Jari entuziast nga djegia e mandateve: U thamë, ose do digjet qeveria, ose opozita!

17 Shkurt 2019, 18:20Antena TEMA

Pas lajmit të Lulit se do ti kërkoj organeve të larta të partisë djegien e mandateve të deputetëve, Jari e pa të udhës t’i sqarojë demokratët për të mirat e këtij vendimi dhe përftimi që do kishte demokracia me këtë rast.

Të dashur demokratë!

Jari ju sqaron.

Djegia e mandateve është një proces i dhimbshëm dhe i gjatë që mendoj se do ta përfundojmë me sukses deri në vitin 2021.

Siç e dëgjuat sot Luli deklaroi se do t’i kërkojë organeve të larta të partisë djegien e mandateve, pra Këshillit Kombëtar dhe kryesisë së partisë.

Ky është një vendim historik që do marrë kohën e vet.

Fillimisht të enjten do jetë dita e fundit në Parlament, dhe kemi përgatitur një sërë aktesh guerrile për ta bërë të papërdorshëm Parlamentin. 

Fillimisht do shkulim mikrofonat dhe do prishim vendin e votimit, pasi kur të ikim ne, ka rrezik që Edi Rama të përdorë vendet tona për të votuar. Ne do bëjmë që askush të mos ketë mundësi të ulet më në ato karrige.

Sipas radhës mikrofonin do ta shkulë i pari Salianusi, dhe do qëllojë mbi Edi Ramën. Pastaj do ndihmojë dhe Grigjën ta shkulë dhe të qëllojë Spiropalin. Më tej do vazhdojnë të tjerët.

Pas kësaj do dalin jashtë në sheshin para Kuvendit, ku do jenë mbledhur 50 mijë vetë dhe do djegim mandatet.

Ky do jetë momenti kur do jemi të gjithë të barabartë si unë, Doktori, Djali Fariut, etj, pra të gjithë pa mandat. 

Eshtë për t’u përshëndetur me këtë rast solidarizimi i Shpëtim Idrizit, i cili është i pari kryetar partie opozitare që i ka djegur mandatet një vit e gjysëm më parë, duke i zbuar nga partia të tre deputetët. Kjo do të thotë që ai nuk ka për ta marrë mandatin që i takon pas djegies së mandateve. Presim dhe Gon Dukën të betohet që s’do ta marrë mandatin e Durrësit. Me të tjerët jemi në rregull.

Aleatët e tjerë do na ndjekin më pas.

Procedura do të zgjasë pak, pasi secili deputet, duhet të paraqitet në KQZ dhe të deklarojë djegien e mandatit dhe kjo mund të na shtyjë disa muaj. 

Pastaj problemi është me ata që vijnë në lista pas nesh, të cilët po ashtu nuk duhet të marrin mandatet. Procedura do të jetë e gjatë derisa mandatet t’u ofrohen partive të tjera, për të cilat nuk jemi të interesuar se çfarë bëjnë.

Ky akt ka shumë rëndësi pasi vë në vend dinjitetin e deklaratave të bashkryetarëve tanë, Basha-Kryemadhi, të cilët thanë se ditën e enjte, digjet “O Rama, o Ne”.

 Pati shumë njerëz që nuk e besuan, por më në fund ja ku u vërtetua që jemi opozitë e fjalës së mbajtur. Vërtet nuk u dogj qeveria, po u dogj opozita.

Ky është një moment i madh pajtimi dhe reflektimi edhe brenda opozitës, pasi të gjithë ata që u bën nervozë që Basha nuk i ka zgjedhur deputetë, do ndjehen të barabartë me ne dhe do bashkohen me ne.

Nga ana tjetër që të mos kemi më sherre brenda PD nuk do hymë as në zgjdhje lokale, se po hymë do kemi prap përçarje, dhe sulme kundër Lulit, duke i thënë: “Pse zgjodhe atë, e nuk zgjodhe këtë”. 

Duke qëndruar jashtë Parlamentit, jashtë zgjedhjeve dhe jashtë jetës politike, ne kemi mundësi të forcojmë unitetin, të mos bëjmë gabime dhe të bëhemi parti e fortë.

Por mbi të gjitha ky akt ka rëndësi të madhe, pasi tani Lulin nuk e mund dot më askush. Edi Rama ishte mësuar që e fuste Lulin në zgjedhje dhe ta mundte. Tani ai nuk ka për ta mundur dot më kurrë, pasi nuk ka ku ta gjejë, as në Parlament, as në zgjedhje. Ai në punë të vet, ne në punën tonë. 

Vetëm kështu jemi të sigurtë që jemi shumica e vendit, jemi si gjithë populli që nuk është as në Parlament dhe as në pushtet.

I juaji Jari!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje