KPK ngre dyshime për pasurinë e ndihmëses ligjore Ana Golloshi

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shfaqur dyshime mbi pasurinë e këshilltares ligjore, Ana Golloshi e cila e ka justifikuar si produkt të emigracionit në Greqi. 

Nga Edmond Hoxhaj

Komisioni i Pavarur i Kualifikimi mbajti të martën seancën dëgjimore për rivlerësimin e kandidates për magjistrate Ana Golloshi.

Treshja gjykuese e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit e përbërë nga Etleda Çiftja, Firdes Shuli dhe Pamela Qirko, ka ngritur dyshime mbi pasurinë e ndihmëses ligjore pranë Gjykatës Administrative të Apelit, ndërkohë që ajo ka marrë vlerësim pozitiv për pastërtinë e figurës dhe aspektin profesional.

Sipas KPK-së Golloshi nuk ka treguar nivel të lartë bashkëpunimi pasi nuk i ka depozituar në kohë dokumentet – një pjesë e të cilave duhej ti siguronte në shtetin grek. Procesi i rivlerësimit për Golloshin është kryer për të tre shtyllat e vetingut, përfshirë pasurinë, pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin.

Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI, ka raportuar se këshilltarja ligjore Ana Golloshi ka kryer deklarim jo të saktë, nuk ka pasur burime të ligjshme pasurie, ka kryer deklarim të rremë, nuk ka kryer fshehje pasurie dhe nuk gjendet në kushtet e konfliktit të interesit.

Edhe KPK konstatoi mungesë të burimeve financiare të ligjshme për disa pasuri – pasuri të patundshme dhe një makinë, për të cilat Golloshi ka deklaruar se kishin si burim financiar të ardhura të siguruara në emigracion, para se ajo të niste detyrën që ushtron.

Komisioni ka ngritur pikëpyetje edhe lidhur me transferimin e parave nga Greqia, por këshilltarja ligjore pretendoi se paratë ishin transferuar ndër vite në sasi të vogla. Nga ana e saj, Golloshi deklaroi se hetimi i kryer nga KPK nuk ka qenë i plotë dhe se nuk janë marrë parasysh të gjitha provat.

Lidhur me pastërtinë e figurës, DSIK e ka konsideruar si të përshtatshme për vazhdimin e detyrës, ndërsa Shkolla e Magjistraturës ka raportuar se Golloshi kishte arritur të siguronte të paktën 60% të pikëve në testime. Ndaj saj nuk ka rezultuar të ketë pasur ndonjë denoncim.

KPK njoftoi se vendimi për këshilltaren ligjore pranë Gjykatës Administrative të Apelit do të shpallet më datë 13 shkurt, ora 11:30.

 

REMOTE_ADDR:[]

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *