Partizani fiton me spektakël ndaj Teutës, vendosin një dorë te titulli

17 Mars 2019, 19:01Sport TEMA

Partizani me një dorë te titulli! Ekipi i kuq ka fituar një finale titulli ndaj Teutës me rezultatin 3-0. Kryeqytetasit iu falën golave të Bruno Telushit, Ardit Hilës dhe Erald Çinarit për të marrë 3 pikët e arta. Një triumf me shumë shije, pasi lënë mbrapa një rival direkt si Teuta, dhe e çojnë distancën me 9 pikë ndaj Kukësit. Me 11 ndeshje të mbetura kampionat, të kuqtë thjesht duhet të tregohen të qetë për të rikthyer titullin në shtëpinë e tyre pas 26 vitesh.

Takimi ishte i një niveli të kënaqshëm dhe me mjaft ritëm. Goli i shpejtë i Telushit që në minutën e 4′ ndikoi në ecurinë e sfidës. Vlonjati realizoi një gol tipik, pasi goditi nga një distanca prej 18 metrash dhe pas një “falenderimi” ndaj Hidit, nuk reagoi si duhet portieri, përshëndeti rrjetën për 1-0.

Goli i shpejtë demoralizoi miqtë, ndërsa vendasit me mbështetjen e tifozëve rritën presionin. Teuta nuk arriti të dilte në lojën e saj dhe gabimi i Avdylit, duke i dhuruar një top Asanit në mesin e fushës vendsoi takimin. Mesfushori ktheu gabimisht një top mbrapa, aty Asani mjaft i shpejtë përfitoi duke shmangur dhe Hakajn. U fut në zonë dhe priti ndërhyrjen e Kallakut për të fituar një penallti. Hila e mori përsipër dhe e dërgoi në rrjetë për 2-0.

Në pjesën e dytë, Teuta u mundua të rrezikonte portën e Hoxhës, por nuk ia dolën mbanë. 15 herë kampionët e vendit qëndruan në ekuilibër dhe rrezikuan më shumë se sa ekipi durrsak përmes kundërsulmeve. Atë që nuk bënë miqtë e bëjnë vendasit me Çinarin në minutën e 90’+1′ që vetëm përballë Hidit nuk gabon. Shqetësuese për Gegën është dëmtimi i Telushit, ndërsa Shkëmbi përballet me dëmtimin e Traores. Në minutat e fundit pati vend dhe për debutimin e hidhur të Vajushit. Pas kësaj fitoreje, Partizani mbetet në vendin e parë me 53 pikë, ndërsa Teuta në vendin e tretë me 43. Një më pak se Kukësi i vendit të dytë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje