Kompani “fantazmë”, të pakontrolluara nga shteti, masin audiencën e TV-ve që xhirojnë miliona euro

12 Mars 2019, 20:50Sociale TEMA

“Fiks Fare” denoncoi mbrëmjen e së martës disa kompani të pakontrolluara nga shteti, pa të ardhura dhe pa punonjës, të cilat kontrollojnë audiencën e televizioneve që kanë qindra punonjës dhe xhirojnë dhjetëra miliona euro në vit.

Të ardhurat e vetme për televizionet janë reklamat, por disa kompani dezinformojnë tregun, duke bërë matje audience me aparatura që nuk i kontrollon dhe nuk i certifikon askush.

“Fiks Fare” ka bërë një vëzhgim për dy kompanitë “Abacus” dhe “Telemetrix”, të cilat masin audiencën e televizioneve në Shqipëri.

Kompania “ABACUS” është themeluar në vitin 2011, ndërsa në vitet 2012 deri në 2014 ka qenë e pezulluar. Nga viti 2015 deri në vitin 2018 ka bërë matje audience. Por, në Qendrën Kombëtare të Biznesit, kjo kompani nuk figuron të ketë bërë asnjë investim në teknologji.

Emisioni “Fiks Fare” siguroi disa dokumente nga QKB-ja, ku rezulton se “ABACUS” deklaron të ardhura minimale në bilancet vjetore. Rezulton se ka vetëm një të punësuar dhe dy aksionerë. Është shitur dhe blerë disa herë, ku kuota e shitjes ka qenë 50.000 lekë të reja.

“Fiks Fare” shkoi disa herë në kompaninë “Abacus”, duke tentuar që të flasë me pronarët apo administratoren. Por, në po kaq herë nuk ka arritur të kontaktojë asnjë prej tyre. Në zyrë qëndronte vetëm një punonjëse, e cila fillimisht thotë se kompania ka leje nga entet publike. Por, në asnjë rast, pronarët apo punonjësit nuk japin shpjegime se çfarë pajisjesh kanë të instaluara, e nëse ato janë të licencuara apo të akredituara.

Madje, punonjësja nuk e dinte se çfarë pajisje kishte kjo kompani, apo nëse pajisjet janë shtrirë apo jo në të gjithë territorin. Gazetarët komunikuan në telefon me administratoren e kësaj kompanie, znj. Jusilda Boçaj, e cila nuk pranoi që grupi i xhirimit të “Fiks Fare” të xhironte brenda ambienteve për të parë nëse kishte apo jo pajisje. Për të gjitha pyetjet, administratorja kërkoi që t’i nisnim një kërkesë për informacion.

Pas disa tentativash në zyrën e kompanisë “Abacus”, redaksia e emisionit “Fiks Fare” merr informacion se administratorja punon në një tjetër vend, si drejtoreshë në një kompani marketingu, në konflikt të hapur interesi. Ajo përsëri nuk pranoi të kthente përgjigje për pyetjet që “Fiks Fare” i kishte dërguar me kërkesë zyrtare. Për sa i përket punësimit të saj si drejtoreshë në një kompani marketingu, ajo tha se kjo është një e drejtë e saj.

Administratorja nuk iu përgjigj asnjëherë pyetjeve të “Fiks Fare” për numrin e aparaturave që kanë të shpërndara në Shqipëri, për certifikimin e tyre apo metodologjinë që përdorin në matjen e audiencës.

Nga informacionet që disponon “Fiks Fare” rezulton se, në fund të vitit 2018, kjo kompani ka ndërprerë këtë shërbim, megjithëse në Qendrën Kombëtare të Biznesit shoqëria është aktive!

Kompania e dytë që mat audiencën e televizioneve në Shqipëri është “Telemetrix”, e cila operon që prej vitit 2012. Sipas Qendrës Kombëtare të Biznesit, kjo shoqëri ka disa aksionerë.

Nga informacioni që siguroi “Fiks Fare” rezuton se, dy prej aksionerëve të kësaj kompanie kanë 4 kompani marketingu; z. Ardian Garo është aksioner edhe në 3 kompani që operojnë në fushën e marketingut dhe z. Bledar Sema, që është ortaku tjetër i “Telemetrix” me 10% të aksioneve, ka aksione në një tjetër kompani marketingu. Pra janë në konflikt të hapur interesi.

“Fiks Fare” kontakton me administratorin e kompanisë “Telemetrix”, z. Ivi Rexhepi. Ai tregon se kompania ka 5 punonjës, ndërsa në të gjithë Shqipërinë janë vendosur 375 aparatura në familje. Sipas Rexhepit, pajisjet janë prodhuar nga vet kompania dhe nuk janë të licencuara apo akredituara. Ai thotë se këto familje paguhen nga kompania, por çmimin e pagesës nuk e thotë. Sipas tij, 375 familjet janë në Tiranë, Shkodër, Fier, Korçë, Durrës dhe Elbasan.

“E vetmja licencë që kemi ne janë klientët tanë. Pajisjet nuk janë të licencuara se nuk ekziston një ent publik dhe duhet të krijohet kjo aparaturë. Ne aparaturën e kemi krijuar në bazë të disa metodave ndërkombëtare. Aparaturat janë krijuar nga ne, i vetmi akreditim është portofoli i klientëve tanë”, thotë Rexhepi.

Kur “Fiks Fare” e pyet nësë kjo kompani shkon pas këtij portofoli, administratori i “Telemetrix” tha: “Klientët tanë janë kundërshtarë me njëri-tjetrin dhe ne nuk favorizojmë asnjë, megjithëse është përmendur shumë”.

“Fiks Fare” kërkoi leje nga adminsitratori i “Telemetrix” për të parë një aparaturë të tyre për matjen e audiencës dhe të filmojë në një familje ku është instaluar kjo aparaturë, por ai nuk pranoi. Sipas z. Rexhepi, lista e familjeve ku janë vendosur 375 aparaturat e “Telemetrix” është konfidenciale dhe çdo familje identifikohet me kod, madje edhe adresa është me kod.

“Kur të ketë një institucion që do të më kontrollojë, do t’i nxjerrim këto lista”, thotë ai. Sipas tij, matja e audiencës në aparatet e vendosura në familjet bëhet me audio, që do të thotë se serveri merr audiot e aparateve të vendosura në këto 375 familje, pa figurë.

“Fiks Fare” filmoi edhe serverin ku ruhen të dhënat e 375 aparateve, server që ishte vendosur në një dhomë dhe nga pamjet kuptohet se ky server është shumë i vogël, madje dhoma i ngjason më shumë një magazine, pasi në të janë disa kompjuterë të prishur.

Për këtë problematikë, “Fiks Fare” iu drejtua kryetarit të AMA-s, z. Gentian Sala.

“Ligji për mediet audiovizive nuk shprehet për kontroll dhe monitorim të matjes së audiencës. Ka dy apo 3 kompani që e bëjnë këtë proces me nismën e tyre. Tregu i reklamës përbën të ardhurat e medieve dhe duhet të jetë sa më i rregullt”, thotë kreu i AMA-s.

Më tej, ai shton se ky shqetësim ka shkuar në këtë institucion nga disa TV private, por shqetësimet vijnë edhe nga Këshillit i Europës.

“Para disa muajsh kemi marrë nismë për të diskutuar me të gjithë aktorët e këtij tregu. Dolën problematikat dhe u ra dakord që do merret ekspert nga Europa. Jam i shqetësuar që aktorët kryesorë të kësaj fushe duhet të ndërgjegjësohen që të bëhen bashkë dhe të bëhet një matje audience si në të gjithë Europën”, thotë Sala.

Në fund, ai pohon se ka ardhur koha që një gjë e tillë të realizohet.

“Duhet të krijohet një grup pune që të dalim në një rezultat. Ne nuk na lejohet që të hyjmë në kontroll dhe monitorim të këtyre kompanive”, përfundoi kreu i AMA-s, Gentian Sala.

2 komente në “Kompani “fantazmë”, të pakontrolluara nga shteti, masin audiencën e TV-ve që xhirojnë miliona euro”

  1. Moni says:

    Konflikt interesi do ishte po te ishin aksionere ne mediat qe monitorojne. Por nese jane aksionere ne agjensi reklamash ku eshte konflikti i interesit? Eshte e kunderta madje. Agjensite e reklamave jane te interesuarit e pare per te njohur audiencen reale, sepse keshtu e dine ku ti cojne dhe sa vlen koha e publicitetit tek x apo y media. Po Topit i paska djegur suma me sa duket se do kete dale audince e dhjere dhe bejne keto investigimet e leshit.

  2. nardi says:

    per momentin un besoj vetem albepg.com pasi jep panoramiken e preferencave te shqiptareve per kanalet e tyre te preferuara.
    me 375 familje nuk mund te stabilizosh nje audience te besueshme… te pakten te faqja web e albepg.com jane vizitoret ata qe krijojne audiencen e televizioneve shqiptare.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje