Që do të votohet, e dimë; për kë s'e dimë!

18 Janar 2019, 14:39Blog TEMA

Nga Namir Lapardhaja

Kanë ngelur më pak se 24 orë nga mbledhja e Këshillit Kombëtar të PD-së, në të cilin, ashtu siç u njoftua pak ditë më parë, pritet të votohet e gjithë kupola drejtuese e partisë më të madhe opozitare, duke përfshirë sekretarin e përgjithshëm, nënkryetarët, sekretarin organizativ…, kryesinë e re etj.

Praktikisht, hierarkinë më të lartë ekzekutive të partisë.

Pavarësisht orëve që kalojnë, ende askush nuk di asgjë se kush do të kandidojë e për kë do të votojë.

Është krijuar një traditë në këto vitet e fundit në Partinë Demokratike që të gjitha vendimet që kanë të bëjnë me kandidime, qoftë për deputetë, kryetar bashkie etj., lihen për në momentin e fundit të afatit dhe shpallja e tyre bëhet natën, kryesisht pas mesnate.

Arsyen se pse lihen për t’u shpallur në terrin e natës askush nuk e di me siguri, mirëpo nga tradita popullore e kemi mësuar që natën bëhen vetëm punët e liga.

Praktikisht dhe formalisht emrat që do të garonin do të duhej të ishin bërë publikë ditë më parë, duke qenë se në këtë rast nuk ka një afat statuor për shpalljen e tyre.

Duhet të ishte bërë një fushatë brenda partisë, duke takuar anëtarët pjesëmarrës në votim dhe ditën e shtunë të ishin gati për t’u përballur mes njëri-tjetrit, por edhe këtë radhë nuk ndodhi kështu.

Se pse ndodh një gjë e tillë në partinë më të madhe të opozitës, në partinë që pritet të marrë pushtetin dhe si e tillë duhet të japë një model tjetër nga politika e deritashme, është e paqartë.

Mirëpo, një gjë është e qartë si drita e diellit dhe që e pranojnë të gjithë në heshtje, ose në mënyra të tjera, pavarësisht se nuk e artikulojnë për një arsye ose një tjetër, kjo është një rrugë e gabuar, që nuk i shërben shëndoshjes dhe forcimit të lidershipit dhe të partisë në vetvete.

1 komente në “Që do të votohet, e dimë; për kë s’e dimë!”

  1. syri says:

    S’ka nevoje e di Sala dhe Lulja e perdorur!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje