Gomari në film

13 Mars 2019, 16:03Blog TEMA

Nga Pëllumb Kulla*

Filmi kishte temën e fshatit.

Qemë kthyer të lodhur nga sheshi i xhirimit dhe u shtruam të hanim darkë në çadrat, që patëm ngritur në afërsi te Gollokamjes.

Kishim mbaruar së filmuari një episod, në të cilin heroi i filmit tonë lexonte gazetën, teksa ecte shaluar mbi gomarin e tij.

Gomari, i lënë me kapistër zvarrë e nga ta hiqnin këmbët, duhet ta shpinte heroin tonë drejt e në mbledhjen e organizatës së grave…

Nejse, pa pritur, na u shfaq në çadër kryetari i Këshillit të fshatit dhe na gjeti rreth tryezës. E ftuam të ulej me ne, por ai nuk pranoi. U interesua për hallet që kishim, a ishim të kënaqur nga furnizimet, që fshati na i sillte aty në çadër, a kishim pakënaqësira…

“Si vajti puna sot?” na pyeti më në fund.
“Mirë,” i thamë. Pastaj na pyeti çfarë kishim filmuar. Ai e dinte mirë se ç’patëm bërë, por nuk dinte se qysh të na e shfaqte ankesën, për të cilën edhe ish munduar deri aty.

“Shikoni si është puna, shoku regjisor,” m’u drejtua. “Mua më vjen zor, bile shumë zor, se ky që do t’ju them, është një budallallëk, por ju, …ëëë… nuk duhet të bëni gjëra, pa na pyetur ne të Këshillit!”
Nuk po ia kuptonim hallin.

“Gomari që keni përdorur ju për filmin, nuk bën. Ai gomar, i përket një njeriu, që ka qenë shtatë vjet në burg. Atë, të zotin e asaj kafshe, ne e trajtojmë si një njeri të padëshiruar, të deklasuar, që ta kuptoni më mirë.”
Në fillim ne shqyem sytë, pastaj ia plasëm gazit.

“E di që është për të qeshur, por këto punë janë me bela,” na tha. “Na pyesni ne, dreqi e mori! Përse jemi ne këtu?!”
“Gomari është gomar!” ia kthyem ne. “Nuk ka as emër, as lidhje me luftën dhe socializmin. Ç’na duhet ne, i zoti i tij?!!!”

“Dakord. Tërësisht dakord, por ja… Nuk bën!”

Dhe na shpjegoi, që ai as do të na kishte shqetësuar fare, por në fshat kishin plasur grindje dhe puna qe trashur. I zoti i gomarit po çmëndej nga lumturia, që ia kishin marrë kafshën në film. Ai e quante këtë një nder të madh e prapa kësaj shihte një të ardhme të qetë. Gjoja nga qeveria paskej ardhur udhëzimi që, si familje, ata t’i trajtonim më mirë. Ja, së pari, pat thënë ai, filluan me gomarin! Ia kishin marrë në film! “Kaqë ishte,” pat thënë, “mbaruan kusuret e mia! E përpjeta fillovi!”

Dhe vërtet, në çastin që kryetari po na qortonte, i zoti i gomarit ndodhej akoma në klubin e fshatit dhe qeraste me raki të gjithë sa afroheshin në banak. Kjo pat shkaktuar zili dhe shumë bashkëfshatarë vazhdonin të trokisnin në portat e anëtarëve të Këshillit. Fshatarët e ndjenin veten të fyer dhe kishin thënë, se nuk do të shkonin të shihnin kurrë një film, ku zinte vënd gomari i një armiku të pushtetit. Më kishin sharë mua si regjisor, operatorin dhe grupin e xhirimit, që, me sa u dukej, kërkonim të zbutnim luftën e klasave në Gollokamje.

Ndërsa kryetari na vinte në dijeni për zhurmën e ngritur, ne qeshnim e qeshnim. Por i pari i fshatit u fye.

“Ju mund të qeshni sa të doni,” na tha, “por ne me këta njerëz kemi të bëjmë. Ju, këtej, nuk keni të bëni vetëm me mua! Iku, vërtet, koha e Rako Barutit me shokë. Ne që drejtojmë tani, kemi mentalitete të reja. Unë jam agronom i lartë dhe më vjen t’ju bashkohem dhe të qesh me ju deri në mëngjes. Por fshati, të dashurit e mi, është po ai. Nuk ka vajtur në shkollë të lartë fshati. Më besoni: nuk kthehem dot në shtëpi, se fshatarët më janë mbledhur aty para oborrit, kanë rreshtuar gomarët e tyre, si për të thënë, shoku kryetar ja ku i ke këta që u bie bretku, që mbajnë drutë dhe shkarpat. Kur është puna për qejf, për filma e bilmemera, thirren gomarë të tjerë, ëh?! Shokë artistë këto punë janë me telashe. Të më pyesnit mua, para se ta bënit këtë punë, do t’jua kisha zgjidhur këtë problem për bukuri. Gomarë të pashëm dhe me përbërje të mirë, ne kemi plot në Gollokamje!”

I thamë se kishim udhëzime të përpikta, që kryetarët e këshillave duhet t’i pyesnim vetëm kur bëhej fjala për të angazhuar njerëzit e vendit, si figurantë.

“Po gomari, shoku regjisor, a nuk është, siç i thoni ju, figurant?!” më pyeti mua duke u kthyer kurrizin të tjerëve që po zgërdhiheshin. “Zjarrin na keni futur, zjarrin!”

Dhe kryetari u nda me ne i zemëruar. Sa qe ai aty, ne çoku edhe i mbytëm të qeshurat, pastaj, me të ikur ai, nuk i mbajtëm dot më. Qesh e qesh e qesh, na u lodhën brinjët atë natë!

Pas dy ditësh, ne mbaruam xhirimet, shkulëm çadrat dhe u kthyem në Kinostudio. Materialet e filmuara i kishim në laborator dhe të gjithë këtë histori ia treguam Drejtorit të Përgjithshëm, teksa po na gostiste me kafe. Ai desh ra përmbys mbi filxhanët e kafesë. Thirri Shefin e Personelit dhe na shtrëngoi që tregimin ta nisnim për të nga e para. Të dy fshinin lotët dhe mbanin brinjët me duar.

“Hej, sa prapa kanë mbetur atje, në fshat! Edhe gomarëve duan t’u kufizojnë të drejtat. Ç’faj ka e gjora kafshë?! E po, për ideal, deri këtu?!”

“Sa herë të shikoj filmin tuaj,” na tha Drejtori, i Përgjithshëm “unë me siguri nuk do ta mbaj dot gazin.”
Por nuk qe e thënë ta shikonte. Ca ditë më pas, ndërsa po bënim montazhin, po ky drejtor, hyri në laborator, hundë e buzë.
“Dëgjoni këtu!” tha. “Nuk do të bëni asgjë, pa pyetur autoritetet lokale! Ka njerëz të papërshtatshëm. Ka shtëpi famëkeqe të eksponentëve të reaksionit.”

I thamë se udhëzimet i dinim përmendësh dhe se ne i zbatonim ato.
“Mos m’u shitni si ëngjëj!” uluriu ai. “A nuk më treguat ju për atë gomarin?! Kështu i zbatoni udhëzimet?!”
Unë dhe asistenti im u syndërsymë.

“Po ju shoku drejtor… qeshët!”
“Qesha, tamam qesha! Se edhe unë i marr lehtë ca gjëra. Por më kanë zbrazur sot një dush të ftohtë në Komitetin Qëndror! Që ta mbaj mend! Sa qetë larguar ju, zënkat në Gollokamje ishin bërë të përditëshme. Ai i zoti i gomarit, – më gomar se gomari ai(!), – në vend që ta linte me aqë, qënkej bërë i padurueshëm. Vërtitej me kakapërllëk nëpër fshat, sikur kishte pushtuar Hollivudin! U ngrinte nervat bashkfshatarëve. Kur ata kalonin përpara tij, me gomarët e tyre, ai ua shihte kafshët e gjora me përçmim dhe u nxirrte gjuhën. Njerëzit nuk e kishin duruar dot, dhe gomarin e tij ia paskëshin hedhur nga shkëmbi. Që ta dini, ai artisti juaj, ju la shëndetin, i ktheu potkonjtë nga dielli!”
Dhe Drejtori i Përgjithshëm kish një kënaqësi të egër në dhënien e këtij lajmi!

“E po, për besë, kjo është poshtërsi!” nuk u përmbajta unë.

“Thua ti!” m’u përvesh drejtori. “Në fshat, kishin nxjerrë thikat. Fis me fis! Një plenum i Komitetit të Partisë në rreth, u mblodh! Vetëm për këtë problem!”

“Për… për një gomar?!!!”
“Jo për gomarin! Jo për gomarin!… Nuk ka komitet që të mblidhet për një gomar! Në rend të ditës kishin vënë format e spërdredhura të shfaqjeve të luftës së ashpër klasore. Por ama, në fakt, ai gomari juaj, ja, ai, mblodhi një plenum! Pastaj, varda problemet: kishin trajtuar unitetin; kishin përmendur një për një lëshimet që kërkohen; kishin rikujtuar se armiku kërkon të futet atje ku duket se, gjoja, nuk ka asnjë të keqe. Plenumi ka dalë me përfundimin se ne me lëshime të tilla rrezikojmë lirinë e atdheut…”

“Lirinë e… e atdheut?!” mezi belbëzova unë që nuk po u besoja veshëve.

“Të atdheut, të atdheut! E të tjera, e të tjera. E në fakt, dreqi ta marrë, në këtë ngjarjen tuaj, ajo e gjora liri e shqiptarëve është në valle!”

Dhe drejtori u mat të ikte. Kur arriti tek dera, unë guxova:
“Sidoqoftë, ne e bëmë. Ai episod…”

“Episodin hiqeni!” na urdhëroi prerë. “Atë gomar, nuk dua ta shoh në film!”

Dhe episodi u shkurtua, u pre, u hoq! Mëkat! Gomari i gjorë, që shfaqej në të, vërtet nuk i plotësonte kushtet politike, por… Kafsha fatkeqe aty në filmin tonë dukej bukur.

Ishte vërtet një gomar me nur…
………………………………………………………….
“Lejlekët nuk vijnë më”

11 komente në “Gomari në film”

  1. Moisi Golemi says:

    Pordha gomari.

  2. Fshatari nga Zemblaku says:

    Futja pordhes o Mullep. Hiperbola dhe litola jane te kendshme kur perdoren ne proze por shtrirja pertej kufijve te imagjinates rezulton si ajo tullumbacja e plasur. Keshtu edhe tregimi yt o Mullep. Mire gomari na ngordhi por sna lene mizat rehat thuhet atyre nahijeve te Korces.

  3. saliu says:

    O mos vdeksh kurre o Pellumb Kulla se po me dhembin brinjet nga te qeshurit.
    hahahahahahahah fantastike. Kemi plot gomare te tille akoma hahahahahahahah

    1. ben says:

      saliu-po thonja me vehte te njejten gje. “Mos vdeksh kurre Pellumb Kulla, je nje pende e arte.”
      Disa nga komentuesit ketu me lart na jane merzitur, po s’ke c’ti besh. Ka njerez e njerez. Penda Pellumbit eshte ca e “rende” per tu kuptuar.

  4. Qylafi says:

    Nuk e lexova deri ne fund, jame mesuar me tregimet e shkurtra te Pellumbit, por me kujtoi nje ngjarje te vertete, dikur ne nje fshat te thelle. ndryshe nga kjo. Nje gomar i nje kulaku i hengri veshin gomarit te sekretarit te partise dhe i zoti i gomarit u denua me burg per demtim fizik te gomarit te sekretarit te partise. (pasi krahas kesaj e akuzuan edhe me agjitacion e propogande kundra partise) .

  5. tqn says:

    Kam idene se ky gomari i deklasuar eshte vete autori i shkrimit.I ngjan ne te gjitha aspektet.Ta gezoje!

  6. Jimi says:

    Sa fshikullus per ish kulaket ne kohen e partise, aq fshikullus je edhe sot per ish komunistet ne kohen e Salise!? Megjitheate bukur!

  7. Sociologu says:

    Humor per gomer…
    I ka ngelur ora ne vitet 80′

  8. Nik says:

    Pèllumbè je dhe mbetesh i pavdekshèm ,e lexova me vèmèndje dhe mè vjen tè qesh kur kujtoj idiotèsit qè partija nèpèrmjet propagandès kèrkonte tè mbulonte varfèrin qè kishte pllakosur mbi vendin tonè.Po ju vij nè ndihmè i dashur Pèllumbè po ju rrèfej pèr periudhèn e viteve 1983/84 ndoshta ju punonit me estradèn nè Vlorè.

    Njè komedi orgjinale ,njè dolli pèr Duçen nè Vlorè.
    Bèhet njè darkè nè Sevaster tè Vlorès ku tè ftuar ishin rreth 40 burra ku midis tyre ishte pjesmarrès njè prej gjyshèrve tè mi i cili kishte bèr rrugèn prej 40 km nga Peshkèpia(vlorè) me makinèn e kooperativès gjer nè Sevaster(vlorè)Siç tregonte gjyshi mè vonè darka na u nxeh shumè ca nga shelegèt e pjekur plusè rakija qè shkonte lumè.Veterineri i kooperativès sè Stevasterit njè djal i ri me emrin Guçe ndjes past ka shkuar nè parajs para kohe,ishte njè veteriner i mirè por kishte dhe humorè,mbasi shikon se ambjenti ishte ngrohur mir nga rakija ngihet dhe merr njè dolli;Shokè thot,tè marrim njè dolli pèr Duçen,njerèzit tè dehur siç ishin hajde ta gèzoj Duçja ,tjetri qè ishte mè esèll nga fundi dhe me tesrèn e partis kundèrshtoj;mbahuni oo burra por unè dolli pèr Duçen nuk e pij,ja kthen veterineri Guçja,jo more shokè jo sepse unè dollinè e ngrita pèr vehten time,jo ti dhe jo unè çèshtja pèrfundoj nè hetuesinè e Vlorès.

    Mè e bukura èshtè se tè 40 burrat qè morèn pjesè nè darkè u thirrèn nè hetuesin e vlorès njè nga njè dhe mè e bukura èshtè se njè kushèri punonte shofer nè hetuesi dhe e njihte gjyshin dhe e porositè qè kur tè shkosh tek hetuesi ti thuash se unè dollin dègjova se e ngritèn pèr Guçen pèrndryshe nuk e ktheja gotèn me fundè tè rakisè.Shoferi kishte folur me hetuesin t’a shtrèngonte pak gjysin nè pyetje dmth tè tallej pakè me tè,kthehet gjyshi nga hetuesi dhe e pyesin hèèèè gjysh si shkoj puna nga hetusia?Hiç,mè pyeti hetuesi se mos piva dollin pèr Duçen,i thashè ,jo mor djalè se unè e luftova italjanin nè 40 èn .
    Mè falni mbase u zgjata por èshtè histori e vèrtet dhe falè Pèllumbè Kullès me perlat e tij mè vijn kujtime tè atyre viteve.

  9. qytetare says:

    Eshte shume me fine e me e guximshme fabula e Driteroit per gomarin para kalit.

  10. Shume bukur e ke shkruar o shoku i ngushte i Zaimit te Menkulazit,,shume film i mire me aktorin kryesor [GOMARIN] qe je ti kryesori o njeriu i dashur i Gani Zemblakut,ballist me damke

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje