Rama mposhtet me paqe, lufta e bën më të fortë

Nga Lorenc Vangjeli

Për ditë me radhë qytetarët e angazhuar të Shqipërisë; ata që votojnë Ramën dhe ata që kanë zgjedhur Bashën e Kryemadhin, por edhe përtej tyre, qytetarët që nuk duan as njërën dhe as tjetrën palë, janë agresuar pafund me palajmërime të forta për datën 16 mars 2019. Opozita, ftuesja e protestës, pretendon se kjo ditë, nga të parat e pranverës, do të jetë dita e fundit e Ramës në krye të qeverisjes.

“Shqiptarët e kanë marë vendimin, zot në shtëpinë e tyre nuk do të jenë më as kriminelët, as hajdutët, as grabitësit dhe as perversët”, numëron mëkatarët në Rilindje kryetari i PD-së Lulzim Basha. Për të nuk ka dyshim që mbartës i gjithë këtyre epiteteve-akuza, është kryesisht Edi Rama dhe oborri i tij i përparmë në pushtet.

Kjo gjuhë e egër, sfiduese dhe frikësuese, rrugëtimin e lodhshëm, shpesh me shumë zigzage e kriza të PothuajDemokracisë shqiptare, e quan luftë finale dhe jo betejë të rradhës.

Kjo gjuhë lufte dhe me terminologji Lindjeje çunash të veshur si në Perëndim, nuk është gjë e re në Shqipëri. Opozitat shqiptare, të majta dhe të djathta, ngjajnë me adoleshentë gjimnazesh që çdo flirt apo flirte rasti në tranzicion, i quajnë si dashuri finale.

Si lufta finale që paralajmëronte Internacionalja e komunistëve të djeshëm. Mbas të cilës ose lind jeta, ose jetën e puth vetëm vdekja.

Adoleshentët zakonisht nuk i zgjon nga hipnoza as lagia e pavullnetshme kur shkojnë në shtëpi, por kthimi në shtëpi i opozitave shqiptare që premtojnë çdo herë luftën e të gjitha luftrave, është padyshim zgjim në makth. Kush ka provokuar dhunë, ka qenë i dëmtuari i parë prej saj.

Kështu ka ndodhur në të shkuarën, kështu do të ndodhë dhe në të ardhmen. Thuhet dhe në Librat e Shenjtë: Kush vjen nga shpata, nga shpata do të shkojë!

Çfarë do të ndodhë në 16 mars është ende një enigmë dhe si do të zgjohet Shqipëria në mëngjezin tjetër është një akt që pritet të verifikohet. Opozita e sotme është përballë dilemave të forta për të dhënë përgjigjen përfundimtare të saj.

Skenari i dhunës dhe provokimi i dhunës, sikundër ka nisur flitet edhe publikisht, në mënyrë paradoksale duket se është rruga e vetme për t’u rilegjitimuar në një tryezë që do të afronte zgjidhje politike. Qoftë dhe nëpërmjet një qeverie teknike. Në këtë rast, frymëzuesit e dhunës do të kishin pasoja të rënda për të nesërmen e tyre politike. Njëlloj si fati i një kamikazi të përbetuar që dihet çfarë i ndodh atij vetë, por pritet të shihet vetëm nëse bilanci i viktimave do të përfshijë dhe objektin e atentatit.

Skenari i zakonshëm i protestave, të mëdha, të mirorganizuara dhe të shpërndara paqësisht, ruan Status Quo-në, nxjerr gënjeshtare e naïve opozitën që premton 17 mars pa Edi Ramën dhe shërben për të kuptuar dhe njëherë sesa absurd dhe i padrejtë ishte vendimi i saj për daljen nga institucionet.

Sipas parimit, çfarë nuk të vret, të bën më të fortë, Edi Rama në mënyrë paradoksale del më i fortë të nesërmen kur kuptohet se lufta finale nuk ishte hiç e tillë.

Akti ekstrem i djegies së mandateve, mbas entuziazmit të parë të atij që beson në vetvrasje, i ka lënë vendin realizmit drithërues: ikëm, por asgjë nuk ndodhi! Faktori ndërkombëtar ka artikuluar pa ekuivok se fokusi kryesor nuk është më qeverisja dhe problemet e panumërta të saj, por opozita e vetëdalë nga sistemi. Po ashtu, shqiptarët nuk dëshmuan ndonjë shkulje masive leshrash se pse një shumicë dërmuese nga ish-nëpunësit e parlamentit – deputetë të PD-së e LSI-së – nuk janë më në Kuvend. Djegia e mandateve bëri më radikalë radikalët pranë të dy kampeve, forcoi pozitat partiake të Ramës, Bashës dhe Kryemadhit, por largoi nga secili prej tyre atë fashë gjithmonë e më të gjerë qytetarësh që i konsiderojnë problematikë, edhe Ramën, edhe Bashën, edhe Kryemadhin.

