RENDITJA /Partizani ndjen aromën e titullit, hapet lufta për vendin e tretë dhe mbijetesën

17 Mars 2019, 20:01Sport TEMA
RENDITJA /Partizani ndjen aromën e titullit, hapet lufta për vendin e

Partizani ka shfrytëzuar në maksimum hapin fals të Kukësit, teksa të kuqtë mposhtën me rezultatin e pastër 3-0 në Kryeqytet, Teutën. Pas kësaj fitoreje, Partizani ka krijuar një avantazh komod ndaj ndjekësit më të afërt Kukësit, duke kryesuar me 9 pikë diferencë, ndërsa pas kësaj humbje durrsakët i thonë lamtumirë shpresave për titullin kampion.

Kur kanë mbetur edhe 11 ndeshje për të zhvilluar, Partizani duket se këtë sezon është në rrugën e duhur për t’u rikthyer te titulli, dhe vetëm diçka e jashtëzakonshme do t’ia hiqte nga duart triumfin final skuadrës së Skënder Gegës.

Ndërkohë, me ndalesën e Teutës, është rihapur gara për një vend në Kupat e Europës. Në këtë formë pjesë e garës është bërë edhe Skënderbeu. Korçarët pasi mposhtën Kukësin e shohin veten vetëm 3 pikë larg, ndërsa edhe Laçi ka të njëjtën diferencë nga Teuta dhe tashmë me trajnerin e ri Starova do të kërkojë të rikthehet te rezultatet pozitive. Pa harruar në këtë mes, edhe skuadrën e Flamurtarit, e cila mbetet 5 pikë larg vendit të 3.

Sa i përket garës së mbijetesës, pas dënimit të Kamzës, një kategori më poshtë do të zbresë vetëm një skuadër, dhe dy ekipet që me shumë mundësi do të luftojnë deri në fund të kampionatit janë Luftëtari dhe Kastrioti, shkruan Vip Sport.

Krutanët morën një fitore me shumë vlera, teksa mposhtën Tiranën me rezultatin 1-0, ndërsa mbeten të parafundit në renditje 1 pikë pas Luftëtarit. Megjithatë, skuadra e trajnerit, Bledar Devollit ka treguar se nuk do të dorëzohet deri në javën e fundit. Sa i përket skuadrës së Luftëtarit, edhe në Gjirokastër diçka ka ndryshuar pas ardhjes në drejtim të trajnerit Julian Ahmataj. Ndërkaq, i rëndësishëm është fakti se kampionati ka garë në të tria frontet dhe do të dhurojë emocione deri në çastet e fundit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje