ITB 2019: Shqipëria dhe Kosova – një bilanc

Më e përgatitur se vitin e kaluar ishte Shqipëria në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit këtë vit, por ende i mungon një koncept joshjeje të vazhdueshme në stendë. Kosova paraqitet me të njëjtën moto.

Nga Anila Shuka

Çfarë komplimenti! Shkon në faqen online të Lonely Planet dhe shikon Kosovën, destinacioni i katërt në listën e më të mirëve të Evropës për turizëm. Lista “Best in Europe”, që shtëpia botuese nga më cilësoret për udhërrëfyes turistikë e ka publikuar qysh në maj të vitit të kaluar, hapet me krahinën e Emilia-Romagna-s në Itali dhe mbyllet me Tiranën, kryeqytetin e Shqipërisë.

Kosova ende në pritje të ligjit

Nga prezantimi që iu bë Kosovës në panairin më të madh të turizmit në botë, ITB 2019, nuk të krijohet përshtypja që qeveria e Kosovës është në dijeni të këtij klasifikimi. Ndryshe është e vështirë të kuptohet se përse Kosova, ku vizitorët vijnë me pritshmëri të lartë, ende kishte një stendë pa program dhe me sloganin e një viti më parë: “Ready for you!” (Gati për ju).

Në fakt stenda me ngjyrë blu dhe ekran, ku shiheshin bukuritë natyrore te Kosovës, nuk promovonte vetëm turizmin, por në përgjithësi biznesin e vogël dhe të mesëm në Kosovë. Ajo është stenda standarde e KIESA-s, Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë, e cila përkujdeset për prezantimin Kosovës në emër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë në panaire biznesi nëpër botë.

Shtatë turoperatorë ka ftuar sërish KIESA të prezantojnë punimet e tyre në panair. Një nga pikat më të rëndësishme të ofertave janë ato kulturore dhe outdoor. Si slogani i stendës, i cili ekziston  tashmë prej dy vitesh, ashtu edhe i gjithë sektori i turizmit në Kosovë janë ende në pritje që turizmi të merret seriozisht nga organet zyrtare në vend. Në radhë të parë me anë të një ligji enkas për turizmin, i cili është hartuar por nuk po miratohet, siç i tha DW-së Arsim Rexhepi nga Kosovo Holidays, që vazhdonte të qëndronte në stendë të shtunën pasdite, së bashku me përfaqësuesin e Outdoor Kosovo.

Rexhepi, i cili ka marrë pjesë vetë në hartimin e ligjit, shpreson që ligji në radhë të parë të përcaktojë standardet e turoperatorëve dhe t’i hapë rrugën krijimit të një Agjencie Kombëtare Turizmi, siç e parashikon projektligji aktual. Por nuk dihet nëse ky projektligj do të miratohet ashtu siç është dorëzuar. “Nëse Agjencia Kombëtare e Turizmit, sikurse po dëgjojmë, do të hiqet me të vërtet nga drafti e do të zëvendësohet me një drejtori në kuadër të Ministrisë së Tregtisë, kjo  sigurisht që është diçka pozitive,” thotë Rexhapi,  “por drejtoria do ta bënte sektorin të varur nga  koniunktura politiko-partiake.”

Por si me drejtori, si me agjenci, Kosova ka shumë më tepër çfarë të ofrojë se sa një stendë me slogan universal.  “Ndoshta kjo do të ndodhë vitin e ardhshëm”, thotë Rexhepi. Lind pyetja se a do të jetë edhe vitin e ardhshëm Kosova një ndër destinacionet e sugjeruara të Lonely Planet?

Joshje e limituar

120 metra katrorë, 23 operatorë – stenda e Shqipërisë në ITB 2019 dukej më grishëse se vitin e kaluar. Agjencia Kombëtare e Turizmit kishte nxjerrë mësim nga 2018-a, ku 28 operatorë ishin ngjeshur bri njëri-tjetrit në 70 metra katrorë sipërfaqe në një cep të hollit 3.2. Kësaj here stenda mund të shfrytëzohej nga të katër anët. Padyshim ajo ishte më përfaqësuese dhe binte në sy menjëherë, paçka se jo te zona e Ballkanit, sikurse qe Kosova, por tek zona e Turqisë. Kishte edhe një bar, ku mund të ofrohej diçka për të pirë për mysafirët ose ata që donin t’i shqyrtonin me qetësi ofertat turistike të Shqipërisë.

Në ditën e hapjes, 6 mars dhe 7 mars, një atraksion i stendës kishte qenë edhe piktori Amarildo Ruci, që do të tërhiqte vëmendjen e publikut duke pikturuar me gishta në prani të vizitorëve pjesën e pasme të stendës: Një panoramë nga bregdeti shqiptar. Në një kronikë të përgatitur nga  një televizion shqiptar dukeshin edhe dy gra të veshura me kostume popullore që shpërndanin raki. Në ato dy ditë kur unë u gjenda në stendë, të premten dhe të shtunën, më 8 dhe 9 mars, i vetmi atraksion që kishte mbetur ishin prospektet dhe ekrani ku prezantoheshin bukuritë tashmë të njohura të Shqipërisë, por edhe specialitet shqiptare, të cilat, siç më thotë dikush, ishin vetëm në ditën e parë dhe të dytë të prekshme dhe të shijueshme. “Sa ishin kamerat”, dëgjoj një mërmëritje. Ata, të cilëve do t’u shkonte goja lëng nga gjellët që do të shihnin në ekran, mund të shkonin edhe tek stenda përballë, ajo e Qipros, ku shërbehej raki, gliko shalqiri, gliko portokalli dhe gliko arre, specialitete që i gjeje në thuajse çdo shtëpi tradicionale shqiptare.

Me afro 16 % ishte rritur numri i vizitave turistike në Shqipëri në vitin 2018 (5,9 milionë), në krahasim me vitin 2017 , siç bëhet e ditur nga Instituti Shqiptar i Statistikave (INSTAT). Sipas Organizatës Botërore të Turizmit pranë OKB-së, sektori i turizmit në Shqipëri sjell gati një të shtatën e të ardhurave në vend. Ky është vetëm impakti i drejtpërdrejtë. Impakti i tërthortë mendohet të jetë tri herë më i lartë.

Turizëm mjekësor 

Një vend të rëndësishëm në kuadër të industrisë shqiptare po zë turizmi mjekësor. Për herë të parë në panair u prezantua klinika dentare “Viaggiare e Sorridere” me stendën e saj në pavijonin e segmentit mjekësor. Ideja e këtij turizmi është që pushimet të shfrytëzohen edhe për shërbime shëndetësore. Vendin kryesor e zë turizmi dentar, por ka edhe oferta për ndërhyrje kozmetike, mjekësi riprodhuese (në ndihmë të çifteve që kanë dëshirë të kenë një fëmijë), por edhe mjekësi kurative, si vajtja në banja e llixha.

Rritja e këtij lloj turizmi nuk pasqyrohet në statistikat e Institutit të Statistikave në Shqipëri (INSTAT), (http://www.instat.gov.al/al/temat/industria-tregtia-dhe-sh%C3%ABrbimet/turizmi/#tab2), përkundrazi, sipas Instatit, hyrjet për qëllime mjekësore rezultojnë të kenë rënë gjatë viteve të kaluara. (2014: 1503;    2015: 1554; 2016: 663; 2017:  634; 2018: 276). Shifrat e habisin edhe Anduena Çelën, e cila sqaron se vetëm klinika “Viaggiare e Sorridere”, ku ajo është drejtore ekzekutive, ka pasur vitin e kaluar 1200 klientë. “Por në fakt, numri i tyre sa vjen e shtohet e po ashtu edhe klinikat, sepse e kanë parë se është biznes me leverdi.” DW e pyeti Instat-in se si mund të shpjegohet ky numër kaq i ulët i turistëve shëndetësore në Shqipëri, por nuk ka marrë përgjigje.

Garë për vëmendje  

Të shtunën, ditën e parë të hapjes së panairit për publikun e  gjerë, Anduena Çela, ishte një nga të paktat kompani që vazhdonte të qëndronte te stenda e Shqipërisë. Mes prospekteve që ajo kishte mbi tryezë ishin edhe një palë syze të dhënash, ndryshe syze realiteti virtual, me të cilat u tregonte të interesuarve se si do të ishte rrugëtimi i tyre që nga zbritja në aeroportin e Rinasit, te takimi me mjekun, trajtimi dentar ose kozmetik, turet që ofroheshin për pacientët e deri te kthimi sërish nga aeroporti. Anduana Çela tha se syzet ishin shumë të rëndësishme, pasi shumë pacientë tregoheshin skeptikë dhe kur dëgjonin trajtim mjekësor në Shqipëri: “Unë kam pasur klientë që na kanë pyetur se a duhet të marrim letër higjienike me vete,” – thotë Çela.

Realitet virtual dhe përjetime reale

Realiteti virtual po bëhet një pjesë gjithnjë e më e pandashme e turizmit të sotëm modern dhe po zë një vend gjithnjë e më të madh në tregtimin e produkteve turistike.  Në pavijone të tjera, si për shembull tek ai i Holandës, kishe mundësi fjala vjen të kaloje virtualisht bri lopësh, fushash me tulipanë dhe mullinj ere, ndërsa vetë i jepje biçikletës me të vërtetë. Sikur të ishe në Holandë, mungonte vetëm një ventilator për të simuluar erën.

Vende të tjera më ekzotike si Maldivet, një grup ishullor me 300mijë banorë në Oqeanin Indian, joshnin me përjetime reale: Me ndjesinë e pushimeve çlodhëse: Stenda në formë anijeje tërhiqte vëmendjen dhe ishte një pikë grumbullimi për shumë vizitorë, për shkak të koncerteve me muzike të lehtë me kitarë akustike. Tek e shijonin atë vizitorët koloviteshin të ulur në një stol mbi një parcelë të vogël rëre ose prisnin që t’u vinte radha për të bërë masazh falas.

Reklamë dhe biznes

Një kombinim midis reklamës dhe biznesit ofronte Bavaria, shteti i lirë gjermanojugor, kishte në mes të stendave një restorant me kuzhinë bavareze, ndërsa në një si banak prezantoheshin produktet e lidhura me turizmin bavarez, me një program të ngjeshur, që ndryshonte çdo gjysmë ore, e ku prezantoheshin njëri pas tjetrit bizneset e lidhura me turizmin në vend: Dikush rrëfente për hotelin-fermë të tij të trashëguar nga stërgjyshi, dikush tjetër shpjegonte se si e prodhonte verën, apo birrën  duke treguar dhe anekdota e detaje nga punishtja, ndërsa njerëzit kishin mundësi ta provonin atë në atë moment. Dhe teksa prindërit shijonin “vaktet e lëngshme” të prodhuara në Bavari, vajzat me flokë të gjata kishin rastin e rrallë ta bënin kokën e tyre me gërsheta bavareze.

Fillim i vështirë

Panairi i turizmit ishte këtë radhë më i qetë se vitet e mëparshme. Dhe për këtë nuk e kishin fajin stendat: Organizatorët dhanë si shkak për rënien e numrit të  vizitorëve me 10 mijë më pak (në gjithsej 160 mijë) faktin që Berlini krejt papritur kishte vendosur në mes të majit që ta shpallte 8 marsin ditë pushimi. Në fakt, moti i stuhishëm dhe i lagësht gjatë fundjavës ishte shumë i përshtatshëm për të bërë një vizitë në ITB. Por një problem i lidhur që në fillim me Bursën Ndërkombëtare të Turizmit të këtij viti ishte pikërisht sponzorizuesi kryesor Malajzia.

Qysh në konferencën e parë për shtyp minsitri i Turizmit i këtij vendi ia kishte prishur humorin kryeqytetasve me shprehjet kundër homoseksualëve dhe hebrenjve. Dy tema, për të cilat berlinezët janë mëse të sensibilizuar: E para, e mbrujtur nga thënia legjendare e kryebashkiakut të atëhershëm të Berlinit: “18 vjet më parë, unë jam gej dhe kjo është në rregull!”  Dhe e dyta për shkak të mësimeve të nxjerra nga historia e vet, se antisemitizmi duhet luftuar që në embrion. Për shumë komentatorë të ITB-së një ndër ta edhe editoriali i Travelbook (shtëpisë botuese më të madhe të mediave print në Gjermani Axel Springer) do të arrinte në konkluzionin se “ITB-së duhet t’i vijë turp që ka ftuar si partner një vend si Malajzia”.

DW

REMOTE_ADDR:[]

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *