohen nga politika?

  3. Doni me per Belulin? says:

    Perse lodhesh o Kristo vellai? Ke pare ti ne Shqiperi, qe fshatari te padise beun e fshatit dhe te fitoje davane? Edhe pse historikisht, ai (beu) e ka percmuar, shfrytezuar e grabitur ate. Kjo vjen, sepse ne kemi vetem tre kategori: Shume fshatare dhe pak bejlere. Ne mesin e tyre qendrojne mercenaret. Ndryshimi qe ti kerkon do te vije vetem kur fshataret do te civilizohen ne qytetare dhe bejleret do te transformohen ne fisnike. Atehere do te ulet ndjeshem numri i mercenareve te shumte qe prodhon ky vend. Me evolucion natyral kjo kerkon nje shekull a me shume. Por si popull i vogel dhe pa tradita qe jemi, mund te ndryshojme shume shpejt nen kerbacin e fisnikeve te huaj. Ne te vertete, ne na eshte argasur kurrizi me kerbac, keshtu qe nuk humbasim gje te provojme ate te botes se qyteteruar. Na takon te zgjedhim, ose te mbledhim vilat shume shpejt, ose te mbajme koshat bosh per nje kohe te pacaktuar…

  4. Doni me per Belulin? says:

    Perse lodhesh o Kristo vellai? Ke pare ti ne Shqiperi, qe fshatari te padise beun e fshatit dhe te fitoje davane? Edhe pse historikisht, ai (beu) e ka percmuar, shfrytezuar e grabitur ate. Kjo vjen, sepse ne kemi vetem tre kategori: Shume fshatare dhe pak bejlere. Ne mesin e tyre qendrojne mercenaret. Ndryshimi qe ti kerkon do te vije vetem kur fshataret do te civilizohen ne qytetare dhe bejleret do te transformohen ne fisnike. Atehere do te ulet ndjeshem numri i mercenareve te shumte qe prodhon ky vend. Me evolucion natyral kjo kerkon nje shekull a me shume. Por si popull i vogel dhe pa tradita qe jemi, mund te ndryshojme shume shpejt nen kerbacin e fisnikeve te huaj. Ne te vertete, ne na eshte argasur kurrizi me kerbac, keshtu qe nuk humbasim gje te provojme ate te botes se qyteteruar. Na takon te zgjedhim, ose te mbledhim vilat shume shpejt, ose te mbajme koshat bosh per nje kohe te pacaktuar.

  5. Peza says:

    I nderuari Kristo!
    Ne kete vend zullumet i ka bere politika e jo drejtesia!
    Nje politike kriminale do pjelle edhe drejtesi kriminale!
    Ja shiko Ramen sot:
    -U be protesta, qe ky te hiqte gjysmen e qeverise dhe kulmi eshte se i hoqi jo duke i akuzuar,por duke i lavderuar!
    Ku kemi pare ne gjekundi qe te heqesh nje minister qe ka punuar mire vetem se paska mbushur 5 vjet?
    Ku e gjeti kete 5 vjetshin ky Rama?
    Po per vete pse nuk iku ky mavri se ka mbushur e po derdhet 10 vjetshi?
    Dardha e ka bishtin prapa dhe Rama eshte shume i djallezuar qe perdori kete metode mashtruese:
    -Duke i lavderuar,ai edhe i hoqi pa zhurmne edhe shpetoi veten pa lagur!
    Se po te thoshte se po i heq se kane deshtuar,atehere do duhej qe te jepte edhe vete doreheqjen!
    Po nga PS-ja kush beri ndonje kritike per keta ministra?
    Te pakten per ministren e Arsimit qe ishte sebeti qe protestuan studentet?
    As ajo nuk u akuzua,bile Rama e lavderoi aq shume sa ajo u PERLOT por nuk po gjente shami te fshihej!
    Po per ministrin e infrastruktures,drejtorin e ARRSH-se qe u plasi bomba ne dore me dosjen e fallcifikuar si nuk tha njeri gje?
    A ka njerez trima dhe te afte ne PS apo mjafton qe marrin rrogen dhe ndonje gje tjeter dhe rrine rehat?
    Ja pra pse themi qe sot nuk ka PS,por ka ERTV!
    E perfundoi misionin edhe Rama:
    -Partia Socialiste u shkaterrua perfundimisht!
    -Ajo eshte privatizuar nga Edi Rama &CO!
    Ata qe ulurijne per Ramen nuk jane socialiste,por jenicere te tredhur!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje