Jari merr udhëzimet e Lulit për mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PD

19 Shkurt 2019, 19:06Antena TEMA

Sot nisi si një ditë fantastike për Jarin.

Që në mëngjes e mori Luli në telefon dhe e ftoi për kafe në zyrën e tij në PD.

Ju desh pak kohë që të merrte veten nga emocionet, sepse kishte tre muaj që nuk e takonte dot, me përjashtim të ndonjë ceremonie, ku përshëndeteshin formalisht.

Dhe pasi veshi kostumin më të mirë, që ia kishin bërë dhuratë kur ishte president, u nis me nxitim drejt SHQUP-it.

Luli e priti tek dera e zyrës, por Jarit iu duk i zymtë, ndryshe nga ç’e priste.

-Çfarë ka ndodhur, je mërzitur për Florenc Hoxhën, e pyeti, i sigurtë që i kishte rënë në kokë?

-Jo more, kush po e çan kokën për atë. Por të thirra se duhet të bëjmë nesër atë mbledhjen e Këshillit Kombëtar për djegien e mandateve dhe ti duhet ta drejtosh.

-Shumë mirë, mezi po e pres atë moment, kur do t’i japim grushtin dërrmues Edi Ramës.

Por mendoj që më mirë ta hapë Doktori mbledhjen, dhe pas tij të flas unë.

Për çudinë e tij, fytyra e Lulit nuk ndryshoi, dhe kjo e çuditi shumë Jarin.

-Mos ki merak fare se do të votojë me unanimitet Këshilli Kombëtar, i tha për ta qetësuar me një lajm të mirë.

E kanë marrë vesh të gjithë se vendimin e ka marrë Doktori dhe nuk do të ketë rrjedhje votash.

-E di atë e di, por puna është si ta shtyjmë ca ditë, që të ndërhyjnë ndërkombëtarët dhe të mos na digjen me gjithë mend mandatet, se nuk i dihet si shkon pastaj.

Treçereku i grupit është bërë tym dhe nuk e di sa do të mbajnë për të mos dalë publikisht, dhe kjo do na hidhte në erë.

Por më e keqja është se po ikëm ne, na hyjnë plot nga ata që vijnë pas nesh në listë, se për ata që nuk fitonin, kunati im nuk ishte shumë vigjilent, sepse për numërorë topi i kishim.

Ku ta dinim që do të na vinte kjo ditë.

-Pse nuk thua që qenke nxituar kur e bërë atë deklaratën, tha me gjysmë zëri Jari.

-Nuk kisha çfarë bëja, se me thirri Doktori, dhe ishte më i xhindosur se kurrë.

S’më la të flisja fare, por më tha që të dilja në konferencë shtypi, se ua tregonte mirë ai atyre.

Edhe Mona më tha se ia kishte prerë shkurt Iliri dhe nuk e kishte lënë fare të shpjegohej.

Nga LSI është më keq situata për ata që vijnë në radhë nga lista.

Asaj të shkretës i vajti dëm edhe ajo deklarata që i kanë marrë me gjak mandatet, aq e papritur ishte kjo që na ndodhi.

Jarit iu shua gjithë entuziasmi i mëngjesit dhe nuk dinte ç’të thoshte.

-Por çfarë mendon t’u kërkosh të huajve kur të vijnë për të negociuar që të mos digjen mandatet?

Se nuk mund të dalim pa gjë fare nga e gjithë kjo histori!

-Si fillim mendoj t’u themi që t’i heqin Doktorit këtë refuzimin e vizës amerikane, se mbase zbutet dhe qetësohet ai, por gjithësesi duhet ta pyes atë vetë, që të mos bëj ndonjë gabim.

-Mirë e ke menduar, tha Jari, dhe hasi në vështrimin e trishtuar dhe lutës të Lulit, që po e përcillte tek dera e SHQUP-it.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje