Po humbasim mundësinë e një brezi!

15 Mars 2019, 20:22Blog TEMA
Po humbasim mundësinë e një brezi!

Ditmir Bushati

Politika shqiptare sërish është në një rrethrrotullim. Opozita ka ndërmarrë një veprim in extremis, siç është djegia e mandateve parlamentare. Një veprim i dëmshëm dhe me pasoja që kërkon të “militarizojë” mendjen dhe artikulimin publik. Bojkoti e ka shoqëruar, për fat të keq, jetën parlamentare gjatë gjithë trajektores së demokratizimit të vendit që prej shembjes së regjimit komunist, duke mos shënuar nga ana tjetër suksese të prekshme në arritjen e objektivit politik. Por kësaj radhe ne përballemi me një situatë të paprecedentë, pasi djegia e mandateve është një rrugë pa kthim, çka e bën rrjedhimisht më të vështirë parashikimin për daljen nga rrethrrotullimi.

E megjithatë, nuk do shumë mend për të kuptuar që takimi i pritshëm në qershor i Bashkimit Europian, ku do të shqyrtohet edhe mundësia e fillimit të bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë, do të ndikohet nga kjo situatë. Është e vërtetë që BE-ja po përballet me sfida të panumërta brenda shtëpisë dhe vëmendja ndaj oborrit të vet nuk është e madhe. Ky realitet duhet të na bëjë edhe më të vetëdijshëm e të përgjegjshëm për rrugëtimin tonë, pasi në BE askush nuk ka “oreks” të ulet në bisedime e të projektojë procesin e anëtarësimit me një vend, klasës politike të së cilit i mungon baza e kulturës politike, dialogu. Elementë këta, të trupëzuar edhe në të ashtuquajturat kritere të Kopenhagenit, që një vend aspirant për anëtarësim në BE duhet të përmbushë.

Pikërisht, rëndësia e përmbushjes së këtyre kritereve, jo vetëm gjatë procesit të anëtarësimit, e ka bërë BE-në që të zhvillojë mekanizma mbikëqyrës edhe për vetë vendet anëtare, në lidhje me sundimin e së drejtës.

Nuk e di pse është kaq e vështirë për të kuptuar se rreziku që i kanoset Shqipërisë nga mungesa e qartë e perspektivës europiane, është më i madh për ne sesa për BEnë. E them këtë, pasi BE-ja ka jetuar për një kohë të gjatë pa Shqipërinë dhe shqiptarët. Mund të jetojë fare mirë edhe dekada të tjera pa ne. Dikujt mund t’i duket i ekzagjeruar ky konstatim, por përveç integrimit europian nuk shoh asnjë mundësi tjetër që Shqipëria të zhvillohet e demokratizohet më tej. Është një rrugë e vështirë, që kërkon reforma shtetkonsoliduese dhe mirëkuptim politik. Një gjë të tillë na e dëshmon edhe eksperienca e vendeve të Europës Qendrore e Lindore, vende të cilat kanë pasur një traditë demokratike më të pasur se vendi ynë.

Për të ilustruar këtë rrezik ia vlen të kujtojmë se Shqipërisë së mesviteve ’90 iu ofrua mundësia për të nënshkruar një marrëveshje europiane me BE-në. Mirëpo, për shkak të krizës politike dhe kaosit që përjetuam në ‘97, u deshën rreth 10 vjet dhe vetëm në vitin 2006 nënshkruam Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, e cila gjithsesi nuk parashikon të njëjtën shkallë integrimi siç parashikonin marrëveshjet europiane. Nuk humbëm një stacion, as një dekadë, por mundësinë e një brezi të tërë, i cili do të ishte përfituesi kryesor i Shqipërisë Europiane. Sot mund të ishim fare mirë në një tryezë me Bullgarinë, Rumaninë apo me Kroacinë, e cila deri në 1995 ishte e përfshirë nga flakët e luftës. Mund të ishim përfitues dhe kontribuues më të mëdhenj e me më shumë plagë të kuruara nga tranzicioni.

Ndoshta gjëja më e thjeshtë që mund të bëjmë sot është të hedhim sytë nga fqinjët, të reflektojmë për një çast e ta ngulisim një herë e mirë në mëndje se, nëse nuk jemi në gjendje të krijojmë një perspektive të prekshme europiane e të gjenerojmë kapacitet për ndryshim duke dalë nga rrethrrotullimi, askush nga institucionet europiane nuk do ta bëjë një gjë të tillë për ne. E as nuk do të impresionohet nëse ne do t’u bishtnojmë përgjegjësive tona, duke mbetur peng të instinkteve të vjetra. Duke humbur kësisoj sërish mundësinë e një brezi, i cili nuk do të ketë zgjedhje tjetër veçse të na ndëshkojë.

3 komente në “Po humbasim mundësinë e një brezi!”

  1. Komentuesi says:

    Shume drejte zoti Bushati.Kryesisht Sali Berisha,ka qene dhe eshte pengesa kryesore per shqiperine drejte familjes Evropiane.Saliu therret e berrtet, “drejte ecvropes” por ne fakt ai e ka penguar me ndergjegje se eshte i porositur nga udb-ja si agjent besnik i tyre.

  2. Shkodrani says:

    Shko mor plehre! Ti na jep mend per lidhjet e Shqiperise me Europen, ti biri i Sules, qe per turpin e faqen e zeze te Shkodres e shkodraneve nuk ke ngrene plumbin ballit bashke me babane, por i kalon perdite nen hunde atyre qe i internuat dhe i nxite jeten.

  3. Monitor says:

    Eshte shkrim brilant ky i yti, z. Bushati! MB ka vite qe shkruan keshtu! Por…. politika se degjon! Konstatimi yt mbi humbjen e nje brezi eshte tashme nje realitet!
    Polika usa – be e ka kuptuar kete me sa duket! Kjo eshte aresyeja qe kandidatet e listes po inkurajohen te behen deputet!
    Aktualishte mesa duket nuk do te kete zgjedhje te parakoheshme! Megjithe meskinitetin e L.Bashes, ai duhet vleresuar se pari se para dy vjetesh fshiu nga lista rreth 22 persona te pergojuar si spiun apo te korruptuar dhe se dyti per djegjen e mandateve duke fshire nga lista dhe polika edhe Berishen, e nje tufe personash pa moral, dinjitet, pijanec, kokebosh dhe shpifsa si Alibegu, Paloka, Salianj, Grida. Mehdiu, Dash gallata, Ndok gjasme Nastradini, Noka fyelli, e nje tufe dallkaunesh qe kishin xene vendet ne krye te Opozites! Luli e di se ku mund te jete edhe sherbimi i tij fundit, ne mernyre qe pastaj te vijoj jeten e tij ne Hollande! Keta dallkauk nuk e kuptojne qe thjeshte per kete fakt nuk mund te behen zgjedhje te parakoheshme edhe sikur Rama te kishte bere ndonje gabim apo krim te nivelit te 21 janarit apo Gerdecit! Veprimi i pakonsultuar i L.Bashe ose eshte papjekuri ose eshte i porositur!
    Ajo qe evidentohet eshte se politika e perendimoreve e denoi si nje veprim anti demokratik, revolucionar dhe antisistem dhe se dyti ka nje aksion mbeshtetes dhe inkurajus
    te polikes perendomore per te mbushur parlamentin me kandidate te rinje, pra nje brez te ri. RUDINA H. duket interesante per syte e perendimoreve! Kjo duhej bere per Pd, sepse Berisha kishte arritur ta kthente ne parti familjare. Per Lsi asqe behet fjale! Parti qe antaresonte anetar duke i trajnuar korrupsionin dhe vjedhjen me profesion hajdut ne funksion te nje familje! Besoj se tashme loja po mbaron! Ky brez qe la parlamentin duhet ta provoj edhe njehere pas dy vjetesh, nese Drejtesia e Re nuk do ti ngaxmoj! Te shohim…koha ecen vetem para!
    BASHA me sa duket e kreu detyran e tij, pastroo PD.
    Tek Ps ndoshta Rama vete po behet problem, por ende ka potenciale te medha! Besoj si ti or mik ke perspective! Ky break i tashem per ty eshte pozitive! Por beje kujdes dhe mos e lesho vehten, mos te rreshqas kemba. Jo si Shkelqim Cani qe e la pozicionin e ministrit pas vitit te pare! Dhe sot… zero.
    Megjithe difektet G. RUCI duket si ” brez i ri”! Me vjen miku, por e verteta dhe koha jane te pameshirshme dhe te pakthyeshme!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje