FOTOT/ “The Washington Post”: Ju tregojmë bukuritë mbreslënëse të Shqipërisë, nga traditat antike te plazhet e kristalta dhe Odiseja në bregdet

14 Janar 2019, 10:19Turizëm TEMA
FOTOT/ “The Washington Post”: Ju tregojmë bukuritë

Vendi ynë vlerësohet e rekomandohet si vendi i traditave antike, plazheve të bukura dhe të lira mesdhetare, kulturës e historisë nga prestigjiozja “The Washington Post” në një artikull kushtuar Shqipërisë.

Mes magjisë së vendit bregdetar dhe lashtësisë, “The Washington Post” nënvizon fort mikpritjen që ka mbetur e pandryshuar nga kohët.

MIRËMËNGJES, dhe me këtë artikull të shkruar bukur nga “The Washington Post” dedikuar Shqipërisë dhe atraksioneve të jashtëzakonshme turistike të saj, ju uroj një javë të mbarë”, shkruan kryeministri Edi Rama duke publikuar artikullin e plotë kushtuar vendit tonë.

”Në vijë të drejtë – siç e konfirmon edhe Google – bregdeti ishte vetëm çështje miljesh larg. Një udhëtim i lehtë me makinë dhe ne do të ndiheshim mirë në Mesdhe. Në vend të kësaj, makina lëvizte përgjatë rrugëve të papastra duke ndaluar nga ndonjë dhi e vetmuar apo karrocë, ndërsa shoferi buzëqeshte nga reagimi ynë.

Papritmas temperaturat u ulën, ndërkohë që filluam ngjitjen në malet e mbështjella nga mjegulla, me maja të veshura që dukej se fusnin hundën në re. Përshëndetje, harta Google?! Makina ngadalësoi shpejtësinë, ndërsa kalonim bletërritësit, të cilët shisnin kavanoza me mjaltë në anë të rrugës. Dhe më pas vazhdojmë nën retë e dendura dhe detin që shkëlqen nga poshtë. Duke bërë gjeste triumfuese, shoferi e ndaloi makinën në një vend me pamje të bukur. Dolëm nga makina për ta shijuar.

Unë dhe ime motër ishim në kërkim të një destinacioni mesdhetar për një pushim të shkurtër veror. Kriteri i vetëm? Jo pushime në një vend të rrahur nga era, por një aventurë që do të mundësonte shumë plazhe të bukura, not në det të hapur dhe kulturë.

Albania, apo Shqipëria siç e quajnë vendasit, ka turistë të shumtë. Ndërsa dreka për dy vetë në Korfuzin e afërt, një destinacion popullor pushimi në Greqi, mund të kushtonte fare mirë 60 dollarë, në Shqipëri hëngrëm drekë si për festë për më pak se 20 dollarë.

Dhe më vonë kishim ato udhëtime epike – krejtësisht të papritura në një vend me përmasat e Merilendit. Do të mësonim se Qafa e Llogorasë, ku ishim tani, është një nga rrugët e shtruara më të larta të Europës – një udhëtim emocionues nëpër kushte të ndryshme klimaterike – nga nxehtësia e peizazheve mesdhetare deri te mjegulla dhe pyjet me gjelbërim të përhershëm. Më poshtë, ne mund të shihnim një brez të rërës të bardhë në bregun e detit Jon. Këto plazhe të pazhvilluara në formën e gjysmëhënës janë disa nga gjërat më të bukura që mund të gjeni në një hapësirë të kaltër.

Jashtë, gjinkallat gumëzhinin dhe aroma e rigonit të pjekur nga dielli përhapej në makinën tonë. Ne zbritëm nga retë në Rivierën Shqiptare. Një varg si perlë e qyteteve bregdetare shtrihej në jug drejt kufirit grek. Shqiptarët mund të jenë një grup njerëzish i dashuruar me muzikën elektronike të klubit që i tund klubet e plazhit deri në orët e vona.

Edhe nëse nuk je një buf nate, mund të gjesh kënaqësi përgjatë këtij shtrati idilik të vijës bregdetare. Ne e gjetëm atë në Qeparo, një fshat i përgjumur, i rrethuar midis maleve dhe detit. Ne u bashkuam me pushuesit shqiptarë vendas në shezlongët e plazhit (pesë dollarë në ditë) dhe pamë të gjitha ujërat ku – sipas legjendës së shkëlqyer të Homerit – Odiseja doli në breg në Korfuz.

Pas rënies

Por, më lejoni t’ju rrëfej për Shqipërinë, “vendin e shqiponjave”, një vend me legjenda të vjetra dhe personazhe përfshirë një trim luftëtar të shekullit XV, Skënderbeun, një mbret i shekullit XX, i quajtur Zog dhe një diktator komunist, Enver Hoxha, i cili vulosi kufijtë e vendit për 40 vjet, ndërsa ngriti bunkerë betoni në çdo cep të vendit. (Ndoshta, ai nuk ishte paranojak, Hoxha thuhet se u mbijetoi 50 tentativave për atentat.) Kur regjimi i tij komunist ra në vitet ’90, qytetarët ikën masivisht nga vendi. Sot, Shqipëria është një vend me tradita të lashta të përziera me ambicie moderne.

Nga plazhi në Qeparo, ne lidhim çantat e shpinës për një ngjitje në kodrat që duket se kanë përqafuar vijën bregdetare të detit Jon. Ne ndalemi me ngurrim në rrugën që ndahet në dysh. Një treshe zotërinjsh të moshuar, ulur jashtë në një kafene, na nxisin, duke bërë me gisht përpjetë. Duke shprehur falënderimet tona, ne fillojmë ngjitjen që do të na çojë në peizazhin e egër me diell të Mesdheut, këngën e vazhdueshme të gjinkallave që ndërpritet vetëm nga thirrjet e një bariu. Era sjell aromën e livandos, nenexhikut dhe lulemines; zhurma e largët e këmbanës së kishës së fshatit dëgjohet nëpër luginë. Dhe pastaj fshati i vjetër i Qeparoit afrohet: një bastion shekullor prej guri që kapet në një majë kodre, deti që shkëlqen shumë më poshtë.

Këtu, ndërsa kalojmë përmes rrugicave, nën hijen e hardhive, kalojnë disa zonja të moshuara të veshura tradicionalisht me të zeza. Qyteti “i ri” i Qeparoit është vendosur në bregdet shumë më poshtë, por ky fshat i vjetër, i harruar, ende ekziston në gjithë lavdinë e tij të lashtë. Zukatja e bletëve, ”fluturimet” e rrobave nga telat ku janë nderur, lulet e trëndafilave bëjnë kontrast me muret e lyera… Ne kemi ecur në kohë.

Ne tronditemi përsëri ndërsa shohim një makinë të parkuar, të pikturuar si një flamur i madh, i kuq, shqiptar, me krahët e shqiponjës së zezë të shtrirë në të gjithë kofanon e makinës. Sipas legjendës, gjenerali i madh Skënderbeu mbajti një flamur të një shqiponje me dy koka në betejë kundër osmanëve në shekullin XV. Flamuri i shqiponjës është një simbol i krenarisë kombëtare. Vetë vendi është krejtësisht unik; gjuha shqipe nuk është e lidhur me gjuhët sllave ose gjuhët romane që rrjedhin nga latinishtja dhe zë degën e vet të familjes indoeuropiane. Një nga vendet më të vogla në botë, Shqipëria nuk ishte pjesë e Jugosllavisë së Titos.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje