Tepsitë e Dilaverit dhe Shqipëria e përjashtuar

19 Mars 2019, 09:17Blog TEMA

Nga Çapajev Gjokutaj

‘S’ka Shqipëri, ka tri tepsi: PS, PD, LSI’. Ky ishte mesazhi që duket se tërhoqi më shumë vemendje gjatë protestës së fundit të opozitës.

Në fakt qytetari që përcillte këtë mesazh, Dilaver Nela, nga një fshat i Kurbinit, ishte fillikat. Si të mos mjaftonte kjo, protestuesit e përzunë.

Megjithatë, edhe pse i vetëm, edhe pse i përzenë pak çaste pas daljes, Dilaveri ia doli të bëhej lajm. Dhe jo lajm dosido, por nga ata që gjallërojnë rrjetin.

Popullariteti i performancës së Dilaverit mund të ketë arsye të ndryshme. Mes tyre, karakteri kundrapedal i mesazhit mund të jetë nga më kryesoret.

Del dikush dhe thotë një të vërtetë të njohur dhe të pranuar nga shumë qytetarë: të tria partitë politike, këto që bëjnë edhe shiun edhe diellin në anët tona, nuk merakosen për popullin e për vendin, por për vete dhe për militantët, me një fjalë për punë tepsish.

Mesazhi është i njohur, por vendi ku artikulohet e rinon dhe i jep origjinalitet: shqiptohet mes turmës së protestuesve, që pretendojnë njëzeri se djajtë janë në qeverisje, kurse engjëjt në opozitë.

Duket se performanca e Dilaverit fitoi popullaritet dhe u bë virale edhe falë origjinalitetit në strukturim dhe naivitetit në artikulim.

Një person, tri tepsi mbi kokë, një pankart në gjoks dhe një tjetër në dorë. Të gjithë këta elementë ishin sendërtuar në frymë amatoreske, me një naivitet të dukshëm dhe krijonin kontrast me profesionalizmin, seriozitetin dhe frymën zyrtare të pankartave që mbanin protestuesit.

Naiviteti dhe fryma amatoreske të sillnin në mend profilin tipik të hokatarit popullor: zakonisht nuk e vë theksin tek vetja por le anekdotën a shakanë të prevalojnë.

Qesëndia që vishte gjithë performancën krijonte një situatë komike dhe të kujtonte se, përjashto protestën e studentëve, thuajse në të gjitha protestat tona humori është i munguari i madh.

Frymë kontrastuese e performancës së Dilaverit ngjiti dukshëm, nga që rezononte metaforikisht me një kontrast tjetër, shumë më të gjerë: kontrasti mes Shqipërisë politike dhe Shqipërisë reale.

Shqipëria politike na shfaqet në podiume, ekrane dhe, hera-herës edhe në sheshe, gjithë pompozitet, zhurmë e bujë. Ka për aktorë politikanët, militantët e të dyja palëve dhe shumicën e mediave, gazetarë e analistë.

Këta të fundit, nuk është se janë gjithnjë të rreshtuar me njerën apo tjetrën palë, por në çdo rast i bëjnë jehonë asaj që serviret nga politikanët. Nga që nuk kanë një axhendë të pavarur – kjo do të kërkonte kohë e mund, por edhe një shoqëri civile shumë më të strukturuar dhe më funksionale -, bëhen apendiks i ligjërimit politik të maxhorancës apo të opozitës, i amplifikojnë dhe dramatizojnë këto ligjërime, duke u dhenë trajta sensacioni a seriali.

Përballë kësaj Shqipërie politike, qendron Shqipëria reale, ajo që vazhdon jetën e vet pavarësisht ububusë propagandistike. Politikja shfaqet e zhurmshme dhe e rrëmujshme, realja e heshtur dhe këmbëngulëse. Politikja ka vemendjen e mediave dhe rrjedhimisht edhe të publikut, realja përcillet në heshtje dhe indiferencë.

Shqipëria reale, ajo që gjendet përtej një kilometri bulevard në protestë apo përtej një amfiteatri të sajuar takimesh të qeverisë dhe përbën shumicën e padiskutueshme, përgjithësisht injorohet e nuk përfillet. Thenë ndryshe është e përjashtuar nga vemendja publike ose, në rastin më të mirë e paraqitur si gjë periferike dhe jo fort e rendësishme.

Shtjelluar kështu, në ligjërimin tonë publik nuk ka Shqipëri, por politikanë dhe politikë ose tri tepsi. Këtë të vërtetë shqetësuese përcillte performanca sa origjinale aq edhe modeste e Dilaver Nelës, ndaj mori vemendje të gjerë dhe admirim masiv në rjetet sociale.

1 komente në “Tepsitë e Dilaverit dhe Shqipëria e përjashtuar”

  1. mik says:

    I vetmi protestues qe justifikonte qellimin e protestes se tij. Ketij protestuesi duhet ti bashkohemi, e jo partive te korruptuara.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje