Ambasada italiane reagon pas superaksionit shqiptaro-italian

Ambasada italiane në Tiranë ka reaguar pas aksionit të sotëm “Lulet e pranverës”.

“Ambasada e Italisë në Tiranë shpreh kënaqësinë e madhe për rezultatet e shkëlqyera të arritura në operacionin “lulet e pranverës” të skuadrës së parë Hetimore të Përbashkët (S.I.C.) e krijuar mes Autoriteteve gjyqësore të Italisë dhe Shqipërisë.

Hetimet e kryera së bashku për pothuaj dy vjet bënë të mundur identifikimin dhe kapjen e anëtarëve të katër grupeve të veçanta kriminale italo-shqiptare, baza operative e të cilave ndodhej në Lecce me degëzime në Qarqe të tjera të Italisë dhe që merreshin me trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe mbajtje dhe futje në territorin kombëtar të armëve dhe municioneve luftarake.

Operacioni, i bashkërenduar nga Drejtoria Kombëtare e Antimafias dhe nga Drejtoria Antimafia e Rrethit në Lecce çoi në arrestimin e 11 personave në Itali dhe të 6 personave në Shqipëri”, thuhet në reagim.

Ambasadori i Italisë, Alberto Cutillo, deklaroi:

“Bashkëpunimi gjyqësor dhe ai i policisë mes Italisë dhe Shqipërisë ka çuar në arritjen e rezultateve të jashtëzakonshme në luftën ndaj krimit të organizuar.

Arrestimet e kësaj mbrëmjeje janë një rezultat i rëndësishëm i arritur falë punës së përbashkët të kryer nga Skuadra e parë Hetimore e Përbashkët që i ka mundësuar magjistraturës dhe policisë italiane dhe asaj shqiptare të punojnë sëbashku. Fuqizimi i bashkëpunimit dypalësh dhe atij ndërkombëtar rezulton të jetë mjeti më efikas në arritjen e këtyre rezultateve”.

Tonelatat e drogës që vërshojnë drejt brigjeve italiane detyruan dy vjet më parë një grup prokurorësh italo-shqiptarë që të gjenin një formulë të re reagimi kundër trafikantëve.

Ata krijuan një skuadër të përbashkët hetimi, çka solli dërrmimin e një rrjeti trafikantësh, gjithashtu italo-shqiptarë, që ka trafikuar 9 ton kanabis. Megjithëse me dhimbje koke pasi nuk po zbuloheshin disa nga autorët që përcillnin skafe me drogë drejt Italisë, prokurorët nuk e harruan xhentilesën dhe e pagëzuan aksionin “Lulet e pranverës”.

Ky kod u vendos sipas emrit të të vetmes femër në skuadër, prokurores Pranvera Pustina. Pasi u bindën për provat, mëngjesin e të martës në të njëjtën orë, të dyja vendet nisën sulmin ndaj trafikantëve.

Të arrestuarit në qytetin e Vlorës janë Denis Pashaj, Kristjan Llanaj, Luka Beqiraj, Arbnor Hoxhaj, Bilal Kabello dhe Kujtim Elmazi. Operacioni në Vlorë u zhvillua edhe me praninë e Guardia di Finanza.

“Janë gjithsej 27 persona të arrestuar”, tha Donika Prela.

Vetëm për 4 muajt e parë të vitit 2017 autoritetet sekuestruan disa ngarkesa me drogë në Gjirin e Lalëzit, Godull, Vjosë dhe Brindizi. Mes skafistëve të arrestuar pati edhe nga ata që nuk ishin vlonjatë, por italianë, si Xhanfranko Mariano dhe Donato Karluçi.

Pranvera Pustina tha: “Ata nuk kanë komunikuar nga burgu me askënd”.

Prokurori tjetër Përparim Kulluri pohon se ndërkohë po zhvillohet edhe hetim pasuror. Skuadra italo-shqiptare ishte e sinkronizuar edhe në mbylljen e operacionit që u deklarua i suksesshëm përmes një video-konference edhe nga prokurori i Antimafias Italiane, Federico Cafiero de Raho.

REMOTE_ADDR:[]

2 komente në “Ambasada italiane reagon pas superaksionit shqiptaro-italian”

  1. ''....askush nuk urrehet me shume se ai qe thote perhere te verteten''[PLATO] says:

    problemi per ne nuk jane mafiozet,por citimi i tyre si ”shqiptare” kur de facto jane turq shqipfoles…………..!!!!!

  2. Njutoni says:

    Ka gallat!
    Knej nga anet tona kapen dhe burgosen per bar kurse bari digjet nga policija duke ndot edhe atmosferen.
    Kurse n amerik e kanada legalizohet bari dhe kompanit marrin licenca shteti.
    Si n koh t Dulles qe burgosej robi per i fjal goje
    Tash burgoset per i fije bari…
    Dikur isht “per i viç m xu nata jasht”
    Tash osht “per nji lule m xu dita mren”!
    Shteti i ka shpall luft barit e luleve.
    ….po,a mund t ket pranver pa LULE!??….

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *