Nga Fieri në Madrid, rrëfimi i Bares / Debutim, pezullim dhe aludime: Liverpulit i shënova unë jo Mono Burgos

17 Janar 2019, 14:35Sport TEMA

Keidi Bare ka luajtur javën e kaluar ndeshjen e tij të parë si titullar me skuadrën e Malaga dhe shpreson që ky të jetë hapi i radhës i një karriere që ka nisur në qytetin e Fierit në një moshë shumë të re.

Në një intervistë shumë të veçantë të dhënë për “Diario Sur”, mesfushori shqiptar ka treguar fillimet e tij në Shqipëri, si përfundoi te Atletiko Madrid dhe etapa atje mes gëzimeve e dështimeve, deri në mbërritjen te Malaga.

Një rrëfim i veçantë për një djalosh të talentuar i cili ka mesazh të qartë se çfarë kërkon në karrierën e tij.

“Nuk kënaqem me pak”, janë fjalët e Bares, i cili gjithashtu nuk pranon aludime për favorizime që mund t’i kenë bërë në karrierën e tij, shkruan “VipSport”.

Në moshën 15-vjeç debutuat në elitën e futbollit në vendin tuaj, në radhët e Apolonisë. Ka lojtarë të cilët luajnë shpejt por kjo…
E vërteta është që në Shqipëri mund të funksionojë kështu. Futbollistët më të mirë debutojnë shumë shpejt. Jam rritur te Apolonia e Fierit dhe debutimi ishte shumë emocionues. Tani mendoj që një lojtar 15-vjeçar nuk është ende gati për këtë, për të qenë si një 21-vjeçar apo më shumë, por fizikisht isha i përgatitur.

A vini nga një familje futbollistike?
Të gjithë familjarët e mi kanë qenë sportistë. Babai im, Artan Bare, ishte futbollist, gjithashtu mesfushor dhe luajti gjithë karrierën e tij në Shqipëri. Ai ishte gjithashtu pjesë e Apolonisë. Edhe xhaxhai im, Arbër Mone, luan në Shqipëri, tani është te Ferizaj. E filloi në qendër dhe tani është mbrojtës krahu i majtë.

Ju keni vetëm një emër dhe një mbiemër…
Po, mbiemri shtohet ai i babait. Emri im nuk është i përsëritur, edhe këtu kam dëgjuar emra të ngjashëm.

Kemi lindur në Fier. Si është ai qytet? Çfarë ka tërheqëse?
Mirë, kemi plazhin vetëm 25 minuta larg dhe jemi  vetëm 1 orë larg Tiranës, kryeqytetit. Është një qytet i vogël, por shumë i bukur dhe nuk e them vetëm se jam rritur aty. Jetohet me ndërtim dhe me pasuritë e gazit natyror.

Sa e ndryshme është jeta e Fierit me atë në Malaga?
Shqiptarët janë shumë mikpritës, ndonëse pak më të ftohtë dhe të sjellshëm se sa në Malaga. Sigurisht, këtu ka më shumë diell.

Në dhjetorin e viti 2013 kaluat një test të rëndësishëm në Tbilisi për t’u bërë pjesë e Atletiko Madrid, e vërtetë?
Po, u stërvita katër ditë në qendrën stërvitore dhe shkova në një test duke luajtur për Atletikon. Gjërat shkuan shumë mirë dhe u cilësova mesfushori më i mirë i turneut.

Kush ju mundësoi që të bënit një provë me Atletikon?
Në ekipet kombëtare të moshave kisha një trajner kroat, Mustedanagiç, i cili më ndihmoi shumë dhe më rekomandoi që të flisja me menaxherin për të shkuar atje. I jam shumë mirënjohës.

Muniz ju krahasoi me Toribio herën e parë që foli për ju në konferencën për shtyp. A e dini se kush është?
Po, kur e dëgjova këtë emër hyra në Internet dhe e kërkova dhe e pashë që luante te Alkorkon. Trajneri e di, pasi na ka parë të dyve, ndaj na krahason.

Çfarë menduat kur u kuptua në Saragoza se do të ishit titullar?
Ishte një moment që nuk e prisja dhe aq më tepër përballë një rivali kaq të madh. Në futboll ndodh gjithçka dhe ka vend për gjithçka. Por më çuditi shumë. Gjithmonë, kur të shfaqet një mundësi, duhet të jesh gati për të.

A e cilësoni veten më shumë një mesfushor mbrojtës apo sulmues?
Varet nga ndeshja, nga rivali, nga ekipi im. Nuk di të them nëse jam më shumë ofensiv apo mbrojtës.

Këtu bëjmë një lojë fjalësh me këtë, “mbarëfushor”…
Po, këtë ma thoin të gjithë. Shokët e mi, trajnerët…

SI e patë veten në ndeshje?
Mendoj se ishte një ndeshje e mirë. Shokët më ndihmuan shumë dhe i falënderoj. Kur debuton si titullar është e vështirë kur hyn në lojë.

E pamë Havi Ros shumë të inatosur duke dalë nga fusha pas një faulli që i bëtë. Kur shkove t’i kërkoje falje nuk ishte në humor. A folët më pas?
Ishte normale që të ishte i mërzitur pasi u desh të largohej nga fusha. Por i kërkova falje brenda dhe jashtë fushës së lojës.

Edhe pse nuk kemi pasur një lidhje të plotë me ekipin e parë dhe as nuk keni mundur të shihni të gjitha ndeshjet, si mund ta cilësoni pjesën e parë të sezonit të Malagas?
Mendoj se gjëja më e rëndësishme është se ekipi është lart në renditje. Pjesa e parë ka qenë shumë e mirë, por mbetet ende edhe shumë. Duhet të merren gjërat hap pas hapi, ndeshje pas ndeshje.

Ai dënim me 9 ndeshje pezullim me ekipin e të rinjve të Atletiko, a mendon se ka ndikuar në mënyrën tënde të sjelljes në fushë?
E vërteta është që kalova shumë kohë keq për atë çështje. Pa dyshim, ishin momentet më të këqija të jetës time. Nuk ndjehesha mirë duke u stërvitur dhe as me veten. Nuk e kam të zakonshme të bëj gjëra të tilla dhe u çudita edhe me veten. Jam penduar shumë për atë që kam bërë.

A kishte ky incident të bënte me largimin tuaj të mëvonshëm nga Atletiko?
Jo, unë po kërkoja diçka të re. Doja një mundësi për të provuar nëse unë vërtet vlej ose jo për të bërë këtë profesion. Prandaj desha të largohesha nga aty.

Cilat janë ëndrrat që keni?
Një futbollist gjithmonë mendon më shumë, të shkojë sa më larg, Nuk kënaqem me pak. Dua të vazhdoj të punoj siç kam bërë tani për të shkuar sa më larg.

A do ju pëlqente të luanit në Primera Division?
Sigurisht. Kujt nuk do t’i pëlqente? Me punë arrihet gjithçka.

Deri tani ka pasur pak shqiptare në La Liga…
Kur erdha unë, asnjë. Më pas erdhi edhe Sadiku te Levante, por nuk vazhdon më aty.

Cila është dita juaj më e lumtur në një fushë futbolli?
Kur arrita të debutoja me ekipin e parë të Atletiko, në Kupën e Mbretit. Gjithashtu edhe goli në finalen e Audi Cup përballë Liverpulit. Pastaj në debutimin tim si titullar me Malaga pak ditë më parë.

A e sheh veten duke luajtur si titullar edhe këtë të shtunë në Lugo?
Atë e vendos trajneri. Unë vetëm mund të them se jam gati.

Sa gjuhë flet?
Shqip, spanjisht, anglisht dhe pak italisht.

A jetoni i vetëm?
Jo, me prindërit e mi.

A jeni katolik?
Po, jam kristian. Besoj shumë në Zot. Kur dal në fushë dhe jashtë saj mendoj për të. Në Shqipëri ka kristianë dhe myslimanë, thuajse njëlloj, por kanë marrëdhënie të mira.

Çfarë është ajo që ju pëlqen më shumë ne Malaga?
Njerëzit dhe karakteri i tyre. Gjithashtu edhe fakti që ka kaq shumë orë diell.

A keni ndonjë hobi?
Kam pak. Jam i përqendruar vetëm në futboll. Babai im është i fiksuar me mua dhe gjithmonë shkoj të vrapoj në plazh ose të stërvitem.

Na thuaj një seri televizive që ke parë së fundmi..
‘La casa de papel’, ‘Peaky Blinders’,… shoh shumë të tilla.

Një idhull në futboll?
Kam pasur shumë. Më pëlqen shumë Iniesta dhe Modriç.

A ju vunë nën presion kur në etapën tuaj mes akademisë dhe ekipit të parë të Atletiko ju quajtën “dhëndri i Mono Buirgos” nga lidhja me një nga vajzat e tij?
Jo. Unë shkova te Atletiko me këmbët e mia dhe golin kundër Liverpulit e shënova unë, jo Mono Burgos.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje