E çfarë të keqe paska me e festu Shën Valentinin te Liqeni, me lule mimoza?

14 Shkurt 2018, 10:53Blog TEMA

Nga Alma Nikolli

Personalisht nuk më pëlqejnë festat kolektive në Tiranë. Edhe pse mendoj se është e vështirë të festosh bashkë me një qytet të tërë, por më tepër ngaqë nuk më pëlqejnë degët e thyera të mimozave pas festave thuajse pranverore apo pranverore. Mbushem me negativitet, kur shoh lloj-lloj mbeturinash festive të shpërndara shëmtuar kudo.

Kolektivisht ende nuk dimë të sillemi apo festojmë, edhe pse nuk jemi njerëz të këqinj… Apo jo? Por, kjo nuk do të thotë që ne nuk duhet të shfrytëzojmë mundësinë për të përmirësuar veten bashkarisht.

Sot, është një nga ato ditët kolektive, kryesisht të kritikueshme. Presupozohet që dashuria të jetë një “festë private” dhe disi e përditshme, ama nuk shoh asgjë të keqe që njerëzit të kenë një ditë dedikuar asaj dhe të mblidhen në vende publike. Nëse duan, dash’shin!

“Legjendat urbane” në Tiranë e lidhin gati përqesh’shëm Shën Valentinin me Liqenin.

Vajzat dhe djemtë e “sofistikuar” gjatë gjithë ditës ironizojnë çiftet e kapura dorë për dore që ecin Rrugës së Durrësit, Kavajës a Dibrës. Ata pas disa hapash do të jenë tek Liqeni i cili duhet “TË MBAHET”. . . Shpesh përqeshen, se janë kombinuar keq me ngjyrat, teksa ata thjeshtë festojnë në mënyrën e tyre dashurinë po të tyren.

Po sikur ata të duhen vërtetë?

Po sikur ajo grua apo vajzë të kënaqet aq shumë nga një lule mimozë, të cilën ia blen ai që dashuron tek një vogëlush, që është ngritur me natë për t’i mbledhur, të jetë më lumtur se ti? Se ti që për në mbrëmje ke prenotuar në një lokal luksoz me dikë që të blen lule me një pusullë, që ia ka shkruar shitësja apo se ti, që do kalosh gjithë ditën duke sharë fotografi “katunarësh”.

Ka gra dhe vajza që mentaliteti apo varfëria nuk ua mundësojnë konceptin kapitalist të dashurisë. Ndaj në ditën e të dashuruarve dashurohen në sy të të gjithëve, kapur për dore dhe duke u fotografuar te liqeni. S’i fshihen njeriu, duken të pashqetësuara, se mos i shikon një tjetër i dashur. Mesa duket kanë vetëm një dhe atë e duan pa interes.

Lule mimozat kanë një aromë shumë të këndshme, kur këputen me kujdes dhe dashuria është mundësia e vetme për ta bërë Tiranën një vend më të mirë.

Gëzuar njerëz, jetën në përgjithësi!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje