Bilanci: Banka e Shqipërisë sqaron arsyet e forcimit të lekut

14 Shkurt 2019, 16:37Ekonomia TEMA

Banka e Shqipërisë në raportin e fundit të politikës monetare ka bërë një analizë të faktorëve që kanë ndikuar në forcimin e monedhës vendase në 2018-n.

Sipas rezultateve të analizës së Bankës, në optikën afatmesme e afatgjatë, forcimi i kursit të këmbimit është në përputhje me teorinë ekonomike dhe faktorët makroekonomikë

Kështu, trendi forcues i kursit të këmbimit pasqyron përmirësimin e pozicionit të jashtëm të ekonomisë dhe rritjen e interesit për të investuar në instrumente kursimi në lekë në tregun e brendshëm financiar.

Sipas analizës, leku ka shfaqur një trend të qartë forcimi kundrejt euros në tregun e brendshëm financiar, duke nisur nga fundi i vitit 2015. ky forcim ishte relativisht i ngadaltë deri në vitin 2017, por ai u përshpejtua ndjeshëm gjatë vitit 2018.

Forcimi i kursit të këmbimit ka qenë në fokus të analizave të Bankës së Shqipërisë, të cilat kanë synuar në vazhdimësi të identifikojnë faktorët e forcimit, duke dalluar midis faktorëve fondamentalë të cilët sjellin lëvizjen e kursit në nivele të reja ekuilibri, dhe faktorëve specifikë e afatshkurtër të tregut valutor, të cilët sjellin shmangien e kursit nga këto nivele ekuilibër. një identifikim i tillë mundëson më tej vlerësimin e ndikimit të forcimit të kursit në ekonomi dhe inflacion dhe, mbi bazën e tyre, në formulimin e reagimit të Bankës së Shqipërisë.

Përmirësimi i pozicionit të jashtëm të ekonomisë ilustrohet nga:

− ngushtimi i qëndrueshëm dhe i vazhdueshëm i bilancit të shkëmbimeve tregtare me jashtë, kryesisht në reflektim të zgjerimit të shpejtë të eksporteve shqiptare;

− hyrja e lartë e valutës në vend, kryesisht në formën e investimeve të huaja direkte, por edhe në formën e remitancave (grafiku 11).

Po ashtu, normat e ulëta të interesit të valutës kanë rritur interesin për të kursyer në lekë, qoftë në formën e depozitave apo në atë të letrave me vlerë të qeverisë (grafiku 12).

Në përputhje me regjimin e lirë të kursit të këmbimit që aplikohet në vendin tonë, rritja strukturore e ofertës së valutës ka përcaktuar trendin forcues të monedhës vendase. Modelet e analizës dhe parashikimit të kursit të këmbimit tregojnë se ecuria e kursit të këmbimit gjatë viteve 2015-2017 nuk ka pasur shmangie të mëdha nga nivelet e sugjeruara nga faktorët makroekonomikë.

Pse ra euro në 2018-n

Në optikën afatshkurtër, forcimi i kursit të këmbimit gjatë vitit 2018 ishte më i fortë se ritmi i përmirësimit të faktorëve të lartpërmendur. në vlerësimin tonë, forcimi i kursit pasqyroi zhvillime specifike të tregut të brendshëm valutor, të lidhura me konvertimin e kapitalit në disa banka të sistemit, me disbursimin dhe konvertimin e një kredie të madhe të BeRzh-it, si dhe me krijimin e pritjeve për forcimin e mëtejshëm të lekut. këto pritje u shoqëruan me ndryshimin e sjelljes së operatorëve ekonomikë, duke sjellë një zhbalancim të lartë, por të përkohshëm, të kërkesës dhe ofertës për valutë. faktorët e mësipërm sollën një forcim të shpejtë të kursit të këmbimit gjatë vitit 2018, dhe shmangien e tij nga nivelet e sugjeruara nga faktorët makroekonomikë (grafiku 13).

Në mungesë të ndryshimeve fondamentale në ekonomi, këto shmangie të kursit reduktojnë intensitetin e presioneve inflacioniste dhe sjellin implikime për qëndrimin e politikës monetare. Kanalet e përcjelljes së luhatjeve të kursit në ekonomi janë pjesë normale e modeleve të parashikimit të Bankës së Shqipërisë, vijon analiza.

Këto parashikime treguan se vijimi i mbiçmimit të kursit të këmbimit me ritme të përshpejtuara do të rrezikonte arritjen e objektivit të inflacionit në afatin e mesëm. Si i tillë, ai bëri të nevojshëm reagimin e Bankës së Shqipërisë.

Ky reagim erdhi në formën e uljes së normës bazë të interesit në muajin qershor dhe në formën e ndërhyrjeve të jashtëzakonshme, por të përkohshme, në tregun e brendshëm valutor. ai arriti të stabilizojë ecurinë e kursit të këmbimit dhe të krijojë premisat për funksionimin normal të këtij tregu. Vlerësimet aktuale sugjerojnë se rreziqet e kursit mbi objektivin e inflacionit kanë ardhur në reduktim.(monitor)

7 komente në “Bilanci: Banka e Shqipërisë sqaron arsyet e forcimit të lekut”

  1. Loni says:

    Te paafte…vanitoze…mos te themi…we..

  2. Ton says:

    90 % e stafit femijet e nipat e politikes…pa besushmeri…si kudo

  3. rexha 10 says:

    SHQIPTAE KUDO QE JENI NEPER BOTE ,MOSE DERGONI LEKE ,EURO APO DOLLARE NE SHQIPRI SE BIEN DIREKTE NE DUARTE E MAFIES SE BANKAVE.A E KENI VENE RE SE NE PERIUDHEN E GUSHTIT BIE KURSI I KEMBIMIT TE VALUTES .JANE KETA QE I PIJNE GJAKUN,JO VETEM POPULLIT PORE EDHE EMIGRANTEVE. PREFERONI TI MIRRNI NE SHTEPI NJERZIT E AFERME ,SE SA TI DERGONI PARA.SHQIPRIA ESHTE NJE VENDE QE NUKE KA INDUSTRI .DHE PRODHIME BUJQSORE,DHE SI RRJEDHOJE NUKE KA INVESTIME.NUKE EKSPORTON ASGJE ,VETEM ENERGJINE ELEKTRIKE TE PRODHUAR NGA NATYRA.TE TJERAT RALIZOHEN NEPERMJET IMPORTIT.
    CAKEJTE MEZI PRESIN QE TE ARRIJNE TURISTE E EMIGRANTE QE TE ULIN VLERAT E VALUTES.NUKE EKZISTON ASNJE LLOI KONTROLLI.SAPO LARGOHEN EMIGRANTET ,BANGAT BEJNE BILANCIN SE SA PARA TE THATA KANE FITUAR.EDHE ATO PROHIMEQE RALIZOHEN NGA FSHATARET ,PRFUNDOJNE NE LUME,OSE KALBEN.KJO ESHTE E VERTETA .TE TJERAT JANE BLA,BLA .BLA.

  4. rexha 10 says:

    PERSE E ELEMINON MESAZHIN TIME,APO TE VJEN KEQE PER HAJDUTET E BANKAVE.????????????????????????

  5. rexha 10 says:

    FALEMINDERIT zoti mere.

  6. ¿ says:

    Kosova me rastin e Panvarsis do i blej vëndit tonë 2 miliard USD armë për vitin 2019.

  7. Eri says:

    Bankat kudo ne kapitalizem jane gjakpirese.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje