Shkencëtarët gjejnë gjurmë jete nën shtresat e akullit në Antarktidë

21 Janar 2019, 17:09Hi-Tech TEMA

Gjurmë të hershme jete janë gjetur në shtresat e tokës nën akullin e një liqeni në Antarktidë.  Zbulimi është bërë në dhjetor të vitit të kaluar gjatë një ekspedite që një grup studiuesish bënë në liqenin Mercer, i cili ndodhet 600 km nga Poli i Jugut. Ata bënë një shpim në një shtresë akulli 1 km të trashë dhe zbuluan në shtresat e baltës mbetjet e një alge fotosintetike të miliona viteve më parë, kur Antarktida ishte më e ngrohtë.

Kjo mikrogjallesë është një prej mbijetueseve të fundit. Eksperimentet kanë treguar se ajo mund të durojë thatësirën totale, rrezatimin diellor, temperaturën e vlimit dhe të ngrirjes, madje mund të jetojë edhe më shumë se një javë në kozmos.

Një ekspeditë e mëparshme shpuese në liqenin Whillans në vitin 2013, rreth 50 km nga liqeni Mercer, gjeti një mjedis të mbushur me mikrobe, por asnjë shenjë për forma më komplekse të jetës. Duke menduar se ekzemplarët mund të jenë futur fillimisht në pajisjet e kontaminuara, ekipi pastroi instrumentet dhe përsëriti procesin vetëm për të gjetur forma më të lashta të jetës në shtresat e baltës.

Shumë janë hipotezat lidhur me atë se si këto organizma ia dolën të mbijetonin në liqen. Disa sugjerojnë se ato mund të kenë jetuar në pellgje dhe përrenj aty pranë gjatë periudhave të ngrohta të shkrirjes së akullnajave midis 10 000 dhe 120 000 vjet më parë, para se të mbërrinin në liqen përmes lumenjve të nëndheshëm.

Nëpërmjet analizimit të tyre, testet e karbonit do të tregojnë se deri në ç’masë akullnajat e kontinentit u shkrinë mijëra vjet më parë.

Sidoqoftë, zbulimi i papritur mund të rrisë shpresat e atyre që presin eksplorimin e ardhshëm të akullnajave në kozmos. NASA po planifikon të shpojë në koren e ngrirë të hënës së Jupiterit në kërkim të jetës aliene, ndërsa fotografitë që vijnë nga Marsi tregojnë kratere të mbushur me akull, që kanë ngacmuar kuriozët për hapësirën në të gjithë botën. (TemA TV)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje