"Reagim ndaj letrës së 30 shkrimtarëve dhe publicistëve"

31 Janar 2019, 17:10Blog TEMA

Nga Rexhep Qosja

Me vonesë disaditore e vërejta dhe e lexova letrën e shkruar prej filozofit, shkrimtarit e publicistit, Bernar-Henri Levy, e të nënshkruar prej njëzet e nëntë shkrimtarëve e publicistëve të tjerë, mes të cilëve edhe prej pesë fituesve të Çmimit Nobel për letërsi.

Në këtë letër për shumë arsye bëhet thirrje që Bashkimi Evropian të mbrohet, që atdhetarët e këtij Bashkimi ta mbrojnë atë intelektualisht prej shkatërruesve, të cilët gjithnjë e më të zëshëm po shihen e dëgjohen nëpër disa sheshe e nëpër disa institucione evropiane!

Nuk prisja se kjo letër qëllimlartë do të më befasonte, siç më befasoi jo vetëm me disa nga mendimet që thuhen në të, po më shumë me disa nga çështjet që në të heshten.

Për këtë arsye, si lexues i veprave e i shkrimeve të disave prej nënshkruesve të kësaj letre, mund të them:
Jam i zhgënjyer.

Jam i zhgënjyer sepse ata e ngritën zërin me shumë vonesë.

Jam i zhgënjyer sepse ata e ngritën zërin vetëm kundër të këqijave që, siç e theksojnë, mund të ndodhin në Evropë pas zgjedhjeve të majit për Parlamentin Evropian në qoftë se fitojnë ata që duan të ringjallin një të kaluar të errët.

Jam i zhgënjyer sepse të këqijat që, thonë, se mund të ndodhin në Evropë pas zgjedhjeve të majit – ksenofobia dhe antisemitizmi po ndodhin tashmë në disa vende të Evropës.

Jam i zhgënjyer sepse i heshtën disa nga të këqijat e tjera që po ndodhin në Evropë dhe tragjeditë që po ndodhin në ujërat jugore të Evropës.

Jam i zhgënjyer sepse nuk e thanë asnjë fjalë keqardhjeje për tragjedinë më të madhe të shekullit në të cilin kemi hyrë: për tragjedinë e viktimave të luftërave, që në disa vende të Lindjes së Mesme e të Afërme po ndodhin edhe nën patronatin politik e ushtarak evropian!

Jam i zhgënjyer sepse me asnjë fjalë keqardhjeje nuk shkruan për rrënimet barbare të tri qytetërimeve të lashta në ato vende të Lindjes së Mesme e të Afërme që po ndodhin edhe nën patronatin politik e ushtarak të disa vendeve të Evropës!

Jam i zhgënjyer sepse asnjë fjalë keqardhjeje nuk u shpreh për islamofobinë që po përshtrihet në Evropë, e nxitur edhe prej terrorizmit – kësaj të keqeje skëterrore, kundërnjerëzore, që po e bëjnë madje edhe në disa vende që u kanë dhënë strehimin, individë dhe grupe të ndryshme me besim islamik duke keqpërdorur islamin për qëllimet e veta politike, ideologjike e të tjera.

Jam i zhgënjyer sepse këta, tridhjetë shkrimtarët e publicistët e shquar, që u paraqitën si ndërgjegje e zgjuar e Evropës së Re, nuk paskan vërejtur se si kolonializmi klasik në disa pjesë të Afrikës e të Azisë, është zhvilluar tashmë në kolonializëm modern, domethënë në neokolonializëm.

Jam i zhgënjyer sepse kërkesat shtetkrijuese, që u dëgjuan në Barcelonë, i identifikuan me shpërthimet nacionaliste dhe ksenofobe që po dëgjohen qe sa kohë, sidomos në Budapest, në Varshavë, në Vjenë, në Dresden e ku tjetër.

Jam i zhgënjyer sepse politikë “që nuk e denjëson inteligjencën dhe kulturën” e quajtën vetëm politikën që do të bëhet në Evropë në qoftë se në zgjedhjet e majit për Parlamentin Evropian fitojnë “shkatërruesit e idesë evropiane” dhe harruan se politikë e tillë po lulëzon tashmë në disa vende të Evropës, sidomos në vendet ish-komuniste qoftë edhe të Bashkimit Evropian!

Jam i zhgënjyer sepse Evropën e quajtën “të braktisur edhe nga dy aleatë të mëdhenj që në shekullin e kaluar e shpëtuan dy herë nga vetëvrasja: njëri përtej La Manshit dhe tjetri përtej Atlantikut” dhe, kur shkruan kështu, këta dy aleatë, të përfytyruar gabimisht si kundërshtarë të BE-së, i imagjinuan në të njëjtin kontekst politik me Rusinë e Putinit, e cila e dëshiron rrënimin e këtij Bashkimi të Evropës, duke vepruar ku mundet e si mundet për atë rrënim! Është interesant se në këtë letër nënshkruesit e saj, me dashje a padashje, na e përkujtuan qëndrimin e krijuar në kohën e Napoleon Bonapartës kur u tha: Anglia është për Evropën çka është Shejtani për njerëzimin!

Jam i zhgënjyer sepse në letrën manifest politik nuk u sqarua se çfarë duhet të jetë Bashkimi Evropian që, besoj, s’do të mund ta plagosin “varrmihësit e idesë evropiane”: do të jetë Evropë e pluralizmit kombëtar, kulturor, fetar apo Evropë e totalitarizmit evropianist; do të jetë Evropë e kombeve të barabarta apo Evropë e dy-tre rrathëve me barazi të ndryshme të përbërësve kombëtarë të saj; Evropë, si e thotë evropiani i shumëdëshiruar, Karl Markus Gaus, e shumë gjuhëve apo e Evropë e vetëm disa gjuhëve, që do të na e mësojë barbarinë; Evropë e pastruar prej të gjitha paragjykimeve të së kaluarës apo Evropë në të cilën racizmin e dikurshëm të Lëkurës do ta zëvendësojë racizmi i Kuletës?

Bashkimi Evropian është ideja, është projekti, është ideali më madhështor në historinë e Evropës. Ai është premtimi politik, kulturor, qytetërues, human, etik, që popujve të Evropës u sjell besimin se kurrë më nuk do të përjetojnë luftëra botërore, as luftëra ballkanike, as Kongrese të Berlinit si ai i vitit 1878, as Konferenca të Londrës si ato të viteve 1913 e 1915, as Konferencë të Paqes si ajo e Parisit e vitit 1919, as “rende” të tmerrshme fashiste, staliniste, naziste; është premtim që popujve të Evropës u sjell besimin ndaj lirive, barazisë së dinjiteteve dhe të mirëqenies së tyre e të pasardhësve të tyre.

Shqiptarët e duan sot Evropën e këtillë, dhe e duan shumë përkushtueshëm duke u përpjekur që të sjellin vlerat e saj në jetën e tyre dhe duke u përpjekur që të plotësojnë kushtet që Shqipëria e Kosova, siç janë sot apo, edhe më mirë, të bashkuara, të bëhen anëtare të saj sa më shpejt.

Gëzuar Evropë e dashur!

11 komente në ““Reagim ndaj letrës së 30 shkrimtarëve dhe publicistëve””

  1. Ylli says:

    Thjesht kush ka dyshime se Rexhep Qosja eshte nje bolshevik -marksist – islamist ,le te lexohe kete paçavure djallezore “zhgenjyese”.!!!
    Shko jeto ne Arabi Saudite zotni por se di a do te lejojne kostumin se çarçafin e ke hallall !!!

    1. Cudia says:

      Jam i zhgenjyer qe emri im nuk eshte ne ate liste.

  2. koci says:

    Profesor këtë radhë gjykimi më duket pak emocional dhe larg atij racional.
    Evropa sot është projekti politik më i mirë për kohën por sigurisht jo ideali. Sot është detyrë që ajo të shpëtohet dhe pastaj përsosja bëhet në rrugëtim e sipër pasi ajo në brendi e ka lënë të mundur të funkjonojë ai mekanizëm, pra të përmirësimit të saj.
    Ke një fiksim me ideologjinë islame, që unë mendoj është një pengesë për përparim, pasi është shumë empirike, e poshtëron humanizmin para disa fiksimeve paranojake që s’të çojnë kurkund.
    Europa është ajo që ka qasur dhe ka mirpritur me miliona myslimanë të “armatosur” me dogmë dhe paranojë me tolerancë zero, mëgjithë një mijë problemeve, dhe prapë është ajo që s’tundet nga humanizmi.
    Kristianizmi dhe më shumë myslymanizmi, thotë Erich Fromm hyn tek fetë autoritare, dhe veç të tjerave të këqia që mbartin, ato bëhen të rezikshme se atrofizojnë mëndjen njerëzore duke i hequr aftësinë të mendojë i pavarur larg kufizimeve dogmatike, duke u bërë kështë forcë regresive.
    Bota sot po e brektis religjionin duke e lenë atë vetëm në rol simbolik, duke respektuar ata njerëz që ende besojnë në përalla, duke qënë e qartë se religjioni është një sajesë e subkoshiencës njerëzore bazuar në frikën, paditurinë dhe pamundësinë.
    Mosha ndoshta po bën të vetën!
    Të përshëndes.

  3. katarakti says:

    Fantastike i nderuar Rexhep. Edhe mua kjo letra e ketyre intelektualeve nuk me la nje shije te mire. Dhe per kete shkruajta edhe nje koment ne te njejten dite. Europa qe mbrojne keta intelektualet eshte Europa e kapitalit te madh, e globalizmit pa kombe dhe shtete, e transferimit te teknologjive dhe industrise atje ku kapitali nxjerr me shume fitime, pa menduar per demin ekonomik qe i shkaktojne popujve te tyre. Me nje fjale e berjes se botes çorap. Keta intelektuale nuk merren me shkaqet se perse kjo Europe e ka humbur shkelqimin e saj, por merren me pasojat. Ishte shkaperderdhja e demokracise ne Gjermani qe solli ardhjen ne pushtet te Hitlerit. Te gjitha ato qe thote Qosja jane te sakta dhe te verteta. Nuk ka asnje lloj pendimi dhe reflektimi ne letren e ketyre intelektualeve per anashkalimin e popujve, per sundimin arrogant te elitave etj etj.

    1. Lini says:

      E mire per Shqiperine do te thuash?
      Pa dyshim qe per ne eshte e mire….te tjerat jane brockulla.

  4. Ideal says:

    Profesor, ju flisni per atdhetare evropiane ne paragrafin e dyte. Pas paradoksit qe permban ky togfjalesh nuk mund te lexoja me tej.

  5. Nik says:

    Kam kèrkuar gjithmon ti afrohem sadopak ideve dhe kèshillave tè prof,,, por rrall her pajtohem .Zotèri ju mendoni se europa ka forcèn tè ndèrhyj nè lindjen e mesme karshi amerikès dhe rusis?Ju si i dashuruar mbas lindjes sè mesme mos harroni se emigracioni i vendeve arabe ishte ai qè pèrmbysi rezultatin e zgjedhjeve nè ish( gjermanin lindore),holanda,austria,itali etj etj .Nuk e kam iden se si kèta 30 shkrimtar do tè parandalonin luftèn nè irak,siri,libi sepse janè kèto shtete konseguenca e emigracionit nè shtete ku lindi populizmi e sovranizmi plus tè shtojm edhe plehrat islamike qè shpèrthyen me bomba nè angli,spanjè,gjermani,francè.Shkrimtarèt me anèn e peticionit reagojn ndaj sovranistève dhe shpresojm qè zoti ndihmoft europèn e bashkuar nè zgjedhjet e Majit nè tè kundèrt do tè kemi probleme mjaft serioze si komb dhe europa.

  6. Shefqet Cela says:

    ESHTE FAT PER KOMBIN TONE QE KA NJE INTELEKTUAL TE TILLE.
    NUK KA SHUME “DEKORATA” SI NDOKUSH TJETER, POR E NDERON VEPRA E TIJE KETE VAZHDUES TE RILINDASVE TE KOMBIT TONE.
    KETE QE LEXOVA KESAJ RADHE E KONSIDEROJ NJE PAMFLET KULTUROR E POLITIK TE SHKRUAR, SI GJITHMONE ME NJE LIGJERIN TE PASTER.
    RRESPEKTE!

    1. Lini says:

      Ka harruar te marr ilacet me sa duket.Brockulla pa vlere dhe sia vershellen njeri sec derdellit…te pakten nga ata qe e kane nenshkruar,sepse Evropa nuk e njeh kete inatci te pavlere…

  7. A.G. says:

    Profesor Qosja mbetet i Nderuar sepse ne momentet kyce te Kosoves ka luajtur rol te rendesishem dhe shume pozitiv. Kjo nuk i duhet harruar kurre.
    Por qendrimet e tij te koheve te fundit nuk mund te te mos lene nje shije zhgenjimi.
    A mund te akuzohet elita intelektuale europiane per vonese dhe per neglizhence?
    Mbase, por problemi kryesor nuk eshte neglizhenca, eshte pasiguria ekonomike dhe politike qe kane kapluar Europen per nje kohe te gjate tashme. Dhe kur eshte i nevojshem nje reagim kunder neofashizmit nuk e ka njeri luksin te rrije e te ngreje pyetje filozofike te tipit “Ku ishit ju kur…?”.

    Sa per nderhyrjet ushtarake te Europes ne Lindjen e Mesme apo vende te tjera, me vjen keq por ky eshte kapitalizmi. Zinxhiri ekonomik funksionon sipas rregullave te zinxhirit ushqimor.

  8. Bujar Kanapari says:

    Per fatin e keq, keto probleme qe ngre profesori, jane qe te gjitha te verteta.
    Aq te verteta jane, saqe mua me duket se Europa e vitit 1913, duhet te kete qene me emancipuese se Europa e vitit 2019!!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje