Prokurori Sheshi ish-sigurims me pseudonimin "Venus"? Reagon Prokuroria e Përgjithshme

28 Janar 2019, 14:16Kronika TEMA

Prokuroria e Pergjithshme ka reaguar sot zyrtarisht pas akuzave dhe denoncimit të PD-së, se prokurori Bujar Sheshi është ish-sigurims, me pseudonimin “Venus”.

Ragimi i Prokurorisë:

Duke marrë shkas nga rasti i bërë publik para disa ditësh, për anëtarin e KLP-së, prokurorin Bujar Sheshi, Prokurori i Përgjithshëm, i bën me dije opinionit publik se:

Me marrjen dijeni prej KPK-së, për moskalimin me sukses të procesit të Rivlerësimit të disa prokurorëve, kandidatë për KLP nga radhët e prokurorive të apeleve, me qëllim plotësimin e vendit vakant në KLP, me datë 24. 09. 2018, Prokurori i Përgjithshëm shpalli thirrjen për paraqitjen e shprehjes së interesit.

Pas thirrjes së parë, duke mos pasur asnjë kërkesë për kandidim, më datë 12. 10. 2018 u shpall thirrja e dytë, pas së cilës, më datë 25. 10. 2018 ka shprehur interesin prokurori Bujar Sheshi, duke dorëzuar deklaratën për shprehjen e interesit dhe dokumentet bashkëlidhur.

Pjesë e dokumenteve të dorëzuara prej kandidatit Bujar Sheshi, ishte deklarata e tij individuale, e nënshkruar, përkundrejt përgjegjësisë ligjore, si detyrim ligjor i nenit 108, pika 3, shkronja “d” e ligjit nr. 115/2016, sipas të cilës, nuk ka qenë anëtar, bashkëpunëtor apo i favorizuar i ish-Sigurimit të Shtetit deri më datë 02 Korrik 1991 si dhe Formulari përkatës i Autoritetit të Informimit mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH).

Me shkresën nr. 2873, datë 26. 10. 2018, Prokurori i Përgjithshëm i është drejtuar AIDSSH, për të verifikuar kandidaturën e prokurorit Bujar Sheshi, në ushtrim të funksioneve të tij, në zbatim të nenit 29, pika 1 të Ligjit nr. 45/ 2015 “Për të Drejtën e Informimit për Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit”.

Një verifikim i tillë, është kryer edhe për të gjithë kandidatët e tjerë dhe personave të ngritur në detyrë, me shkresën numër 933/ 1, datë 29. 03. 2018, shumë kohë pasi atyre u është verifikuar dhe konstatuar plotësimi i kushteve ligjore për të qenë kandidat për anëtar të KLP-së prej Komisionit të ngritur për këtë qëllim nga Prokurori i Përgjithshëm paraardhës, me Urdhrin nr. 18, datë 17. 01. 2017.

Sipas këtij urdhri, i ngritur në bazë të nenit 109, pika 1, të ligjit nr. 115/ 2016, “Për organet e qeverisjes vendore”, komisioni ka për detyrë verifikimin e plotësimit të kushteve ligjore nga kandidatët prokurorë që kanë shprehur interes për t’u zgjedhur anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Ky komision, mbi bazën e rezultateve të nxjerra për çdo kandidat, brenda afateve ligjore, harton listën me emrat e kandidatëve që plotësojnë kriteret.

Ky verifikim, përveçse është kryer në ushtrim të veprimtarisë dhe funksioneve të Prokurorit të Përgjithshëm, është kryer edhe duke marrë shkas nga shkresa e AISSH nr. 225, datë 15. 03. 2018 sipas së cilës verifikimi ishte i detyrueshëm dhe ishte kryer për çdo kandidat për KLP dhe KLGJ duke përfshirë edhe përfaqësuesit e shoqërisë civile, avokatisë apo pedagogëve. Përgjigja në këtë rast ka ardhur për të gjithë emrat e kërkuar, sipas Vendimit të AISSH nr. 332/ 3 prot., datë 02. 05. 2018.

Në rastin e kandidatit për KLP, prokurorit Bujar Sheshi, Prokurori i Përgjithshëm, i ka kërkuar Komisionit verifikimin e të gjitha kushteve ligjore parashikuar në nenin 108 të Ligjit nr. 115/2016, dhe, njëkohësisht i ka dërguar për verifikim AISSH,  formularin përkatës të plotësuar dhe nënshkruar prej kandidatit në respektim të nenit 29 të Ligjit 45/ 2015.

Pasi është njohur me Relacionin e Burimeve Njerëzore datë 01. 11. 2018, sipas të cilit prokurori Bujar Sheshi plotëson kushtet dhe kriteret ligjore për të qenë kandidat i KLP, në kushtet kur verifikimi në AISSH nuk ishte një prej kritereve të parashikuar në ligj, brenda afateve ligjore të detyrueshme, Prokurori i Përgjithshëm ka vijuar me procedurën për organizimin e Mbledhjes së Përgjithshme si hapi përfundimtar për ngritjen e KLP-së.

Përgjigja e ardhur nga AISSH me shkresën nr. 1030/ 6, datë 23. 01. 2019, i është njoftuar KLP-së me shkresën nr. 2873/ 3, datë 25. 01. 2019 dhe Komisionit të Pavarur për Koordinimin, Monitorimin dhe Ndjekjen e Zbatimit të Ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, pranë Kuvendit të Shqipërisë, me shkresën nr. 2873/ 2, datë 25. 01. 2019.

Vonesa në kthimin e përgjigjes nga AISSH dhe plotësimi i deklaratës individuale të nënshkruar prej prokurorit Bujar Sheshi, përkundrejt përgjegjësisë ligjore, që nuk përputhet në përmbajtje me Vendimin e AISSH, janë objekt i një hetimi të thelluar nga prokuroria kompetente. (TemA)

2 komente në “Prokurori Sheshi ish-sigurims me pseudonimin “Venus”? Reagon Prokuroria e Përgjithshme”

  1. john says:

    Sigurimi ne ate kohe nuk para perdorte keto “epitete” per bashkepunetoret. Zakonisht ata perdornin emra me te thjesht si..’Penicilina’ etj.

  2. 5 STARS says:

    Mire mo mire me keta te vjetrit qe u quakan sapun Venus… Po me keta prokuroret e rinj qe jane ku therret qameti te korruptuar deri ne palce si puna e prokuror JULIAN ZONJA nje zonjushe burdellosh dhe pazaresh… si do ti quani sapun Kavaje 15 Leksh.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje