“Të fshehtat e jorganit”

Nga Bedri Islami

Dy ditë më parë, në foltoren e Kuvendit, drejtuesja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, zonja Kryemadhi, nisi betejën me ministren e drejtësisë, betejë të cilën, deri më sot e kishte kursyer, pasi zonja Gjonaj na qenka një kushërirë e bashkëshortit të saj dhe e lidhur me rrethin familjar.

Tani, pasi prokuroria ka ndaluar disa ish punonjës në Ministrinë e Drejtësisë dhe po heton për dy ish ministra, përfaqësues të LSI-së, beteja u hap dhe krushqia apo kushërira u harrua. Nëse kjo lëvizje e LSI-së ka lidhje apo jo me proçesin që sapo ka filluar, kjo mund të merret lehtë me mend.

Një ditë më pas, gjërat shkuan edhe më tej: një deputete, Mehmetaj, shtroi disa pyetje për zonjën ministre, nga të cilat vetëm një lidhej me pozicionin e saj, pra me detyrën si ministre dhe, të tjerat, me bashkëshortin ministror, me histori që nuk janë të reja, por fillojnë që nga viti 2016. Deputetja shtoi më tej se të gjitha këto janë sa për të filluar, duke qenë e qartë se do të ketë edhe shumë pyetje të tjera.

Nuk e njoh as zonjën Gjoni dhe as bashkëshortin e saj. Dhe nuk besoj se do i njoh ndonjëherë. Nuk e di  as përse bëhet fjalë në të gjithë këtë histori, e cila filloi pas ngritjes së një akuze, të cilën as nuk e bën zonja ministre dhe as nuk mund ta fshehë ajo. Mundet që bashkëshorti i saj të jetë si e cilësoi zonja Kryemadhi ose të jetë krejt i pafaj; mundet që të jetë i pushuar nga puna dhe i kthyer përsëri. Kjo nuk i takon këtij shkrimi, por, në të vërtetë të trazon për diçka tjetër: për “bombat” dhe “granatat” politike që fillojnë të shpërthejnë sa herë që i duhet politikës dhe që futen me ciflat e tyre deri në shtratin bashkëshortor.

Kthehemi kështu tek njëra nga çështjet më serioze të funksionimit të politikës në vendin tonë: përpunimit të të dhënave dhe shfaqjes së tyre në një moment të caktuar, jo si dëshmi të së vërtetës, por për të fshehur atë dhe për t’u  shfaqur atëherë kur politikës i duhet dhe jo kur i duhet drejtësisë.

Nuk është thjeshtë praktikë e një force politike: është e të gjithave dhe është e shëmtuar tek të gjitha.

E mbani mend se si pas tragjedisë së Gërdecit, në mbledhjen e parlamentit, britmën e ish shefit të qeverisë kundër prokurorëve të çështjes, të cilët e morën me zell, por, pas presionit të Berishës, jo vetëm u tërhoqën nga çështja, por edhe u larguan nga prokuroria. Ata, sikur të kishin qenë të panjohur dhe të zbritur nga planeti Mars, befas u shpallën ish lakej të komunizmit, spiunë dhe bashkëpunëtorë, u gërmua në shtratin e tyre familjar, u nxorën se nga kishin ardhur dhe se çfarë bënin të afërmit e tyre. Drejtësia u mposht.

Pas kësaj goditje, deri në indet e familjes, askush nuk guxoi të thërriste, qoftë edhe për të larë gojën, djalin e ish shefit qeveritar, i cili, ende pa u numëruar të vdekurit, kishte biseduar me pronarin e fatkeqësisë minuta me radhë.

E mbani hakërrimën e Bashës ndaj të gjithë atyre gjyqtarëve dhe prokurorëve që duhej të merreshin me dosjen e tij dhe se si, një punë që kërkonte vetëm 15 minuta, dorëzimi i dosjes nga prokuroria e përgjithshme deri në prokurori, nuk u bë as për muaj me radhë dhe e gjitha u mbyll përmes një nocioni të panjohur deri më tani, “me procedurë”.

Berisha, pas 21 janarit nxori në llumin e tij gjithë banalitetet ndaj një zonje, si kryeprokurore e përgjithshme, Ina Rama, u fut deri në jetën e saj vetjake, gërmoi në imtësira për të gjetur se çfarë kishte ndodhur dhe, në fund, gjithçka mbylli , ashtu si deshi vetë. Askush nuk e thirri njeriun që kishte dhënë urdhër të vriten protestuesit e pafajshëm, në mesin e bulevardit. Berisha hapi dosjet e vjetra, të cilat i kishte dhe i ka ende në arkivën e tij.

Shefi i tashëm i qeverisë, po kështu. Prokurorët e dosjeve të nxehta të korrupsionit “ rilindas” ndjehen nën kërcënim, dhe, secili prej tyre, duke i ditur mëkatet e bëra në vite, nuk mund të marrë guximin të ndjekë deri në fund një dosje të nxehtë…

Përse politika e bën të gjithë këtë, pra, përse një fakt, një të vërtetë, një dosje, e mban të fshehtë dhe nuk e bën publike në kohën e duhur, nuk e denoncon krimin, ashtu si e di, në strukturat e drejtësisë; përse, kaq lehtësisht, ata krijojnë një sistem paralel dosjesh, ndëshkimesh, padish, pyetjesh, ritualesh, deri sa gjithçka përmbyset dhe mbi shtetin e të drejtës del shteti i politikës, e oligarkëve të politikës?

Ky shtet paralel dhe drejtësi paralele nuk ia përton të shpalosë edhe palët e jorganëve martesorë, të merret me krushkat dhe krushqit, me burrat dhe gratë, me vajzat dhe nuset; nuk ia përton të kërcënojë si në rastin e para dy ditëve ose kur “ u a bëj fytyrën si shollë këpucësh”, dhe, në fakt, pas shantazhit , kur nis edhe tërheqja, gjërat harrohen, zbuten, njerëzit kthehen përsëri në njohjet miqësore, në krushqi dhe lidhje familjare.

Në fakt, fshehja e të vërtetës është fshehje e krimit dhe deputetët si njerëzit ligjbërës duhet ta dinë këtë. Nëse ata nxjerrin nga thasët e tyre se çfarë ka ndodhur viteve nën jorganë, ndëshkimi i parë duhet të jetë për to. Sepse e kanë penguar drejtësinë, ia kanë mbyllur rrugët asaj.

Bisedoja një ditë me një deputet, mik të vjetër, për të cilin kisha dështuar se ka mjaft dosje për një figurë të njohur të politikës. I thashë me të qeshur se duhet t’i nxjerrë, kështu ai ndoshta ikën nga politika.

-Jo vetëm nga politika, më tha ai, por ikën krejt nga Shqipëria.

Mirë do të kishte qenë të shkonte secili aty ku e ka vendin dhe të fillonte një jetë ndryshe plurale.

REMOTE_ADDR:[]

2 komente në ““Të fshehtat e jorganit””

  1. TA says:

    vetem nga emri bedri islami? ky mund te shkruaje ne turqi,ose ne dhomat e sali berishes…………..

  2. Urra says:

    Si nuk keni turp:
    -Hoqet te gjitha komentet!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *