Ja ndërtimi mbresëlënës i kompanisë shqiptare buzë liqenit të famshëm në Austri

12 Shkurt 2019, 11:58Lifestyle TEMA
Ja ndërtimi mbresëlënës i kompanisë shqiptare buzë

Grupi Balfin, përveç zgjerimit në Evropën Juglindore me kompanitë e tij të ndryshme, ka disa vite që po shënon progrese me ritme të kënaqshme edhe në tregjet e Bashkimit Evropian dhe më konkretisht në Republikën e Austrisë.

Përveç shitjes me shumicë të mallrave elektronike dhe elektroshtëpiakeve nga Austria në Evropën Lindore dhe Ballkan përmes një prej kompanive të para të Balfin të regjistruar pikërisht në shtetin e Evropës Qendrore, grupi me qendër në Shqipëri prej disa vitesh është aktiv në Austri edhe në tregun e zhvillimit të pasurive të patundshme.

Balfin ka themeluar një tjetër kompani në këtë shtet në Prill të vitit 2018 dhe që prej Tetorit të po këtij viti ka nisur të zhvillojë një projekt të rëndësishëm në sektorin e ndërtimit, i përbërë nga dy rezidenca banimi buzë liqenit në zonën e Altmünster, një qytezë e ndodhur 3 kilometra në Jug të Gmunden, në rajonin e Austrisë së Epërme, e kufizuar nga Gjermania dhe Republika Çeke.

Qyteza ndodhet buzë liqenit piktoresk të Traunsee dhe ekonomia e saj është e përbërë kryesisht nga turizmi dhe nga industria e lehtë.

I quajtur nga romakët si “Liqeni i Lumturisë”, Liqeni i Traunit ku ndodhen rezidencat dhe rrethinat e tij premtojnë ende lumturi për njerëzit që kërkojnë qetësinë dhe arratinë nga jeta moderne.

Liqeni është perfekt për relaks, not, surf dhe lundërim me vela. Për më tepër, zona përreth është shumë e përshtatshme për ecje, ngjitje malore dhe pedalim me biçikleta. Dimri vjen me mundësi të shumta për ski, si dhe me dyqane të stolisura për festën e Krishtlindjes.

Ky investim prej disa miliona eurosh nga ana e Grupit Balfin po zbatohet nga një kompani nënkontraktore austriake dhe pritet që të përfundojë brenda vitit 2019, ose e shumta në tre mujorin e parë të vitit 2020.

Godinat tre-katëshe po ngrihen mbi një sipërfaqe totale trualli prej 1.400 metrash katrorë.

Austria është një prej 14 shteteve më të pasura në botë për sa i takon Prodhimit të Brendshëm Bruto për Frymë.

Në vitin 2018, edhe pse e moderuar, rritja ekonomike në këtë shtet mbeti e qëndrueshme dhe më e lartë se mesatarja e Bashkimit Evropian. Kërkesa e brendshme vijoi ta përkrahë ekonominë, me një rritje të shpenzimeve publike si dhe të shpenzimeve private dhe investimeve fikse.

Parashikimet janë që edhe në vitin 2019, Prodhimi i Brendshëm Bruto i Austrisë të rritet me 1,9%, ndërsa për vitin 2020 parashikimi i rritjes është me 1,6%.

Grupi Balfin është grupi më i madh dhe inovator i investimeve në Shqipëri dhe një ndër më të mëdhenjtë në rajon, i njohur për investimet në qendrat tregtare TEG, QTU SEG, zhvillimet e zonave rezidenciale dhe tregtare, në turizëm me projekte si Green Coast Resort dhe Vala Mar Residences, në industrinë e fashionit dhe atë minerare, si dhe aktivitetet e shitjeve me pakicë me rrjetin e dyqaneve Neptun, Jumbo, SPAR etj.

Lini një Përgjigje