Ka ende vend për një leksion të fortë: të paktën tani për tani, rrugët revolucionare të ndryshimit të pushtetit duhet t’i lenë vendin mjeteve evolucionare që njeh sistemi.

Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi në rreshtin e parë dhe Ilir Meta e Sali Berisha në rreshtin pasues, duhet të kuptojnë se për të mundur Edi Ramën, duhet t’i japin jo bombat molotov dhe luftën, por qetësinë dhe kohën për paqe. Vetëm kështu Rama do të binte vetë, njëlloj siç ka rënë para tij çdo pushtet tjetër në Shqipëri. Madje edhe në 97-ën kështu ka ndodhur. Çdo pushtet, kur e sheh nga interesa të tjera apolitike, kur nuk ndeshesh me të në fushën e moralit dhe me moralitet e votë, ngjan i pathyeshëm dhe i përjetshëm.

Edi Rama që e mendonte të përjetshëm Sali Berishën nuk fitoi mbi të në Janar 2011.

Sali Berisha nuk u mund nga lufta e Edi Ramës në Janar 2011.

Kryeministri i fortë ra vetëm nga paqja dy vjet më pas, kur ishte më i dobët se kurrë.

REMOTE_ADDR:[]

5 komente në “Rama mposhtet me paqe, lufta e bën më të fortë”

  1. Nje qytetar says:

    Or Lorenc , ti nuk je as mish e as peshk ! Ngjan me shume si ngjaje , thuash se ushqehesh perdite tek gjiri i Lalzit .

  2. Nje qytetar says:

    Or Lorenc , ti nuk je as mish e as peshk ! Ngjan me shume si ngjale , thuash se ushqehesh perdite tek gjiri i Lalzit .

  3. spartak says:

    Djegia e mandateve, kryekëshilltari i CDU: Jo e gjithë Europa kundër këtij vendimi, zgjidhja për situatën do të ishte…

  4. LO says:

    Rama nuk mposhtet as me paqe as me lufte, sepse njerzit jane te tmerruar nga kucedra Sali. Eshte mire per Shqiperine qe dhe Rama te iki por kush do e marri? Sali spiun krimineli, Ilir floriri apo Bash mashtruesi. Kjo eshte fatkeqesia me e madhe e Shqiperise. Fatkeqesi qe na e dha dhurate Ramiz Alia kur vuri ne krye te PD spiunin e Serbit. Spiuni i Serbit grumbulloi rreth vehtes spiunet e tjere te Serbit dhe u shtoi edhe ata te Rusit. Tani kemi shtet Rrumpallen qe do njeqind vjet te rregullohet. Kur mendon qe akoma ka shqiptare qe mbeshtesin Rrumpallen!!!!Te ze pesimizmi.

  5. TOMORI SHBA says:

    Qe SHqiperia dhe shqiptaret te gjejn paqe dhe te behen si popujt e tjer evropjan, duhet sa me pare te arestohen e denohen Sali Berisha, Ilir Meta, Lulezim Basha, Fatmir Mediu, SHkekzen Berisha,.Keta jan persona, qe jo vetem kan vjedhur, por kan vrare njerez te pafajshem, 97, 98, 2011. SHqiptaret e din mire se cfar akuzash rendojn mbi keta e hajdut e kriminel
    Edi Rama, eshte paqesor, nese ka fakte se ka vjedhur edhe ky ne rec me maskarenjt e mesiperm.
    Sa per politikan, misjoni i Berishes, Metes, Monikes, Bashes, Mediut, Dules, e disa kryetareve partish qe kan nga 2, 25, 27, 29, vjet si kryetr partish, ka perfunduar, duhet nje force e re politike qe te sjell ndryshim, nese sralizohet kjo, SHqiperia, dote mbetet perseri ne fund te Evropes, kur duhej te ishte me e mir se zvicra, nga pasurit qe ka.
    Kushdo qofte parlamemnti, ky , qe esht sot dhe po plotesohet cdo dit e me shum nga ata qe e braktisen, duhet te shohe bashke me rreformen zgjedhore depolitizimin e komisjonmeve zgjedhore, shkurtimin e numurit te deputeteve, ne 100 vete sepse, 1. 8 milion zgjedhes jan dhe tedenca esht te largohen per nje jet me temir, atje ku kerkohen per pune, kjo garantohet ga karta e te drejtave njeriut.
    Te shikohet, shkurtimi i numurit te madh te partive politike, sic thuhet jan gati 100 te tilla qe han buxhetin e shtetit duke i len qytetaret gjithnje e me te varfer, nderkoh qe shtete t perendimore te medha e te fuqishme kan nga 4, 5 parti politike. Fatkeqesi kombetare.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *