7-shkurti trukues i Armando Dukës!

10 Shkurt 2019, 12:15Sport TEMA

Nga Fatjon Baze

7-shkurti ka qëlluar që të jetë një ditë me fat për Armando Dukën. Pasi arriti që vitin e shkuar të fitonte në mënyrë hajdutëshe zgjedhjet për postin e presidentit të FSHF-së, pas një viti ai ia ka dale mbanë që në konkurimin e tij për herë të dytë të zërë një vend në Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s – me mënyrat e tij personale të të bërit fushatë.

Fitorja e tij është arritur në një garë ku vetëm garë nuk kishte, pasi nga 8 kandidatë vetëm njëri do të mbetej jashtë – kështu që triumfi i Dukës ishte i pritshëm jo për shkak të vlerave të tij por për mënyrën e zgjedhjeve të organizuara nga ana e Insitucionit të UEFA-s – ç’ka tregoi dhe njëherë lë vend në dyshimet e saj për besueshmërinë që ka ky si Institucion pas skandaleve të shumta që i kanë plasur.

Në këto zgjedhje futbolli shqiptar ishte një nga shembujt më negativ pasi Armando Duka që arriti të fitoi një post me metodat e tij trukuese- është i vetmi president Federate që futbollin që ai organizon në vendin e tij e ka të zhytur në skandale.

Ai në mënyrë hipokrite ngriti kartonin jeshil për miratimin e raportit vjetor të UEFA-s që një nga pikat kyçe kishte luftën kundër trukimeve dhe shembulli që iu vendos përpara anëtarëve të UEFA-s dhe atij vetë, ishte klubi kampion i Kategorisë Superiore: Skënderbeu.

Ky klubi i cili për sponsor të drejtëpërdrejtë ka vetë Armando Dukën, është i dënuar zyrtarisht nga UEFA me 10 vite përjashtim nga Kupat e Europës për shkak të trukimeve të shumta që ka kryer në Superligë dhe në Kupat e Europës. Dhe paftyrësia e Dukës në këtë rast ishte qëndrimi i tij me dy standarte, duke llogaritur se sa herë që flet para mediave në Shqipëri deklaron se korçarët janë të pastër dhe se UEFA ka gabuar me qëndrimin e saj.

Ky është një ilustrim i faktit se ai është i gatshëm për të shitur dhe blerë çdokënd – vetëm e vetëm për të fituar një pushtet personal që i siguron shuma marramendëse në xhepin e tij.

Ekzaltimi i tij se ky është një sukses i futbollit shqiptar është aq shumë qesharake por edhe aq shumë një ëndërr e tij që të pastrojë imazhin e pisët që ka krijuar tek sportdashësit shqiptar.

Një president që edhe pse ka rreth 17 vite që drejton futbollin shqiptar nuk ka arritur dot që të fitojë simpatinë e tifozave – por vetëm të atyre që i mban për interes dhe i paguan si kamikazë për t’i thurur lavde.

Nëse do të ishte në dorë të Shqipërisë kandidatura e tij, për të zënë një post në Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s ai nuk do të kishte asnjë shans që ta kishte emrin në listë. Federata e Futbollit që drejtohet prej tij nuk ka qenë asnjëherë një Institucion transparent dhe gjithëpërfshirës për t’i shërbyer futbollit – por është parë prej tij si një biznes privat për të përfituar para në mënyra korruptive.

Do të mjaftonte për të parë gjëndjen ku ndodhet sot Kategoria Superiore për të kuptuar se dështimi, është fjala më e pakët që mund të përdoret për FSHF-në.

Zgjedhja e Armando Dukës është fitore personale e tij që i shton UEFA-s dyshimet si një Institucion ku besimi dhe konkurenca e ndershme është ende shumë larg. Nëse UEFA do të ishte treguar serioze në zgjedhjet e anëtarëve të Komitetit Ekezkutiv, për Dukën do të mjaftonte vetëm dënimi i një klubi shqiptar dhe një tjetri që është nën hetim për të mos e pranuar në pozicione kyçe.

Një president Federate vlerësohet për punën dhe të mirat që i kanë dhënë futbollit vendas dhe në rastin e Dukës gjithçka është një dështim. Në futbollin shqiptar gara është e përcaktuar; tifozët janë larguar; trukimet janë shtuar; zgjedhjet e këtij Institucioni janë një fars – dhe e ardhmja për një futboll dinjitoz është e zymtë.

Ndaj më shumë se sa një fitore e Dukës në UEFA – institucion i cili ende nuk është çliruar nga korrupsioni që nga periudha e Platinisë – është një autogol për të shpresuar për një futboll më të pastër, më të besueshëm dhe më konkurues.

Do jetë një lojë ku do fitojnë mafiozët! (TemA Javore)

4 komente në “7-shkurti trukues i Armando Dukës!”

  1. Roland Luçi says:

    Fatjon, Armand Duka eshte pjese e sistemit ekzistues, aktor dhe tashme faktor ne kete sistem, keshtu qe nuk mund te pritet qe ai te shprehe interesat e deshirat e kritikeve te ketij sistemi global ku dhe FSHF ka vendin e vet sado simbolik.
    Sigurisht qe fitorja e tij dhe sigurimi i nje vendi ne KE te UEFA-s eshte nje sukses personal, dhe nuk ka si te jete ndryshe, nuk ka se ti jete i katapultuar atje vetedijshem si perfaqsues i nje federate prestigjioze europiane dhe per arsye objektive nuk mund te jete keshtu.
    Disa nga kritikat qe ti evidenton (si dhe une shpesh here) qendrojne, ka dhe mangesi e probleme te tjera jo vetem ne UEFA, por dhe ne FIFA, e si rrjedhoje nuk ka si te jete e imunizuar FSHF. Shtoji ketyre dhe specifikat negative shqiptare ne kushtet e pergjithshme shteto-ligjore rrumpalle dhe tabloja eshte me e plote.
    Por une mendoj se ne te mire te futbollit tone, me shpresen se futbolli yne do te kete me te teper mbeshtetje institucionale ne organet qendrore dhe atyre vartese te qeverise europiane te ketij sporti, zgjedhja e Dukes duhet pershendetur. Sigurisht jo te pershendetet “a forfait” dhe duke e konsideruar Duken ne KE si avokat te fenomeneve negative shqiptare per te cilat ai nuk eshte mekatari i vetem (mekatet pershijne nga difektet e FSHF e deri prokurorine inekzistente te shtetit), por i vlerava te futbollit tone qe ai akoma permban ne thelbin e vet dhe sidomos te atyre qe opinioni i shendoshe shoqeror shpreson qe ai te kete.

  2. rroku says:

    Sa e bleu ate vend Armando DROGA…..

  3. FSHF MAFIA says:

    Bravo Z. Baze

  4. une says:

    Saliu e nxin realitetin shqiptar per te shpetuar koken duke thene se ” jemi te gjithe njelloj”! Ka thirrur ne ndihme Liken,Bashen dhe Monen dhe mediat prane tij ,se fundi dhe Gazeten Dita! Po harxhohet para e madhe! Pra nuk eshte se vetem Rama apo Shqiperia! Jane shume organizma te tjera qe kane ne thelb korrupsionin! Shembulli i Dukes flet qarte se cfare kohe jetojme dhe jo vetem Shqiperia! Luhet para e madhe e piste!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje