Protesta e 16 shkurtit, një ditë më pas!

Nga Alfred Peza

Ajo e 16 shkurtit, është thjeshtë dhe vetëm një protestë e radhës, e organizuar nga disa parti politike opozitare, kundër qeverisë. Por liderët e opozitës sonë çuditërisht, po e trajtojnë atë, si të ishte një ditë edhe më e rëndësishme, sesa ajo e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare, ku luhen fatet politike për 4 vitet e ardhshme.

Nuk është çështja thjeshtë dhe vetëm tek turet e takimeve me njerëzit, lart e poshtë nëpër Shqipëri. Pasi për to shumë mirë po bëhet, për aq kohë sa qytetarët gati sa nuk po u thonë: Ra kjo protestë, e shyqyr që u pamë! Por, fjala është tek deklaratat që po bëjnë kryetarët e dy partive kryesore, Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim.

Nëse e ke ndjekur sadopak me vëmendje diskurin politik të Lulzim Bashës dhe Monika Kryemadhit, vë re lehtësisht një rendje për të motivuar popullin opozitar, anëtarët e partive të tyre, përkrahësit, votuesit dhe militantët, jo me elementë organizativë. Jo me organizime strukturore e kapilare, nga qendra në bazë, për të shtuar numrin e pjesëmarrësve në shesh. Jo me pathosin e një komunikimi publik, që shton frymën e përgjithshme opozitare, duke motivuar në këtë mënyrë njerëzit, që të grumbullohen masivisht për tia demonstruar këtë publikisht qeverisë, medias dhe opinionit publik.

Përkundrazi! Fjalori, premtimet, deklaratat, qasja dhe oferta e 16 shkurtit, është ambalazhuar dukshëm dhe po u serviret shqiptarëve, si një program i pastër elektoral e qeverisës. Po bëhen premtime të cilat rrokin një listë që sa vjen e zgjatet, që nis nga nga ulja e taksave, e deri tek mbledhja e të ardhurave. Nga aleancat politike, e deri tek skema e re e rishpërndarjes së të ardhurave kombëtare, për qytetarin e thjeshtë.

Në këtë mënyrë, liderët tanë opozitarë, në vend që të frymëzojnë njerëzit për të dalë në protestë, po u premtojnë atyre produkte të shkëlqyera elektorale, politike, social- ekonomike dhe ligjore, a thua se më 17 shkurt në mëngjes, Lulzim Basha do të betohet përpara Ilir Metës si Kryeministër i ri i Repubikës së Shqipërisë dhe Monika Kryemadhi, si kryetarja e re e Parlamentit të vendit. Nëse je militant i opozitës dhe dëgjon se çfarë po flasin çdo ditë udhëheqësit e tyre, atëherë gjithkush ka nisur të shohë ëndrra të bukura me pushtet, të cilat gjithkush pret që ti realizojë, menjëherë pas protestës së orës 11.00 të së shtunës së ardhëshme në Tiranë.

Kjo taktikë, nuk është hera e parë që është përdorur nga udhëheqësit e opozitës sonë, për protesta qytetare. Por, këtë radhë, ndryshe nga herët e tjera, dozat janë shtuar në maksimum, tonet tejkalojnë çdo limit dhe oferta e servirur si produkt i 16 shkurtit, po tejkalon çdo realitet. Ajo çfarë pritet të sjellë kjo qasje totalisht e gabuar, është e kundërta e qëllimeve të vërteta të opozitës, për të mbushur sheshin me sa më shumë protestues. Ajo që pritet ti mbetet çdo pjesëmarrësi në protestë pas kësaj pritshmërie sipërore absolute, është shija e hidhur e zhgënjimit të thellë.

E gjitha kjo që po ndodh, tregon se liderët e opozitës sonë, nuk paskan mësuar asgjë nga historia e dështimeve të tyre të mëparshme. Ajo që është e qartë si drita e diellit, lidhet me faktin se nëpërmjet kësaj rruge, pjesëmarrja e qytetarëve në protestat e shkuara të opozitës, erdhi gjithmonë e duke rënë. Kjo e detyroi PD dhe LSI, nga maji i vitit të kaluar e deri më sot, për 9 apo 10 muaj me radhë, të mos zhvillojnë dot as edhe një protestë të vetme, në bulevardin qëndror të Tiranës.

Nëse edhe në ditët në vijim, qasja e lidershipit të PD dhe LSI vijon si deri më sot, është e sigurtë se ajo e 16 shkurtit, do të jetë protesta e fundit e opozitës në shesh. Sepse qytetarët, kur të shohin një ditë më pas, se asgjë nga ato që iu premtua nuk do të realizohet, atëherë do të kuptojnë se kur i gënjyen njëherë ishte faji i Lulit dhe Monës, po tentuan që ti gënjejnë përsëri në të ardhmen, do të jetë faji i tyre.

REMOTE_ADDR:[]

4 komente në “Protesta e 16 shkurtit, një ditë më pas!”

  1. marku says:

    “Kur i genjejne nje here…..”-thote autori !Keta genjejne perhere !

  2. Flutura says:

    Njerezit te ndjekin, te degjojne, te duartrokasin dhe pastaj te harrojne ..

  3. ce says:

    Nafije Dybeku ka pare ëndërr se me 16 shkurt do permbyse Edi ramen me revolucion proletare Leninist por do ikë per lesh bashke me lristat e leshitdhise dhe naziskinet e Mamurrasit. Me 17 shkurt sharebajgat e leshelise Kejdi dhembcakallja kembeshtrembeta, sypordha, dhe gjithollog’ja Nora bythderrja do nisen per hapjen e haremit veror te Jales

  4. Qytetar says:

    Pas 16 shkurtit.,.vjen 17-ta !

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *