SHENIM: Sulm ndaj investimeve amerikane në Shqipëri, apo shpresë se destabilizimi mund të vijë prej bankave?

2 Shkurt 2019, 20:19Ekonomia TEMA
SHENIM: Sulm ndaj investimeve amerikane në Shqipëri, apo shpresë

Prej gati dy vjetësh investimi më i madh amerikan në Shqipëri, ABI Bank, është në qendër të sulmeve politike dhe disa mediave minore afër opozitës.

Sulmi ka qenë konstant, kurse arsyetimi i tyre i ndryshëm.

Në të gjitha rastet, sulmi ka qenë i lidhur me faktorë opozitarë, Sali Berisha, Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi, sa i përket vijës politike.

Në fillim është sulmuar se në Bordin Mbikqyrës të Bankës ka qenë Linda Rama, si profesioniste e fushës.

Kjo ka bërë që opozita të agresojë Bankën Amerikane të Investimeve, si e lidhur me qeverinë, si pastruese parash, si e dyshimtë në pronësi etj.

Banka nuk është përgjigjur asnjëherë, duke e konsideruar këtë një luftë politike të pistë në terrenin shqiptar.

Muajt e fundit, sulmet ndaj bankës u shtuan, nga të njëjtët aktorë.

Argumentat ishin të njëjtë. Në mënyrë të paprecedentë, presidenti i Republikës urdhëroi Bankën Qendrore dhe për një kontroll të ABI Bank, që përfundoi shpejt, pasi sapo ishte kontrolluar.

Përfshirja e gjithë aktorëve politikë opozitarë në këtë histori, duket se ka tentuar ta bëjë bankën, pjesë të luftës politike kundër qeverisë, por dhe një hakmarrje ndaj ish- ambasadorit amerikan Donald Lu, i cili i qëndroi Bankës në krah dhe ka pasur kontakte me autoritetet shqiptare në përkrahje të saj.

Problemet që opozita prodhoi me ambasadorin amerikan lidhur me reformën në drejtësi, duket se targetuan Bankën si një objekt sulmi, për shkak të mbrojtes që ai i bënte si investim amerikan.

Dhe arsyet e sulmeve janë diversifikuar me kohë.

Në fillim u akuza pse ishte zonja Rama në Bord, pastaj u akuzua se taksat i paguan në një offshore, pastaj pse po blen banka të tjera të nivelit të dytë, dhe në fund, zonja Kryemadhi ka shprehur shqetësimin dhe për aksionerët e saj, që në fakt është një nga fondet më të madhe amerikane të inevstimeve me seli në Nju Jork.

Drejtori i Abi Bank ka folur sot për herë të parë për gazetën TemA, duke shpjeguar me tone të qeta profilin e Bankës, i pashqetësuar nga sulmet politike, të cilat duket se po përdorin sulmet mbi një investim amerikan për t’u përfillur nga autoritet amerikane si faktorë, që dhe mund të dëmtojnë investimet amerikane në Shqipëri.

Nga ana tjetër është hera e parë në historinë e Shqipërisë që opozita angazhohet politikisht kundër një banke të suksesshme dhe tenton destablitetin politik përmes goditjes së sistemit bankar.

Në këtë kuadër, dhe amplifikimi i një kontrolli rutinë nga autoriteti i konkurrencës për katër banka të tjera të mëdha të nivelit të dytë, po paraqitet si konspiracion kundër sistemit bankar.

Ideja se duke goditur një bankë mund të bien të gjitha dhe vendi mund të futet në anarki, është një utopi.

Goditjet politike nuk e kanë prekur fare as ABI Bank, as sistemin bankar.

Kjo, më shumë se problemet e bankave, tregon problemet e opozitës dhe pafuqinë që kanë për të gjetur rrugën drejt pushtetit.

Lini një Përgjigje