Atletico Madrid “denoncon” Ronaldon me precedentin për pezullim

15 Mars 2019, 11:35Sport TEMA

Juventusi, pas gëzimit të kualifikimit në çerekfinale të Ligës së Kampionëve, mbetet i shqetësuar për skualifikimin e mundshëm të Cristiano Ronaldos. Festimi i tij provokues, në përgjigje të gjestit të Simeone, ka hapur shumë diskutime në Spanjë. Atletico Madrid, klub që nuk ka marrëdhënie të mirë me portugezin, dëshiron t’i shkojë deri në fund përplasjes.

Sipas “Tuttosport”, “Rojiblancos” kanë kërkuar nga UEFA të mbajë qëndrim mbi sjelljen e Ronaldos. Sipas këndvështrimit të tyre, gjesti i portugezit ndryshon nga ai i Simeone për një arsye të thjeshtë: “Cholo” është kthyer nga tifozët e vet, kur bëri atë veprim me duar, ndërsa CR7 iu drejtohej tifozëve kundërshtarë. Për këtë arsye, ato thonë se ishte gjest provokues.

Kjo është situata, që e frikëson Juventusin më shumë se çdo tjetër. Në Rregulloret e Disiplinës, në fakt, në nenin 15, sqarohet se provokimi i publikut çon në skualifikimin me një ndeshje, ose për një periudhë të caktuar më tepër se kaq, referuar shkeljes përkatëse.

Për momentin, UEFA nuk ka hapur ende ndonjë procedurë disiplinore, por kjo nuk i lë të qetë tifozët bardhezinj. Edhe në rastin e Simeone (më vonë u gjobit me 20 mijë euro), njoftimi i nisjes së procedurës mbërriti disa ditë pas gjestit.

Atletico Madrid i referohet edhe një precedenti, që duhet përdorur për të skualifikuar Ronaldon. Dhe nuk flitet për shumë kohë më parë. Dy vite më parë, në ndeshjen e Ligës së Kampionëve mes Celtic dhe Linfield, lojtari i bardhëjeshilëve, Leigh Griffiths, pati disa probleme me tifozët kundërshtarë. Nga këto të fundit u hodhën sende të forta dhe u provokua lojtari.

Pastaj, në fund të lojës, vetë Griffiths mori një shall të Celtic dhe e lidhi atë në hyrje të “Windsor Park”, stadiumi ku Linfield luan ndeshjet në shtëpi. Gjesti u konsiderua provokues nga UEFA dhe skualifikimi me një ndeshje mbërriti. Me pak fjalë, Juventusi mbetet i alarmuar dhe shpreson që UEFA të kufizohet veten në një gjobë të tipit ekonomik, duke u mbështetur në precedentin më të freskët, që është pikërisht gjesti i Simeone në ndeshjen e parë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje