16 Shkurt: Përpjekje e re, axhendë e vjetër

14 Shkurt 2019, 09:06Blog TEMA

Nga Ben Andoni

Po të lexosh thjeshtë 16 Shkurtin me syrin e Partisë Demokratike dhe LSI-së, atëherë bindesh se protesta e shumëpërfolur nuk është e njerëzve por e dy partive kryesore, që mëtojnë t’i marrin pushtetin Edi Ramës, duke përdorur malin e ankesave popullore ndaj tij. Është e vërtetë që protesta e ka tulatur maxhorancën dhe reagimi duket nga retorika e lodhur e kreut socialist dhe e njerëzve të tij, por shqetësimi mbetet sesa protesta do të shtrihet tek njerëzit dhe sa këta të fundit do e mbështesin në vazhdimësi.

Nga këqyrja e udhëzimeve të kreut demokrat shihet se organizimi është mirëfilli politik dhe me detyra të ndara për subjektet e veta kapilare. Secili do të marrë përgjegjësi të ndara, që do të thotë se vetëm me suksesin do të ngrejë dhe kreditet: nëse do të sjellë apo do organizojë njerëz.

Në një farë mënyre organizimi i protestave është i vjetër dhe është bazik në mënyrën sesi funksionojnë tre partitë kryesore. Problemi është se sa mirë organizohen në çdo segment dhe dinë emrin e çdo qytetari pjesëmarrës, kur vijnë në pushtet harrojnë gjithçka. Që do të thotë ata të shkretët që vinë me shpresën e vakët se PD dhe LSI, do ta rrëzojnë medoemos Ramën e PS-në më 16 Shkurt, pas kësaj do të mendojë seriozisht për ta, në çdo kohë zhgënjehen!!! Ky qerthull ka tre dekada që përsëritet dhe shqiptarët vazhdojnë të bien pre e këtyre politikanëve të paskrupullt. Në rastin e dy partive kryesore po aq fatkeqe mbeten edhe partitë satelite, ato që tashmë janë rrudhur aq shumë, saqë nuk vlejnë as si paterica dhe me fuqitë e tyre nuk mund të fitojnë as edhe ndonjë gjë, që u ofrohet në zgjedhjet lokale dhe ato qendrore. Marrim shkas nga ofertat që PD-ja i ka shtrirë për ndarje zonash me shpresën e madhe se republikanët, demokristianët dhe të tjerët do të mundin të jenë të angazhuar deri në fund në përpjekjen dhe tonin e lartë të PD-së për të diktuar jetën opozitare të vendit.

Në fakt përpjekja duket e re dhe duket se imiton krejtësisht atë të studentëve. Veçse studentët nuk e patën fare nevojën e trokitjes derë-më-derë, të cilën po e bën Kryemadhi dhe Basha, sepse i ndihën rrjetet sociale, kurse dy liderat e sotëm të opozitës mendojnë se në brendësinë e grupeve opozitare do të gjendet bërthama, e cila do rezistojë pa ndalur para kryeministrisë dhe pas 16 Shkurtit e tutje, duke e përsëritur skenarin e lodhshëm dhe strapacues të kryeqytetit tonë 99-vjeçar me bllokime dhe retorikën e mbushur me urrejtje, sharje dhe ofendime. A do ta relativizojë Rama dhe këtë lëvizje?! Me shumë gjasa, po. Skenari është i mirëditur, ndaj dhe përgjigjet janë të lehta, që të kalkulohen prej tij.

Është për të ardhur keq, që ndryshimet në vendin tonë mungojnë realisht kurse qetësia relative e funksionimit të një shteti normal, ku të debatohet dhe të punohet për të mirën, mungon. Detyrimi i madh i kryeministrit Rama për këtë gjendje nuk lë pa faj dhe kundërshtarin e tij zyrtar më të madh Lulzim Bashën, jo thjesht se ka qenë në pushtet, por kurrë nuk ka ofruar besim.

Shqipëria është në udhëkryqin e zakonshëm, para zgjedhjeve, një ritual që çdo përpjekje kinse të re, e zhgënjejnë axhendat e shpallura, hapur një vjetërsirë, përdorur me retushime nga të dyja partitë politike, të cilat duan medoemos pushtetin për t’u kthyer pastaj kur janë në krye njësoj të urrejtshëm për kundërshtarët.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje