Pse më tha Zeno Saraçi : “Lum ti qe e përcolle nënën me këngë”!

 

-Përsiatje nga cikli “ Na mbyti Politika”-

Kristo MËRTIRI

Pas 3 dekadave, ishte i pari “ 8 Mars” që nuk telefonova në Lushnjë. Trishtimi pikëllues e kishte mbytur urimin tim të përvitshëm. Zeno Saraci(Guce), një grua labe e rrallë në Myzeqe, ka mbyllur sytë përgjithmonë. Vendalinjtë e përcollën si bijën e tyre të dashur, të vecantë e zemërbehar, që u shërbeu një jetë të tërë me shpirt të kulluar e mëndjendricuar. Punëtore e bujare si ajo ! Kur dëgjoja mjaft lushnjarë që e thërrisnin “profesore”, ishin ditët e para të punës time si korrespondent profesionist pasi kisha lënë prapa jo pa drithërimë rrethet Përmet, Tepelenë, Gjirokastër e Sarandë.  Ishin gati “ta bënin hardhinë murriz” apo ta përkthenin ligësinë si sapun mbi gunën e kësaj bote të krokolepsur, sic i përcaktonte aq bukur e saktë Zenua jonë e paharruar. Madje, dinte t’u qepte aty për aty edhe bejte të mprehta humoristike jo dosido, plot kripë a piper labërie, që herë-herë ngjanin me shkumëzimin e bardhë të Gurrës së Picarit në Gjirokastër. Një ilac qetësues real e njerëzor. I ndrittë shpirti atje ku prehet në paqe me veten e të tjerët ! Kush e ka njohur nga afër prej të gjallëve në Myzeqe, me siguri do më mirëkuptojë menjëherë…

Sepse Nënat kanë qenë, janë e do të mbeten përjetësisht burim i pashterur frymëzimi e meditimi, dhembshuri pa anë e fund. Pas arratisë e mërgimit të detyruar ekonomik e politik në dhera të huaj, po i tregoja një episod plagëpambyllur ende e gati të pabesueshëm, tronditës. Mos e provoftë askush në jetë !(Episod që po e rrëfej për herë të parë publikisht).”…Po trokiste 28 Nëntori, mbi 20 vite më parë. Në emigracion, ajo datë ka një peshë reale të shumëfishtë atdhetarie për cdo shqiptar që ka lënë trojet e veta stërgjyshore, nënën, babanë, motrën, vëllanë, gruan e fëmijët, shtëpitë me oxhakët pa tym…Mjaft prej tyre heqin rrobat e punës sfilitëse, vishen si për festë jo të zakonshme dhe marrin udhët për te shtëpia e vetme e përbashkët : Në rezidencat diplomatike e konsullore, ku prushëron Dita e Pavarësisë Kombëtare. Dita e Flamurit Kuq e Zi !

Në Ambasadën tonë në Athinë kam ndierë nga afër emocione refugjatësh të vuajtur, urime, përqafime dhe sy të përlotur. Por edhe shpërthime të natyrshme me këngë popullore krahinore. Shpërthime malli e dëshpërimi : “Përmes detit të trishtimit/ Nuk më hyn në sy Egjeu/ Vesojn’ retë a sytë e mi ?/ Fatgremisur buzë Pireut !/ Përmes detit të kurbetit/ Pikë-pikë pikëllimi/ S’mbin një fije bar te Nëna/ Po s’u ktheva nga mërgimi…”. Grupit të vogël lab, befas iu bashkuan djem e vajza të reja, gra e burra të dërmuar nga ikja biblike prej vatrave hallemëdha në fshatra e qytete. Po vinte mesnata. Unë kisha shumë kohë pa vënë këngë në buzë.

Dhe nuk prita më tej: “Ku më le mua të zinë/ Lart e poshtë nëpër Athinë/ Jeta ime rrokullimë/ Më ka marrë brinjë më brinjë…”.Më mbuluan përqafimet dhe urimet e bashkëvuajtësve zëdridhur. Shumica e tyre më dëgjonin për herë të parë, bashkë me diplomatët e pranishëm. Mbeti një nga netët e rralla ku kam kënduar aq shumë me gjongul e zjarr të papërsëritshëm.

Por…ku ta dija vallë se atë natë Nëna ime në Tiranë po jepte shpirt e po ikte në atë botë me sytë nga dera e larë në lotë kur mora arratinë, atje, në rrugën “M. Shyri”! Dhe kujtoj sot e gjithë ditën fytyrën e saj ëngjëllore, buzëqeshjen dhe një refren-porosi të saj: “Kur të iki unë, o bir, merrjani këngës ! Boll u helmova…”. Mirëpo, kur mbarova këtë rrëfim, heshtja na pushtoi të dyve pak caste. Zeno Saracit i qenë mbledhur rrudhat në ballë, më kërkoi për herë të parë një cigare dhe e grisi shpejt heshtjen: -Kristo, dëgjoje pak motrën, lum ti që e përcolle mëmën me këngë ! Ngrije kokën e mos u ligështo kurrë. Kjo palo dynja i ka nën lëkurë të gjitha, të mirat e të këqiat…

Kaq tha ajo grua e fortë, me një zgjuarsi natyrale e karakter stërralli. Në zemër të Myzeqesë erdhi nuse e re dhe bëri emër aq të respektuar. Po kështu Magripi, bashkëshorti shofer veteran që tani sikur i priten gjunjët e nuk del dot vetëm nëpër qytetin e Lushnjës. Iu pre “krahu” i djathtë. Kur po hynte me kuje e ulërimë fillimviti i zi ’97 dhe shteti i “Sudes” po shkërmoqej mbi kurrizin e popullit fukara; kur sapo isha dënuar nga Gjykatat ushtare, militante e mujshare të “plepave” se përse lejova të botohej shkrimi i një bashkëpunëtori në gazetën “Kombi”; kur befasisht e pabesisht e pashë veten të flakur në rrugë pa shtëpi e katandi pas 5 vjetësh papunësie e tiranie të pashoqe në media e gjetkë, labia e rrallë Zeno Saraci(Guce) kishte nisur me furgon Veipin për në Tiranë. Bashkë me një dhuratë simbolike në vend të një urimi prej nëne e motre të madhe që “të gëzoja një natë me fëmijët” (Dërgoi djalin e madh Veip, mikun tim të vecantë, ish tipografin mjeshtër që dikur i këndonin shkronjat shqipe në plumb e në duar në shtypshkronjën e rrethit, sot biznesmen serioz, i talentuar e dinjitoz). Ndërsa Ermali ynë i sapokthyer me pushime nga një universitet Amerikan i Kalifornisë(fituar me konkurs), pas një kalvari të pamerituar strehimi e udhëtimi me mjete rangallë transporti e fare pranë një aksidenti të tmerrshëm (kur moshatarë të tij, fëmijë politikanësh që nuk i vrau kurrë këpuca, vinin e shkonin me bursa të posacme e avionë të “prenotuar”), ai djalë kërkonte zemërdridhur catinë prindërore të përpirë nga kucedrat e shtetit amë rrumpallë !

Por…as ne, as Veipi e as Ermali nuk e hapën më atë derë tatëpjete e fatkeqe. Arratia po trokiste egërsisht orë e cast. “Vecse rruga për te miqtë e zemrës nuk është kurrë e gjatë e as tërkuzë, në gëzime e hidhërime…Ja,c’u kam thënë shpesh Veipit, Tanës e Nanit, një llaf me jastëk nga mencuria e mocme edhe për nuset Leta e Eli dhe për nipat e mbesat Valbona, Renato, Onezë, Fation e Orkida : Mos u bëni të mirë sa t’u lëpijnë dhe as të prapë sa t’u pështyjnë !…”.Postulate që nuk harrohen lehtë.

Se Nënat janë e mbeten thesar i pazëvendësueshëm. Isha me fat që njoha mirë këtë familje të mrekullueshme. “Doni të dëgjoni a këndoni labce bio, shkoni te Zeno e Magrip Saraci !”.Një këshillë jo vetëm nga qytetarët lushnjarë. Atje u njoha edhe me simotrën e saj gjirokastrite, Evgjeninë fatkorb, që i kishte ikur përgjithmonë një nga sytë e ballit, Besnik bukuria, student ushtarak i shkëlqyer e bilbil i motiveve popullore të Labërisë. Është një nga 11 yjet e këputur nën ortekun që skuqi e nxiu dëborën e Fekenit prapa Dajtit !…Po te ajo vatër e ngrohtë, njoha picariotin që “hante bukë vec”, Zenel Gucen, burrërorin e përkushtuar dekada të tëra në cdo fshat myzeqar.

Njeriu që ia hidhte këngës e mbante ison gjyryk në ziafete, shoqëri e miqësi. Kushëriun me halle shumë e zemërmadh, Zenua e qau me lotë e ligje…Kjo mbesë Dëshmori (një muaj para se të ikte papritur e pakujtuar në duart e Veipit) shkoi në Gjirokastër. Të nesërmen ishte 5 Maji ! Populli kujtonte të rënët për një Botë të Re, për Lirinë e Demokracinë e vërtetë. Gjirokastritët hidhnin sytë me admirim edhe te kjo grua e “panjohur”, e thyer në moshë e nga të vetmet që kish mbushur të dy krahët me lule pranvere. Në hyrje të Varrezave që kundërmojnë trëndafil e manxuranë, u ul ngadalë te Gjyshi dhe dicka foli me veten. I puthi pllakën e mermertë te koka dhe vazhdoi e qetë parakalimin te të tjerët. Lexonte emrat dhe te disa ndalonte. U hidhte lule të pashkarkuara ende nga vesa e majit : Nderonte një për një cdo Dëshmor nga Picari i saj i shenjtë !

…Në varrimin jo të zakonshëm në Lushnjë, dikush i ardhur nga larg e tha bukur:-Sot më të gdhirë edhe Gurra e Picarit mu duk se u bë krua ! Ndërsa mbesën Onezë që po mbaronte studimet e larta në Tiranë, nuk po e mbante dot vendi, rënkimi e dhimbja në kraharor, bashkë me një amanet të patretur të 4 viteve më parë që gjyshja Zeno ia besoi vetëm asaj : Pa u mbyllur banesa e fundit, duhej të lexonte një letër me vargje lamtumire, qëndisur me dorën e Nënës. U drejtohej familjarëve, miqësisë e shoqërisë. Nuk mbeti pjesmarrës pa u ngashëryer…Kur erdhën e ikën vjeshta e dimri i sivjetëm, mua sikur më therën më fort eshtrat nga reumatizma. Për herë të parë munguan corapet e papucet e leshta, tjerrur e punuar nga gruaja vjershëtore labe. Por këngët, rrëfimet dhe këshillat e saj të kulluara do rrojnë, do kujtohen e frymëzojnë gjatë. Bashkë me atë përgjigjen gurgullimë përtej cdo definicioni e emocioni :- Dëgjo motrën, lum ti që e përcolle Mëmën me këngë !…

REMOTE_ADDR:[]

3 komente në “Pse më tha Zeno Saraçi : “Lum ti qe e përcolle nënën me këngë”!”

  1. Bato says:

    Nje hymn i nje pene te sprovuar per nenat tona te dashura. Ne keto dite te coroditura, ku palo politika ka renduar qetesine ne vend, shkrime si keto dhe pse te rralle, te krijojne nje bote dashurie e adhurimi per njerzit tane me te afert, per te njohurit zemerbardhe, me shprtin-det e mendjekthjellet. Gjitherespektin per ta.

  2. Vangjeli says:

    E ke qare o Kristo. Shkrimi te emocionon. Une qe e kam njohur nene Zenon, nuk e fsheh, me ke kthyer ne ditet kur e kam njohur ate. Ajo ishte nje grua legjende, qe falte miresi e te bente me te forte ne caste te veshtira. Mirenjohje per te dhe per gjithe njerzit si ajo.

  3. Thanasi says:

    Te lumte pena o Kristo. Kemi nevoje per te lexuar shkrime te tilla. Na kishte marre malli te lexonim nje shkrim ku nuk permendet Rama, Basha, Mona, Saliu

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *