"Kombëtarja në ’93 me uniformën e rrallë, dhuratë nga Danimarka. Nuk kishte këpucë për Rrakllin”

22 Janar 2019, 22:06Sport TEMA

Nga Aranit Muraçi

Ndryshimi i sistemeve, në fillim të viteve ’90, do të shoqërohej me momente dramatike dhe të vështira për të gjithë shqiptarët. Momente që u përjetuan dhe u reflektuan edhe në ekipin Kombëtar të futbollit, që drejtohej në atë kohë nga Bejkush Birçe. Pas skandalit në Londër, stafi i drejtuar nga Birçe ia del që të mbyllë kualifikueset Euro 1992. Disa lojtarë kishin nisur karrierën jashtë, madje e kishin nisur atë duke përfituar nga udhëtimet e Kombëtares për ta braktisur atë, siç ndodhi në Francë me Rudi Vatën.

Ishte koha kur vendi ishte i prekur nga vala e ndryshimeve dhe shteti shqiptare vinte në diskutim paratë për të mundësuar udhëtimin e ekipit, akomodimin etj. Megjithatë Birçe, nisur nga fakti se ai doli të menaxhonte situatën më të vështirë në historinë e futbollit shqiptar, merr besimin e FSHF-së për të vazhduar edhe në kualifikueset e Kupës së Botës, “USA ‘94”. Por vështirësitë dhe peripecitë nuk do t’i ndahen deri në fund.

Shqipëria shkon me një uniformë, Nilsen tregohet bujar me kuqezinjtë

Danimarka bie në një grup me Shqipërinë, si kampione e Europës. Më 2 qershor 1993, Shqipëria udhëton drejt Kopenhagenit, në përballjen me vendasit. – “Si të mos mjaftonin vitet e para, u gjendëm para një situate tjetër të vështirë”, kujton Birçe, në rrëfimin e tij për “Albanian Free Press”. “Me mundësitë që kishim udhëtuam me një uniformë, siç kishim bërë edhe në ndeshjet e tjera. Rregullorja parashikonte që çdo ekip të kishte edhe uniformë të dytë. Danimarka si uniformë të parë kishte atë të kuqe, e ngjashme me uniformën tonë. Si ekip udhëtues Shqipërisë i duhej të luante me uniformën e dytë, që ne nuk e kishim. Madje sipas rregullave të FIFA-s, uniforma e dytë duhet të miratohej prej saj. Një tjetër alarm në kampin kuqezi!”. Bejkush Birçe kujton se edhe në këtë rast kundërshtari tregohet bujar dhe shmang një dramë tjetër në radhët e ekipit tonë. – “Trajneri i famshëm që drejtonte Danimarkën në atë kohë, Nilsen, i sapo-shpallur kampion Europe, me të cilin lidha edhe miqësi, me të kuptuar situatën që po kalonim erdhi dhe më dha lajmin se do të mundësonte ai uniformën e dytë të Kombëtares Shqiptare. Dhe ndeshja do të luhej. Kishte kontaktuar kompaninë më të mirë sportive në Danimarkë dhe i kishte propozuar jo vetëm një uniformë për të gjithë ekipin tonë, por edhe veshje të tjera shtesë sportive, si dhuratë për Kombëtaren Shqiptare. Si përfundim luajtëm me uniformë blu, e para herë në historinë tonë që luanim me një uniformë të tillë.”

Alarmi në Danimarkë, nuk kishte këpucë “nr 38” për Rrakllin

Por edhe pse stafi drejtues i Danimarkës bëri një gjest human me kuqezinjtë, telashet vijuan më tej. Sulmuesi kryesor i Kombëtares Shqiptare, Altin Raklli, mbante këpucë me “numrin 38”, diçka e rrallë për një futbollist. Në Danimarkë, ai provoi të gjitha këpucët me të vogla që ishin prodhuar nga kompania që i dhuroi Kombëtares sonë uniformën e dytë, por edhe ato ishin të mëdha për të. – “Nilsen u kujdes që të porosiste çdokënd që ai njihte, derisa edhe Rrakllit iu gjetën më në fund dhe iu afruan këpucët që donte dhe ekipi u kompletua, për të luajtur një ndeshje, po themi normale jashtë çdo lloj normaliteti. ” Danimarka e mbyll ndeshjen në favorin e saj, që në pjesën e parë, duke shënuar katër gola. Kapiteni Sulejman Demollari dëmtohet sapo nis takimi, çka ndikon disi në ecurinë e lojës dhe takimit. – “Ishin vite, ku vihej në diskutim përfaqësimi ynë. Rezultati shpesh kalonin në plan të dytë,” – thekson më tej Bejkush Birçe, për eksperiencën e tij si trajner i Kombëtares.

Mbyllja e karrierës së Bejkush Birçes me kuqezinjtë  

Në kualifikueset e Kupës së Botës “USA 94”, Kombëtarja e Shqipërisë ra në një grup të vështirë me ekipe, si Spanja, Republika e Irlandës, Danimarka, Irlanda e Veriut dhe Lituania e Letonia. Për finalet e Botërorit USA 94, edhe Danimarka si kampione e Europës, mbeti jashtë. Përballë dy ekipeve të vetme baltike, ndaj së cilave mund të merrnim pikë, Kombëtarja e Shqipërisë mori një fitore ndaj Lituanisë 1-0, me gol të Abazit, dhe një barazim 1-1 me Letoninë, me gol të Kepës, në “Qemal Stafa”. Pas kualifikueseve mbyllet kështu eksperienca 4-vjeçare e Bejkush Birçes në stolin e kuqezinjve, për t’ia lënë vendin ndihmësit të tij, Neptun Bajko. Ndërsa e tërë karriera sportive e një prej trajnerëve më të shquar në historinë e futbollit shqiptar, pas eksperiencave të kaluara me ekipet e Partizanit, Flamurtarit, Dinamos dhe Teutës, do të mbyllej me një eksperiencë në Durrës.

Nën drejtimin e Teutës, në mesin e viteve ’90, në një rrëfim të fundit për “Albanian Free Press”, Bejkush Birçe tregon mbi dy eksperiencat e veçanta evropiane, atë të fundit në karrierë me durrsakët, dhe atë me Partizanin ndaj skocezëve të Celtic, në fillim të viteve ’80.

Kualifikueset e Kupës së Botës, “USA 94”

Danimarkë-Shqipëri 4-0

Shënues: 11’ Jensen, 20’, 40’ Pingel, 28′ Moller

Danimarka: Peter Schmeichel, Brian Steen Nielsen, Marc Rieper, Lars Olsen, Jakob Kjeldbjerg, Michael Larsen, John Jensen ( 84’ Bjarne Goldbaek), Kim Vilfort, Frank Pingel, Peter Moller ( 66’ Martin Johansen), Brian Laudrup. Trajner: Trajner: Richard Moller Nielsen

Shqipëria: Perlat Musta, Hysen Zmijani, Adnan Ocelli, Rudi Vata, Ilir Shulku, Artan Bano, Indrit Fortuzi ( 84’ Alvaro Zalla), Sulejman Demollari (17’ Klinton Bozgo), Kastriot Peqini, Sokol Kushta, Altin Rraklli. Trajner: Bejkush Birçe

Gjyqtar: Gerd Grabher (Austri) (AFP.al)

2 komente në ““Kombëtarja në ’93 me uniformën e rrallë, dhuratë nga Danimarka. Nuk kishte këpucë për Rrakllin””

  1. rrumpalla e Sali Berishes says:

    kombetarja e turpit! Nuk I vjen turp per edhe tregon per gazeten si u rrah! RRembythje si Bejkushi ka plot shqiperia!
    shqiperia nuk duhet te kete kombetare! Na perfaqson Kosova

  2. Romak says:

    Keto jane pordhe me rigon.
    Te kampi kuq e zi ka ardhur nje perfaqesues i adidasit ose puma-s, ashtu si vijne zakonisht, dhe ju kane ofruar uniforma me kushtin qe te luhet me to duke reklamuar mallin dhe kaq eshte historia.
    Jo na mungoi uniforma e jo erdhi traineri i Danimarkes jane pordhe kot. Raklli nuk paska pasur kepuce dhe atij ja gjeti fedrata e Danimarkes. Idiotizma. Thuaj u beme si gjithmone lypsare dhe pike!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje