INTERVISTA/ Flet drejtori i ABI Bank, Andi Ballta: Bankat janë pasaporta më krenare e Shqipërisë. ABI Bank, investimi më i madh i SHBA në Shqipëri

Në intervistën e tij për gazetën TemA zoti Ballta shpjegon se si Fondi prestigjioz i investimeve NCH me qendër në New York u vendos në Shqipëri në vitin 2008 dhe si përparoi në investime në rajon deri në blerjen e dy bankave të nivelit të dytë në Shqipëri. Ai flet dhe për lajmet e rreme rreth Bankës sulmet me natyrë politike dhe shprehet optimistë për të ardhmen e sistemit bankar në Shqipëri.

Ai ka folur për aktivitetin e këtij institucioni financiar që ka arritur të fuqizohet në tregun bankar në vend.

Ballta thekson se Abi Bank është investimi më i madh amerikan në Shqipëri, ndërkohë që flet edhe për rolin e zonjës Linda Rama, e cila ka qenë anëtare e Bordit të këtij institucioni….

Andi Ballta ka një eksperiencë të gjatë në sektorin bankar në SHBA dhe Evropë. Z. Ballta, që nga 2008, është një ndër Menaxherët në drejtim të NCH Capital Inc., një shoqëri investimesh private me qendër në Neë York.

Deri në 2014 ai ishte përfaqësues i NCH Capital Inc. për mundësitë investuese në Shqipëri, Bosnjë, Kroaci, Maqedoni, Greqi, Kosovë dhe Mali i Zi. 

Gjatë kësaj kohe Z. Ballta drejtoi blerjen dhe menaxhoi një portofol rajonal të pronave në bregdetin Grek apo atë të Ballkanit Perëndimor për zhvillime turistike. Në korrik 2014, fokusi i tij kryesor u zhvendos drejt menaxhimit dhe rritjes së Tranzit Finance Sh.p.k. e cila është shoqëri e krijuar nga fondet e NCH Capital Inc., me qëllim blerjen, mbledhjen dhe financimin e portofolit të borxheve.

Në 2015, pas blerjes së Crédit Agricole Shqipëri Sh.A. nga Tranzit Finance ShPK, Z. Ballta u bë drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv i Bankës Amerikane të Investimeve Sh.A.

Z. Ballta, përpara se t’i bashkohej NCH Capital Inc., punoi për shtatë vjet në Israel Discount Bank në Neë York dhe Miami si Zv. President i lartë – Drejtues i Financimeve në Sindikatë dhe të Sponsorizuara. Në këtë pozicion, ai menaxhoi një ekip të blerjes së kredive me interes të lartë, biznese ndihmës, strukturime, vlerësim të kredive dhe tregtim në tregun primar dhe sekondar. Në mesin e viteve 1990 në Shqipëri, Z. Ballta ka asistuar ndërmarrje te vogla dhe të mesme në procesin e privatizimit dhe në lehtësimin e investimeve direkte në vend.

ABI Bank është përmendur në kontekste sulmesh politike shpesh gjatë dy viteve të fundit në disa media në Shqipëri. Pse mendoni se ka ndodhur kjo?

ABI Bank është investimi më i madh amerikan i të gjitha kohërave në Shqipëri dhe NCH Capital është një nga investitorët e huaj më të rëndësishëm në rajon dhe më gjerë. Është për të ardhur keq që pasionet politike nuk kursejnë as sektorë sensitivë si ai bankar, apo investitorë të kalibrit ndërkombëtar si NCH Capital.

Për mëse dy vjet, ABI Bank është bërë objekt i lajmeve të rreme të motivuara nga qëllime politike, konkurrencës së pandershme apo gjobaxhinjve të rëndomte mediatikë. ABI Bank deri tani nuk u është përgjigjur lajmeve të tilla të rreme me trillime absurde, për të ruajtur dinjitetin e sistemit bankar, klientelës dhe punonjësve.

Ne vlerësojmë shumë pozicionin korrekt të mediave kryesore, të cilët gjithashtu kanë ruajtur dinjitetin e sistemit bankar. Mbi të gjitha, punën e mbi 500 punonjësve të familjes ABI, që kanë fituar besimin e klientëve të ABI Bank. Ne vazhdojmë të rritemi pavarësisht lajmeve të rreme. Është interesante se sa herë ka tensione politike apo lëvizje në tregun bankar, makineria e lajmeve të rreme riciklon akuza e trillime që janë sa të papërgjegjeshme aq edhe të dëmshme për sistemin bankar në Shqipëri.

Fatmirësisht, ABI Bank ka gjithë likuiditetin dhe kapitalin e nevojshëm, mbështetjen e aksionerëve dhe punonjësve, si dhe besimin e klientëve të vazhdojë të kontribuojë në përmirësimin e sistemit bankar.

Ne kemi filluar të investojmë në Shqipëri prej 12 vjetësh dhe kemi treguar durim dhe largpamësi në strategjinë e investimit. 

Kur thoni investim amerikan i referoheni Fondit të investimeve NCH, apo nënkuptoni që ABI Bank është një bankë amerikane?

Banka Amerikane e Investimeve është 100% e zotëruar nga fonde apo individë amerikanë. Për të shmangur cdo keqinterpretim: Ne nuk jemi bankë në Amerikë por bankë e investitorëve të mirënjohur amerikanë në Shqipëri. NCH Capital është me qendër në Nju Jork dhe ka pothuaj 30 vjet eksperiencë investimi global.

NCH Capital nuk ka patur kurrë asnjë pjesëmarrje kapitali rus, apo të ndonjë kombësie tjetër në strukturën e aksionerëve të ABI Bank. NCH thjesht ka investuar kapital tërësisht Amerikan në Rusi dhe në Europën Lindore. Gjithashtu të gjithë aksionerët e ABI Bank janë të listuar publikisht dhe të aprovuar sipas të gjitha rregullave nga autoritetet rregullatore shqiptare që në vitin 2010.

Është shumë e thjeshtë të shihet informacioni rreth NCH apo ABI Bank në faqen e internetit të U.S. Securities and Exchange Commission (SEC) apo të Qendrës Kombëtare të Regjistrimit.

Mjafton të vizitohet dhe faqja e ABI Bank (abi.al) apo facebook për të parë mbështetjen e vazhdueshme të autoriteteve Amerikane në Shqipëri apo Dhomës Tregtare Amerikane, të cilët i falënderojmë për këtë mbështetje.

Pse quhet bankë amerikane kur është e regjistruar offshore?

Regjistrimi offshore nuk ka të bëjë me vendodhjen e investitorëve. Një investitor amerikan mund të regjistrohet në një vend ku sistemi i taksave është më i favorshem. Kjo mund të jetë offshore (Cayman) apo në Holandë, Irlandë, ose në Nebraska.

Shumë nga kompanitë apo institucionet financiare më të njohura regjistrohen në vende ku taksat janë më të ulëta. Nuk ka asgjë ilegale apo të parregullt si në legjislacionin Shqiptar apo dhe atë ndërkombëtar me regjistrimin offshore të investitorëve në momentin kur investitorët janë të deklaruar.

E gjithë lista e investitorëve të ABI Bank është e deklaruar në rregullatorët shqiptarë sipas të gjitha rregullave, në kohë të ndryshme dhe sa herë është kërkuar. Investitorët e fondeve të NCH Capital janë fonde pensionesh nga më të njohurat dhe të medhatë në Amerikë, fonde të universiteteve më të famshëm ne Amerikë dhe gjithashtu entitete financiare nga më prestigjozet.

E njëjta strukturë aksionere është përdorur nga NCH Capital, si aksioneri kryesor i ABI Bank, për të regjistruar bankat qe sot ka në pronësi ne Rumani (Libra Bank), Ukraine (Agroprosperis Bank) dhe Moldavi. Është hera e parë që ne përballemi me një situatë ku vihet në pyetje origjina e fondeve të NCH. Për shembull ne Banken e NCH Capital në Ukraine një nga investitorët e fondeve të investimit te NCH është Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH apo EBRD). EBRD ka dhënë dy kredi dhe ka investuar si partner për 145 milionë euro në nje projekt ku NCH ka investuar 2 miliardë dollarë në fushën e agrobiznesit dhe financës në Ukrainë. Të gjitha këto të dhëna janë në dokumentë zyrtare dhe informacioni është publik dhe lehtësisht i verifikueshëm. Përmendja e regjistrimit offshore nga media të ndryshme është një keqpërdorim dhe keqinformim i një menaxhimi fiskal/taksash shumë standard me të gjitha rregullat lokale shqiptare apo ndërkombëtare, përfshi dhe rregullat shume strikte të SEC (Autoriteti Mbikqyrës në SHBA). Vetë qeveritë Shqiptare herë pas here kanë promovuar “zona të lira” apo “rregjime tax holidays” që mundësojne të njëjtat lehtesi fiskale si offshore.

Si e thashe më sipër, investitorët dhe fondet e NCH janë fonde pensioni nga më të njohurit në SHBA, dhe fondet private të universiteteve më të njohura në SHBA.

A ka patur ndonjëherë probleme ABI Bank me politikat e pastrimit të parave?

Absolutisht asnjëherë! ABI Bank ka patur disa auditime që nga blerja e bankës Credit Agricole dhe asnjëherë nuk ka patur asnjë problem me politikat e mbrojtjes ndaj pastrimit të parave.

Përkundrazi, ne jemi shumë krenarë për vlerësimin e lartë të të gjithë auditimeve. Vleresojmë dhe falënderojmë shpjegimet e plota dhe të qarta të Bankës së Shqipërisë ku informacioni rreth ABI Bank është i plotë dhe i përditësuar.

A ka zvogeluar ABI Bank kapitalin?

Kapitali i ABI Bank nuk është zvogëluar asnjëherë në asnjë moment. Perkundrazi vecse është rritur si pasojë e fitimeve (edhe ky informacion i rritjes është i plote dhe publik në Qendren Kombëtare të Regjistrimit). Informacioni i raportuar në menyrë dashakeqëse në disa media lidhet jo me zvogëlimin por vetem me netimin e kapitalit fillestar të paguar me humbjet e akumuluara përpara blerjes së bankës Credit Agricole Albania nga ABI Bank. Pra kapitali fillestar i bankës përpara blerjes nga ABI u netua me humbjet e periudhës po përpara blerjes nga ABI.

Ky netim tërësisht teknik i kapitalit fillestar të paguar nuk ka të bëjë fare me ABI Bank dhe u krye për të identifikuar rezultatet e shkëlqyera gjatë manaxhimit të ABI Bank pas një periudhe tre vjecare ku kapitali vetëm është rritur. Nga ana kontabël, ky veprim nuk ka asnjë efekt në totalin e kapitalit të bankës. Si u tha më sipër, totali i kapitalit të bankës që nga koha e blerjes në Tetor 2015 është rritur me milarda lekë si pasojë e fitimeve gjatë vitit 2016, 2017 dhe 2018.  Theksojmë që ky veprim kontabël është standard, teknik, fare i zakonshëm dhe krejt i parëndësishëm dhe për më tepër me aprovimin paraprak të Bankës së Shqipërisë.

ABI Bank sot është një nga bankat më likuide dhe me kapital shumë të lartë, si rrjedhojë e rezultateve pozitive në tre vitet e fundit. Cdokush mund të pyesë dhe të marrë informacion tek Banka e Shqipërisë, Shoqata e Bankave apo burime të tjera publike, të pavarura dhe transparente. Ne jemi shume të ndërgjegjshëm për korrektesën në dhënien e këtij informacioni nga kushdo që është interesuar të pyesë dhe vlerësojmë komentet e plota dhe korrekte publike apo dhe private të Bankës së Shqipërisë dhe enteve të sipërpërmendura që janë prononcuar në mënyre të plotë sa herë janë pyetur.

A është apo ka qenë ndonjëherë Linda Rama aksionere?

Linda Rama nuk ka qenë asnjëherë dhe nuk është aksionere apo zotëruese opsionesh të ABI Bank. Linda Rama ka qenë një anëtare e pavarur e Bordit ku ka dhënë kontributin profesional me kompetencë dhe aftësi shumë të admirueshme.

Pse u largua Linda Rama nga Bordi i ABI Bank?

Zonja Rama ka qenë për tre vjet në Bordin e ABI Bank. Arsyeja pse Linda u ftua në Bord është për aftësite e saj profesionale, njohjes time profesionale me të që në 1993, të qenurit një zonjë me reputacion të padiskutueshëm, dhe nivelit të lartë të sofistikimit që një investitor i sofistikuar si NCH kërkon të ketë në Bordin e tij. Largimi i saj nga Bordi është sipas standarteve dhe praktikave të institucioneve financiare të rikompozimit të Këshillit Drejtues. Zonja Rama është një nga dy anëtarët që do të zëvendësohen nga dy profesionistë të shkelqyer Amerikanë me eksperience të gjate në fushën e bankës dhe financës. Në kuadrin e një periudhe në Bord prej tre vjetësh dhe bashkimit të ABI me NBG është normale një rifreskim i Bordit.  Ne jemi në proces të aprovimit të dy kandidatëve të rinj. Cështja e përbërjes së Bordit për ne ka qëne dhe është shumë e qartë, transparente dhe tashmë është e mbikonsumuar për mëse dy vjet. Personalisht jam ndjerë thellësisht i trishtuar nga sulmi që i është bërë një femre dhe profesioniste karriere si zonja Rama.  Gjithsesi, zonja Rama nuk është më anëtare e Bordit të ABI Bank dhe mbase ka ardhur koha që kjo temë e mbikonsumuar të mbyllet.

Zoti Rama tha se ka patur shqetësim nga Autoritetet Amerikane?

Ajo që mund të themi ne, është që shqetësimi kryesor i përfaqësuesve të Shtetit Amerikan në Shqipëri është te detyra e të gjithe institucioneve dhe individëve për të mbrojtur dhe stimuluar të gjithë investitorët e huaj dhe sigurisht ata amerikanë. Amerika është miku më i mirë i Shqipërisë në 100 vjetet e fundit.

Nje invesititor amerikan është një gjë shumë e mirë për Shqipërinë dhe sistemin bankar. Roli i ABI në sistemin bankar ka qenë vetëm pozitiv sidomos në përmirësimin e rezultateve të bankave me performance të dobët dhe uljen e kredive të këqija. Kur ne blemë Credit Agricole, niveli i kredive të keqija të bankës ishte pothuaj 40%. Në dy vjet ne e ulëm këtë tregues në 4%. Këto rezultate janë edhe në sajë të punës, mbështetjes dhe kulturës amerikane të të bërit biznes.

Ka pasur sulme, të fundit kryesisht nga zonja Kryemadhi, lidhur me mënyrën se si është licensuar Banka. Ajo në fakt thotë se duhet ta sqarojë Banka e Shqipërisë…të njëjtin shqetësim si zonja Tabaku para disa kohësh.

Nuk dua të hyj në emra të përveçëm politikanësh. Gjithsesi mënyra se si është licensuar banka është shpjeguar nga Guvernatori Sejko në Parlament dhe Guvernatori në mënyrë të plotë dhe korrekte ka sqaruar se ABI Bank ka hyrë në treg duke blerë një bankë të vogël të nivelit të dytë dhe pastaj jemi rritur sipas gjithë procedurave dhe rregullave të transparencës që monitorohen nga Banka e Shqipërisë përfshi të gjitha detajet në strukturen aksionere dhe origjinën e fondeve apo investitorët. 

Politika ka shpesh objektivat e veta dhe strategjitë e veta për t’u bërë popullore, por mendoj investitorë të huaj dhe ndërkombëtarë dhe sektorë sensitivë si ai bankar duhet të mbahen jashtë politikës.

E përsëris që ABI Bank nuk ka asnjë axhendë apo preferencë politike institucionale. Punonjësit dhe klientët e ABI Bank janë simpatizantë apo anëtarë të partive të ndryshme dhe është momenti qe sistemi bankar të lihet jashtë sulmeve politike.

A janë të informuar aksionerët kryesor në New York për këtë situatë?

Natyrisht që po. Ka një habi dhe bezdisje pasi është joserioze që në një vend mik të SHBA, i vetmi objektiv sulmi i disa poltikanëve mbetet banka amerikane që as nuk ka dhe as nuk ka patur ndonjë axhendë politike. Ne gjithmonë mbështesim bashki të ndryshme (Gjirokastër apo Shkodër) ku drejtuesit lokalë janë të partive të ndryshme.

Unë do të dëshiroja që politika të mbronte dhe një biznes të vogël, e jo më një bankë, dhe ne për shumë kohe kemi zgjedhur të mos pergjigjemi për të ruajtur dinjitetin e bankës dhe sistemit bankar. Nuk është se sulmet kanë prekur Bankën apo veprimtarinë e saj, por kanë tërhequr vemendje negative te investitorët e huaj dhe kanë shqetësuar autoritet amerikane që ndjekin ecurinë e bizneseve amerikane në Shqipëri.

Si e shikoni të ardhmen e tregut bankar. A është transparent, dhe a shikoni kriza në horizont?

Mendoj se sistemi bankar është një nga tregjet më të stabilizuara në Shqipëri dhe më modernët. Është një treg i rregulluar mirë dhe mendoj se zoti Fullani, e më pas zoti Sejko kanë treguar seriozitet në ruajtjen e sistemit. Sistemi bankar eshtë më seriozi, me punonjësit më të kualifikuar dhe me strukturat më transparente. Kemi banka me plot likuiditet dhe operatorë vendas të suksesshëm.

ABI Bank sapo përfundoi një kontroll nga Banka Qendrore, ndërkohë që dhe banka të tjera janë futur në një program kontrolli nga Autoriteti i Konkurencës që nuk e shikoj si dukuri negative siç po e paraqesin. Kontrollet janë detyrim procedurial dhe besoj se tregu i bankave tona është më i miri në rajon. Të mos harrojmë se sistemi bankar në Shqipëri nuk mori asnjë ndihmesë gjatë dhe pas krizës financiare si shumë vende të tjera. Shqipëria mund të mburret lirshëm me këtë gjë. Bankat janë pasaporta më krenare e Shqipërisë për momentin.

Ku qëndron fuqia e tregut bankar në Shqipëri?

Bankat besojnë tek shqiptarët dhe shqiptarët besojnë tek bankat. Një faktor i fortë janë emigrantët tanë në Itali dhe Greqi. Tregu fqinj me Shqipërinë ka interesa të ndryshme nga tregu bankar në Shqipëri dhe ne në këtë pikë jemi të favorizuar pasi shumë emigrantë i depozitojnë paratë në Shqipëri si më të sigurta. Biznesi po ashtu është shumë familjar me bankat dhe të punuarit përmes bankës. Thjesht është një shoqëri që i do bankat, i pranon ato dhe beson tek ato. Dhe kjo e bën një treg të sigurt. Bankat e nivelit të dytë kanë sot një nivel të lartë depozitash dhe janë duke eksploruar ku të investojnë. Kjo është shenjë vitaliteti e tyre.

A do të tentoni të bleni banka të tjera të huaja nëse shiten?

Natyrisht që jemi të hapur për të rritur prezencën tonë në tregun bankar shqiptar. Ne jemi këtu për t’u rritur dhe për ta bërë sistemin të konkurrueshëm, të sigurt, dhe të dobishëm për shoqërinë. Dua të theksoj se ne e shikojmë si një fenomen pozitiv zgjerimin e bankave me kapital Shqiptar dhe në perputhje me trendet historike të vendeve me sisteme bankare më të zhvilluara.

Intervistoi Ylli Pata, gazeta TemA

Bordi: ja kush janë anëtarët e Këshillit të ABI Bank

Këshilli Drejtues i ABI Bank në Shqipëri përbëhet nga top menaxherë të njohur ndërkombëtarë në fushën e institucioneve bankare dhe të investimeve. ABI Bank drejtohet nga një grua, që është personalitet në fushën e saj në SHBA dhe Perëndim, me eksperiencë të gjerë, ndërkohë që si anëtarë ka emra prestigjozë jo vetëm të fushës bankare por edhe të biznesit ndërkombëtar. Pjesëtarët e Bordit janë shqiptarë por edhe profesionistë të njohur nga SHBA dhe Gjermania.

Kathryn Swintek

Kathryn Swintek, është kreu i Këshillit Drejtues. Ajo është një menaxhere dhe drejtuese me eksperiencë ndërkombëtare në institucionet financiare.

Ajo është Partnere Drejtuese dhe anëtare e Komitetit të Investimeve në Fondin Golden Seeds 2, fond ky që investon në kompani të sapothemeluara në SHBA te cilat drejtohen nga gra dhe operojnë në fushën e kujdesit shëndetësor, teknologjisë, SaaS dhe sektorit konsumator e-commerce.

Znj. Swintek është gjithashtu drejtuese në disa shoqëri: Strata Skin Sciences, (Kryetare e Komitetit të Kontrollit), në shoqërinë Turtle & Hughes, (Kryetare e Komitetit të Kontrollit), Open Road Integrated Media, Oculogica dhe Bergen Medical Products. Swintek ka qenë Drejtuese e shoqërisë C200 dhe e Forumit të Gruas në New York si edhe administratore në Kolegjin e Mt. St.Vincent.

Znj. Swintek ka qenë drejtuese e lartë ekzekutive në sektorin e investimeve bankare në një nga grupet më të mëdha bankare ndërkombëtare, BNP Paribas, në New York dhe Londër. Gjatë eksperiencës 20 vjeçare me këtë grup, ajo ka mbuluar pozicione të larta drejtuese në disa njësi, duke perfshirë pozicionin e Drejtueses Ndërkombëtare në njësinë e High Yield Bonds, Drejtuese e njësisë së Strukturimeve Financiare në SHBA, Drejtuese në njësinë për Amerikën Veriore në Leveraged Finance dhe bashkë-drejtuese në njësinë ndërkombëtare të Sponsor Coverage. 

Përpara BNP Paribas, ajo ka punuar në shoqërinë Irving Trust (sot BNY Mellon) si Oficere Bankare në njësinë e Lindjes së Mesme dhe Afrikës, përfaqësuese për Francën me qendër në Paris, si dhe Zv. Presidente e Lartë dhe Drejtore e Divizionit të Financave të Blerjeve.

Znj. Swintek është diplomuar për Ekonomi në Kolegjin e MT. St. Vincent dhe ka një Master në Administrim Biznesi në Financë nga Universiteti i New York. Zotëron frëngjishten dhe ka shtetësi të dyfishtë, amerikane dhe franceze.

Rezzo Schlauch

Rezzo Schlauch është një politikan i shquar në Gjermani dhe jashtë vendit.

Z. Schlauch është i angazhuar në këshillin mbikëqyrës dhe është këshillues i disa kompanive dhe agjencive ndërkombëtare, si p.sh. INSPAT (Agjencia Turke e Mbështetjes së Investimeve dhe Promovimit), Deloitte & Touche GmbH, Cortent Kommunikation AG, MWI AG, KWA Contracting AG, DMK Deutsches Milchkontor GmbH, Concilius AG dhe Manda Panda Trade & Consult GmbH etj.

Si anëtar i Partisë së Gjelbër që prej vitit 1980, Z. Schlauch u zgjodh në Dhomën e Ulët të Parlamentit Gjerman. Në fillim të koalicionit të parë të kuq/të gjelbër në vjeshtën e vitit 1998, ai ishte kryetari i grupit të Gjelbër deri në vitin 2002. Në legjislaturën e tij të dytë deri në tetor të vitit 2005, ai ishte Sekretar Shteti i Parlamentit. Që prej Dhjetorit 2005, Z. Schlauch ka bashkëpunuar dhe është aktualisht partner në firmën ligjore ndërkombëtare Mayer & Kambli në Munih.

Z. Schlauch ka filluar studimet në Universitetin e Heidelberg ne vitin 1968 dhe ka filluar të ushtrojë profesionin e avokatit që në vitin 1975.

Mark Crawford

Mark Crawford është marrë prej dy dekadash me sipërmarrje dhe menaxhim. Ai është angazhuar me kompani të shumta financuese, ku përfshihen tre banka në zhvillim, një firmë ndërkombëtare broker dhe disa institucione financiare jo-bankë. Z.Crawford është Administratori i Fondit Shqiptaro-Amerikan, i cili është autorizuar nga Akti i Kongresit, nën presidencën e George H.W. Bush, dhe më vonë i asimiluar nën presidencën Clinton. 

Z. Crawford ka qenë partner me BDO audit & advisory. Ai është aktualisht në Bordin Këshillues të një kompanie kanadeze publike që merret me burimet natyrore.

Z. Crawford gjithashtu ka dhënë leksione në universitete në dy kontinente. Ai ka punuar vullnetarisht me stafin e Departamentit të Thesarit të SHBA në një studim mbi tregjet e kapitalit në Kosovë dhe aktualisht punon vullnetarisht pranë Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, si President Pro-Bono i Këshillit Drejtues të Dhomës Amerikane të Tregtisë. Gjithashtu, Z. Crawford është Kryetar vullnetar i një filiali ndërkombëtar të Campus Crusade for Christ.

Z. Crawford është aktualisht Zv. Presidenti Global për Çështjet Legjislative për Republikanët jashtë vendit. Ai është qytetar amerikan, lindur në Kaliforni, rritur dhe banor në Ohio. Z. Crawford është diplomuar nga Miami University (Ohio) dhe ka marrë një diplomë Master nga University College London në Mbretërinë e Bashkuar. Gjuha amtare e Mark Crawford është anglishtja, flet shumë mirë gjuhën shqipe dhe pak atë serbe, malazeze dhe greke.

Armand Muharremi

Armand Muharremi, aktualisht Drejtor i Divizionit të Financës së Bankës ka një eksperiencë të gjerë në sektorin bankar, të taksave dhe të auditit.

Z. Muharremi filloi karrierën e tij me KPMG Shqipëri si auditor, dhe shumë shpejt u promovua si Supervizor i Auditit. Ai vazhdoi karrierën e tij në Auditim në bankën Societe Generale Shqipëri Sh.A. në vitin 2004 në pozicionin e Drejtuesit të Kontrollit të Brendshëm dhe më vonë Drejtues në Divizionin e Financës.

Z. Muharremi vijoi karrierën e tij në Audit dhe Financë me Ernst & Jung (2009 – 2011) dhe me Crédit Agricole Shqipëri Sh.A. që prej vitit 2011 si Drejtor i Divizionit të Financës. Eksperienca e tij e gjatë në sistemin bankar në Shqipëri është një avantazh i madh për bankën. Z. Muharremi është diplomuar nga Universiteti i Tiranës, për Menaxhim Biznesi në vitin 1998.

Profili i NCH Capital, aksioneri kryesor i ABI Bank

Që nga krijimi i tij në vitin 1993, NCH Capital që është grupi themelues i ABI Bank, ka formuar njëzet e pesë fonde që synojnë kthimin në efikasitet të kompanive që operojnë në tregjet e varfra të kapitalit.  Duke hartuar strategji të qarta në bazë të mundësive në tregjet vendore, këto fonde kanë operuar nëpërmjet investimeve në pasuri të paluajtshme, agrobiznesit, si në tregun privat ashtu edhe në tregun e letrave me vlerë të kuotuara publikisht.

Sot, gati gjysma e aktivitetit të grupit është e angazhuar në bujqësi, kryesisht në Ukrainë dhe Rusi, duke e bërë NCH një nga operatorët më të mëdhenj të fermave në botë. Në vitin 2010 është marrë një vendim strategjik për të zgjeruar vizionin sipërmarrës me hapjen e një dege në Brazil për të mbuluar mundësitë e investimeve në Amerikën Latine.

NCH ka një shtrirje në tregjet në zhvillim në disa vende të botës. NCH Capital menaxhon rreth 3 miliard dollarë kapital nëpërmjet një rrjeti prej nëntë zyrave në Evropën Lindore, Rusi dhe Brazil, me një staf profesional prej rreth 150 personash. Krerët e zyrave kanë eksperiencë të gjerë investuese, menaxheriale, teknike, analitike, financiare dhe ligjore në tregjet e tyre përkatëse, dhe shumica janë themelues të NCH.

Ekipi i NCH

George Rohr

George Rohr ka nisur të investonte në tregjet e Europës Lindore dhe Rusi menjëherë pas rënies së Bashkimit Sovjetik. Ai dhe Moris Tabacinic ishin ndër pjesëmarrësit më të hershëm perëndimorë në këtë zonë. Ata themeluan NCH Capital në vitin 1993.

Aktiviteti i z. Rohr në Europën Lindore, nisi pikërisht si përfaqësues i medias ndërkombëtare në Rusi në vitin 1991. Ai filloi karrierën e tij në Newsweek, Inc. në vitin 1978 si Drejtor i Projekteve Speciale. Më pas themeloi një kompani botuese mjekësore që ai shiti në vitin 1986 dhe më pas ngriti dy kompani të tjera të shërbimeve informative, të cilat të dyja u shitën më pas kompanive të mëdha të shërbimeve informative në Amerikën e Veriut. 

Z. Rohr është diplomuar në Ekonomi nga Kolegji i Harvardit dhe ka një mastër nga Business School po në Harvard.

Moris Tabacinic

Moris Tabacinic ka qenë një investitor aktiv në Rusi dhe në Evropën Lindore për më shumë se gjashtëmbëdhjetë vjet. Nga viti 1976 deri në vitin 1991, ai udhëhoqi një sërë zhvillimesh të suksesshme të tregut të pasurive të paluajtshme. Ai ishte përgjegjës për menaxhimin e një biznesi familjar të prodhimit të veshjeve. Pas rënies së Bashkimit Sovjetik më 1991, Z. Tabacinic u përfshi në investimet në Europën Lindore dhe Rusi.

Ai dhe Z. Rohr ishin ndër pjesëmarrësit më të hershëm perëndimorë në privatizimet që nisën në hapësirat e ish-Bashkimit Sovjetik. Ata themeluan NCH në vitin 1993.

Z. Tabacinic është diplimuar për Inxhinieri Industriale nga Instituti Politeknik Worchester. Tabacinic dhe Rohr janë kunetër.

REMOTE_ADDR:[]