Jari shpjegon pse “Dita e Verës”, është një festë komuniste, e shpikur kundër PD!

Ka pasur shumë debate për “Ditën e Verës”, për shtyrjen e saj që të festohet të dielën në Tiranë, apo për atë që ndodhi sot në Elbasan, ku u shpall “Festa e Lalës”, “Festa e Lulit” dhe “Festa e Lalit”.

Ky konfuzion ka ngjallur shumë debate brenda demokratëve, të cilët u ndjenë të tradhëtuar sot që në Tiranë nuk ra shi, me gjithë paralajmërimet e Lali Erit.

Të dashur demokratë!

Jari ju sqaron.

“Dita e Verës” është një festë e shpikur nga komunistët kundër PD.

Deri në vitin 2004 ajo festohej vetëm në Elbasan.

Në vitin 2004 në muajin Shkurt-Mars, PD nisi fushatën “Nano ik” dhe bëri dy mitingje të mëdha. Mitingun e tretë e kishim lënë për 20 mars.

Fatos Nano si dinak që ishte, duke parë që në mitingjet tona kishte shumë njerëz, shpalli me urgjencë 14 Marsin Festë Kombëtare dhe spostoi festimet nga Elbasani në Tiranë.

Ajo ishte një ditë e trishtuar për ne. Qindra mijëra njerëz shumë herë më shumë, se sa në vinin  në minting tonë, u lëshuan në Bulevardin kryesor të Tiranës dhe  mbushën Kodrat e Liqenit. Mitingjet tona me parullën “Nano ik” u sfumuan, dhe populli e pa, se ata që ishin gati për qejf ishin më shumë se ata që ishin gati për miting. Kështu mitingu ynë i tretë dështoi.

Këtë gjë ka bërë dhe Lali Eri këtë radhë. Ai e ka lënë festën të dielën, një ditë pas mitingut tonë.

Tani ne do bëjmë miting të shtunën, do mbledhim gjithë Shqipërinë, mund t’i vëmë dhe flakën Kryeministrisë, ose siç na ka porositur Bushati, t’i vëmë flakën dhe ndonjë oligarku të Ramës.

Pastaj vjen Lali Eri të dielën, nxjerr popullin në rrugë, nga Kodrat  e Liqenit dhe mbush Tiranën me gjysëm milionë njerëz dhe prap kuptohet se ata që duan qejf, janë më shumë se ata që duan luftë.

E gjithë kjo lojë me “Ditën e Verës” bëhet nga komunistët pë të na hutuar. Ashtu siç na shkatërruan lëvizjen “Nano ik”, duan të na shkatërrojnë dhe lëvizjen “Edi ik”. Ndaj ju bëj thirrje të bojkotojmë “Festën e Verës”. Ajo nuk është festa jonë. Vera e vërtetë vjen kur të fitojë PD.

I juaji Jari!

 

 

 

REMOTE_ADDR:[]

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *