20 vjet më parë, ja pse NATO duhej ta fitonte me çdo kusht misionin në Kosovë!

21 Mars 2019, 11:15Blog TEMA

Nga Plator Kalakula*

Në mbrëmjen e 23 marsit 1999, i dërguari diplomatik amerikan, Ambasadori Holbrook, erdhi direkt nga Beogradi në selinë e NATO-s në Bruksel, ku vazhdonte mbledhja e Këshillit të Ambasadorëve aleatë. Kishte qenë përpjekja e fundit diplomatike  për të evituar ndërhyrjen e armatosur në Republikën Federale Jugosllave. Millosheviçi kishte ngulur këmbë se nuk do të pranohej asnjë marrëveshje që ndryshonte nga teksti i nënshkruar pak ditë më parë në Paris nga jugosllavët dhe se nuk mund të pranonte zgjidhje që të çonin në krijimin e një shteti të pavarur në Kosovë.

Holbrook vuri në dukje për mediat se tashmë fjala i kalonte NATO-s. Rreth një orë më vonë, Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës Atlantike, spanjolli Solana, me një pamje që shprehte qartë tensionin e javëve dhe ditëve të fundit deklaroi para mediave se pasi  përpjekjet për një zgjidhje politike kishin dështuar, kishte urdhëruar Komandantin e  Përgjithshëm të Forcave aleate, gjeneralin amerikan Clarc, për fillimin e operacioneve ajrore mbi Republikën Federale Jugosllave. Kishte tension të prekshëm mes të pranishmëve. Natyrshëm, i gjithë Misioni i vogël diplomatik i Shqipërisë, ishte aty. Isha i ndërgjegjshëm që po përjetoja një moment historik dhe tepër të rëndësishëm për të ardhmen e kombit shqiptar dhe jo vetëm. Që prej marsit 1998, ndërsa përpiqesha të siguroja informacionin e nevojshëm dhe të kuptoja gradualisht përqasjen e NATO-s ndaj krizës në Kosovë isha bërë dëshmitar i privilegjuar i angazhimit në rritje të Aleancës Atlantike për zgjidhjen e konfliktin në Kosovë një proces i vështirë, herë shpresëdhënës dhe herë zhgënjyes.

Kur kriza në Kosovë u akutizua në fillim të marsit të 1998-ës, çështjet delikate që ngrinte kjo sfidë e re në Ballkan, shpesh për Perëndimin tabu të vërteta, e bënë këtë të fundit, të lëkundej mes dilemash të mprehta. Emblematike ishte deklarata e Këshillit të NATO-s e 5 marsit 1998, që fajësonte në mënyrë të veçantë Autoritetet e Beogradit për dhunën policorë ndaj studentëve shqiptarë në Prishtinë. Megjithatë ajo dënonte edhe ato që ajo në atë kohë i quante akte terroriste nga ana e shqiptarëve. Edhe Rezoluta 1166 e Këshillit të Sigurimit te OKB-së, e aprovuar më 31 mars, ndiqte të njëjtat linja. Gjithsesi, keqësimi i vazhdueshëm i situatës në terren po bënte gjithnjë dhe më të qartë për mjaft vende aleatë se përgjegjësia kryesore binte mbi Beogradin duke i rritur ndërgjegjësimin e nevojës për ndaljen e dhunës serbe në Kosovë. Nga ana tjetër, vende të tjera ngulnin këmbë për ruajtjen e integritetit territorial të Jugosllavisë dhe dënonin luftën e armatosur të UÇK-së.

Të gjithë vendet anëtarë të Aleancës ishin dhe vazhdonin të shpreheshin në atë kohë kundër pavarësisë se Kosovës. Shprehje e këtyre qëndrimeve ishte Deklarata e Ministrave të Jashtëm të NATO-s e 28 majit në Luksemburg, që nënvizonte se konflikti në Kosovë mund të zgjidhej vetëm nëpërmjet dialogut politik mes Beogradit dhe udhëheqjes së shqiptarëve të Kosovës. Përgjegjësia kryesore e Beogradit nënvizohej qartë dhe Millosheviçit i bëhej thirrje që të pranonte misionet vëzhguese të OSBE-së.

Për herë të parë lihej e hapur mundësia e marrjes së masave të karakterit ushtarak, krahas atyre të destinuara për të rritur stabilitetin në rajon. Pas thuajse një dekade me masakra etnike në Ballkan, në qarqet politike perëndimore po bëhej gjithnjë e më e prekshme vendosmëria për ti dhënë fund atyre. Në Takimin e Ministrave të Mbrojtjes të Aleancës të 11 qershorit në Bruksel NATO shprehu gatishmërinë e saj për të shqyrtuar të gjithë mundësitë për një ndërhyrje që do t’i jepte fund dhunës dhe njoftoi nisjen e hartimit të planeve për ndërhyrje të ushtarake. Me rëndësi ishte gjithashtu planifikimi i vendosjes preventive të trupave të NATO-s në Shqipëri dhe në ish Republikën Jugosllavë të Maqedonisë.

Rusia shprehu menjëherë kundërshtimin e saj duke shënuar kështu fillimin e një përplasje të gjatë dhe të ashpër politike me për Kosovën. Shprehja e përmendur shpesh se ndërhyrja do kryhej “me bazën e duhur juridike”, i referohej përpjekjeve të vendeve të NATO-s, njëherësh anëtarë të Këshillit të Sigurimit te OKB-së, për arritjen e një rezolutë në OKB, e cila do ti haptë dritën jeshile aksioneve eventuale të NATO-s kundra Republikës Federale të Jugosllavisë. Megjithatë, qëndrimi për reagim të vendosur nuk ishte edhe aq monolit.

Brenda Aleancës ishte e ndjeshme tendenca për të mos u përzier në « moçalin ballkanik ». Shprehej gjithashtu shqetësimi për efektet negative që aksioni i NATO-s do të sillte në marrëdhëniet me Rusinë, gjithnjë e më të vështira. Një rol të rëndësishëm luante dhe frika se mund të rrezikohej çka ishte arritur me aq mund në Bosnjë dhe Hercegovinë, në kuadër të marrëveshjes së Daytonit.

Përpjekjet për një Rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të sponsorizuara nga Britania e Madhe, nuk u kurorëzuan me sukses për shkak të kundërshtimeve të Rusisë, Kinës, si edhe të disa vendeve perëndimore që kishin më shumë frikë nga një pavarësi eventuale e Kosovës sesa nga keqësimi i mëtejshëm i situatës atje. Mundësia konkrete e ndërmarrjes së sulmeve ajrore për t’i detyruar serbët të bëjnë koncesione u duk gjithnjë e më pak e realizueshme. Por ofensiva serbe e mesit të korrikut me artileri dhe tanke e vuri sërish në lëvizje NATO-n.

Mediat perëndimore, veçanërisht ato amerikanë vunë në dukje se në Kosovë po përsëritej një Bosnjë e dytë. Gjithnjë e më shpesh, po përmendej teza se i vetmi presion i mundshëm mbi Millosheviçin ishte ai ushtarak. Në fillim të gushtit, u bë e qartë se shkallëzimi i vazhdueshëm i operacioneve ushtarakë serbe po sillte pasoja tepër të rënda, mbi popullsinë shqiptarë në Kosovë dhe se dialogu i brishtë që kishte filluar nën presionin e Bashkësisë Ndërkombëtarë nuk po jepte rezultate. Të pa frytshme rezultuan edhe përpjekjet e Kryesuesit të radhës të OSBE-së, Ministrit të Jashtëm Polak, Gieremek.

Rreziku i katastrofës humanitarë në Kosovë e lëvizi edhe një herë qëndrimin perëndimor drejt imponimit të një zgjidhjeje në terren. NATO nisi diskutimet mbi modalitetet e vendosjes të një force të saj në Kosovë për garantimin e një armëpushimi dhe krijimin e kushteve për negociata serioze. Me 12 gusht, Këshilli i Ambasadorëve të NATO-s, rishikoi edhe një herë planet ushtarake, kryesisht ato mbi përdorimin e sulmeve ajrore. Kishin filluar ndërkohë konsultimet me vendet anëtare mbi përbërjen e forcës ajrore dhe komponentët kombëtarë të saj. Megjithatë, NATO-s ju desh të përqendrohej serish në Bosnjë dhe Hercegovinë, ku më 4 shtator do të mbaheshin zgjedhjet e përgjithshme politike. Duke përfituar nga kjo situatë, forcat serbe e shkallëzuan edhe më tej dhunën e tyre në Kosovë duke shkaktuar kalimin e disa dhjetëra mijërave refugjatëve kosovarë në Shqipëri dhe në Mal të Zi.

Sulmet serbe të gushtit e fokusuan edhe një herë vëmendjen e NATO-s mbi situatën në Kosovë. Aleanca bëri të ditur se kishte përfunduar planifikimin për opsionin e vendosjes preventive të trupave në Shqipëri, ndërsa po punonte për planifikimin e opsionit të goditjeve ajrore dhe i vendosjes së trupave të NATO-s në Kosovë, sipas një baze të përshtatshme ligjore. Sërish Rusia u shpreh prerë se e vetmja bazë ligjore ishte një Rezolutë e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Kështu, vendet e NATO-s, rifilluan përpjekjet për të arritur në aprovimin e një rezolutë të tillë. Keqësimi i mëtejshëm i situatës në terren, pati efektin e vet dhe pas një debati të ndërlikuar u arrit që me 23 shtator, nën Kapitullit VII-të të Kartës së OKB-së, të aprovohej Rezoluta 1199  Kjo Rezolutëkërkonte mes të tjerash që Beogradi të pushonte dhunën kundër popullsisë civilë, të tërhiqte forcat ushtarake, të lejonte monitorizimin ndërkombëtar në Kosovë, etj. Rezoluta nënvizonte gjithashtu kërkesën që të punohej me përparësi për arritjen e një marrëveshjeje politike për çështjen e Kosovës.

Më 24 shator, në përgjigje të Rezolutës 1199, Ministrat e Mbrojtjes të NATO-s, aprovuan në Villamura të Portugalisë, vendimin për të filluar procedurën ACTËARN të gjenerimit të forcave. Ministrat aleatë i kërkuan Beogradit që të pushonte sa më parë dhunën kundër popullatës shqiptarë, të ndërmerrte veprime të menjëhershme për lehtësimin e situatës humanitarë dhe të punonte për gjetjen e një zgjidhje politikë. Me aprovimin e ACTËARN-it, kuadri ishte thuajse i plotë dhe ishte vetëm çështje ditësh që NATO të ishte e gatshme për veprim. Si kundërpërgjigje, Beogradi intensifikoi dhunën dhe masakrat duke e bëri të lëvizte sërish Këshillin e Sigurimit të OKB-së që më 1 tetor dënoi masakrat ndaj shqiptarëve, kërkoi vënien para përgjegjësisë të autorëve të tyre dhe u shpreh se krimet do të trajtoheshin nga Gjykata Ndërkombëtarë për Krimet ë Luftës në Jugosllavi. Një ditë më pas, Anëtarët e Grupit të Kontaktit u mblodhën në Londër për vlerësimin e situatës dhe konkluduan në mënyrë thuajse analoge.

Po atë ditë, NATO deklaroi se kishte aprovuar procedurën ACTREQ. Kjo ishte faza e dytë në procesin e gjenerimit të forcave për veprim ushtarak. Ndërkohë, pavarësisht Rezolutës 1199, gjendja e sigurisë vazhdoi të keqësohej. Forcat serbe ishin të pranishme në gjithë Kosovën dhe Beogradi mbetej sfidues duke akuzuar me nota të forta bashkësinë ndërkombëtare se po komplotonte kundër Serbisë. Komisariati i Lartë i Refugjatëve e llogariste në 230 mijë vetë numrin e shqiptarëve të shpërngulur dhe kishte vënë alarmin për rrezikun e një katastrofe tepër të rëndë humanitarë. Për të zhbllokuar situatën i dërguari Amerikan për Kosovën, Ambasadori Holbrook shkoi sërish në Beograd.

Duke pasur tashmë një rezolutë të Kapitullit VII, toni i Perëndimorëve ishte kësaj here i ashpër por megjithatë rezultatet e bisedimeve me Millosheviçin nuk ishin premtuese. Më 13 tetor Holbrook informoi Këshillin e Ambasadorëve aleatë se ishte arritur një farë progresi si pasojë e presionit të fuqishëm dhe se ky presion duhej vazhduar. Kështu, Këshilli i NATO-s aprovoi procedurën ACTORD, fazën e fundit përgatitore para sulmeve dhe vendosi se ato do të ndërmerreshin brenda 96 orëve, çka ishte në fakt një ultimatum i vërtetë për Beogradin.

Megjithatë, reagimi i ashpër i Rusisë si dhe hezitimet e disa vendeve anëtarë e lëkunden edhe një herë vendosmërinë e Aleancës për kryerjen e sulmeve ajrore dhe kështu u ndërmor një tjetër hap diplomatik. Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Solana, Kryetari i Komitetit Ushtarak, gjenerali gjerman Nauman dhe Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të NATO-s, gjenerali Clark, vendosën të shkonin në Beograd për të bindur Millosheviçin që të përmbushte kushtet e Rezolutës 1199. Në momentet e fundit ai pranoi të plotësonte kushtet e Rezolutës 1199. Beogradi pranoi edhe një regjim verifikimi në terren dhe në ajër. Duke komentuar direkt nga Beogradi, Solana u shpreh se misioni i verifikimit ajror do të kryhej nga NATO ndërsa ai në terren do të kryhej nga OSBE-ja. Shefi i Aleancës i përcaktoi këto veprime si hapat e parë për dhënien fund të konfliktit në Kosovë dhe përmirësimin e shpejtë të gjendjes humanitare.

Më 16 tetor, NATO-s, gjykoi se ende nuk ishin plotësuar kushtet e Rezolutës 1199, veçanërisht  tërheqja e menjëhershme nga Kosova e ushtrisë dhe policisë serbe. Kështu, NATO e zgjati ultimatumin deri më datë 27 tetor dhe vendosi gjithashtu të mbante në gatishmëri operacionet ajrore si dhe mundësinë e vendosjes së një sasie të konsiderueshme trupash në rajon. Po atë ditë, OSBE-ja dhe qeveria Jugosllave nënshkruan në Beograd marrëveshjen mbi misionin verifikues të OSBE-së në Kosovë. Në të njëjtën kohë, edhe Këshilli i Sigurimit i OKB-së, sanksionoi me anë të Rezolutës 1203, kryerjen e misioneve verifikuese në Republikën Federale të Jugosllavisë.

Ndërsa tërheqja e trupave serbe vazhdoi me ritme të ngadalshme, Perëndimi dhe veçanërisht NATO morën frymë të lehtësuar. Pranimi nga Beogradi i një pranie të rëndësishme ndërkombëtarë në formën e Misioneve vëzhguese të OSBE-së u konsiderua sukses shumë i  rëndësishëm. Edhe monitorimi ajror u quajt mëse një sukses. Edhe rusët kishin arsye të ishin të kënaqur. Roli i tyre në arritjen e marrëveshjes konsiderohej i dorës së parë dhe ata e mirëprisnin rolin e OSBE-së, duke i njohur asaj rolin parësor në  sigurinë evropiane. NATO gjykonte se zhvillimet e fundit kishin mundësuar një përmirësim të shpejtë të gjendjes humanitare dhe se kishin krijuar kushtet për një proces të mirëfilltë dialogu politik ndërmjet Beogradit dhe shqiptarëve të Kosovës. Nën këtë frymë optimiste, Këshilli i Ambasadorëve të NATO-s vendosi më 27 tetor zgjatjen e procedurës ACTORD për një periudhë të pakufizuar por e kushtëzoi vënien e tij në jetë me një vendim specifik të vetë Këshillit. Praktikisht, rreziku i sulmeve ajrore bëhej tepër i largët për Beogradin. Do të duhej kohë që NATO të arrinte serish kohezionin e duhur politik për të miratuar sërish një vendim të tillë.

Për ti dhënë garanci sigurie Misionit verifikues të OSBE-se në Kosovë, pavarësisht se marrëveshja mes OSBE-së dhe Beogradit përcaktonte se pala jugosllavë kishte përgjegjësinë kryesore për mbrojtjen e tij, dhe sipas mandatit të Rezolutën 1203, Këshilli i Aleancës aprovoi më 13 nëntor procedurat ACTËARN dhe ACTREQ për krijimin e të ashtuquajturës forcë nxjerrëse- EXFORCE dhe i kërkoi gjithashtu zyrtarisht Shkupit që EXFORCE të vendosej aty. Megjithatë, situata në terren nuk po gjente përmirësim. Më 19 nëntor Këshilli i NATO-s shprehu shqetësimin për keqësimin e situatës së sigurisë në Kosovë. Aleanca insistoi që palët të përmbushnin deri në fund kushtet e vëna nga Rezolutat 1199 dhe 1203, veçanërisht respektimin e armëpushimit dhe angazhimin për arritjen e një zgjidhjeje politike.

Në takimin e Ministrave të Punëve të Jashtme të Aleancës më 8 dhjetor ata fajësuan të dy palët për incidentet në terren dhe kërkuan respektimin e plotë të rezolutave te OKB-së. Ministrat aleatë kërkuan sërish nga Beogradi që të mundësonte hetimin e krimeve në Kosovë nga Gjykata Ndërkombëtarë e Krimeve të Luftës në Hagë dhe bënë thirrje që palët të angazhoheshin në një dialog konstruktiv për një autonomi të zgjeruar për Kosovën dhe ruajtjen e integritetit territorial të Republikës Federale të Jugosllavisë. Beogradi e bëri sërish veshin e shurdhër ndaj thirrjeve për paqe e dialog. Sulmi masiv serb në prag të Krishtlindjeve e shkërmoqi armëpushimin e brishte të tetorit. Serbët rikthyen forcat ushtarakë në Kosovë duke e shkelur me të dy këmbët marrëveshjen e tetorit.

Me15 janar 1999, më 45 civilë shqiptarë u masakruan nga forcat serbe në Recak duke e varrosur përfundimisht paqen e brishtë të tetorit 1998. Pavarësisht përpjekjeve, fakti që Misioni verifikues i OSBE-së nuk arriti ta parandalojë masakrën e Recakut tregoi qartë limitet e tij. Shefi i këtij misioni, amerikani Ëalker, i tregoi menjëherë me gisht serbët si autorë të masakrës duke ngjallur një reagim të ashpër nga Beogradi që kulmoi në vendimin për përzënien e tij. Masakra solli po atë ditë një mbledhje urgjente të Këshillit të NATO-s, e cila i bëri  thirrje sërish Beogradit që përgjegjësit e masakrës t’i jepeshin drejtësisë dhe ngulmuan që Beogradi të bashkëpunonte plotësisht me Gjykatën e Hagës për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi. Ndërgjegjësimi se misioni verifikues në Kosovë mund të behej peng në duart e serbeve frenoi mundësinë për një reagim të ashpër dhe të shpejtë. Kështu, NATO i kërkoi edhe një herë Beogradit të respektonte plotësisht marrëveshjet e tetorit, e quajti Millosheviçin personalisht përgjegjës për forcat e tij, dhe bëri të ditur se kishte vendosur të dërgonte në Beograd gjeneralët Nauman dhe Clark për t’i bërë edhe një herë të qartë Beogradit detyrimet e marrëveshjes së tetorit. Për Beogradin rreziku imediat për sulme ajrore  ishte larguar dhe kërcënimet e NATO-s ishin bërë disi monotonë. Kryesisht për këtë arsye Millosheviçi nuk pranoi të bënte asnjë lëshim në lidhje me kërkesat e NATO-s pavarësisht paralajmërimeve të dy gjeneralëve.

Më 28 Janar, NATO përshëndeti konkluzionet e procesit politik të ndërmarrë ndërkohë nga Grupi i Kontaktit duke theksuar se ajo mirëpriste rezultatet e arritura mbi një autonomi të zgjeruar të Kosovës dhe ruajtjen e integritetit territorial të Republikës Federale të Jugosllavisë. Aleanca paralajmëroi se përdorimi i forcës për ndaljen e konfliktit në Kosovë do të bëhej  i pashmangshëm në rast se mjetet e tjera do të dështonin. Po bëhej gjithnjë e më e qartë se palët në konflikt duhej të detyroheshin të arrinin një marrëveshje paqeje, sipas modelit të Daytonit, e cila të garantohej me forca ushtarake në terren ku NATO të luante rolin kryesor. Ndërkohë, iniciativa politike i kaloi Grupit të Kontakti që më 29 janar 1999 bëri publike në Londër një nismë të rëndësishme për paqe që fokusonte qëndrimet e lartpërmendura me premtimin se NATO do ta mbështeste me mjete ushtarake nismën.

Grupi i Kontaktit i dha kështu një ultimatum Beogradit dhe përfaqësuesve të shqiptarëve të Kosovës që të takoheshin në Rambuje, pranë Parisit, për të arritur një marrëveshje paqe brenda një afati kohor të kufizuar. Marrëveshja do të bazohej mbi variantin ë fundit të propozimeve të Trojkës negociuese të përbërë nga diplomatë të njohur dhe me përvojë, amerikani Hill, evropiani Petric dhe rusi Majorski. Më 30 janar, duke mbështetur plotësisht Grupin e Kontaktit dhe deklaratën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, NATO u kërkoi palëve fillimin e negociatave në Rambuje më 6 shkurt dhe përfundimin e tyre brenda kohës së caktuar. Ndërkohë, Këshilli i Ambasadorëve i dha autorizimin politik Sekretarit të Përgjithshëm të Aleancës për të ndërmarrë sulme ajrore, po të ishte e nevojshme, kundër objektivave në Republikën Federale Jugosllave. NATO kthehej kështu politikisht dhe ushtarakisht në situatën e tetorit të kaluar kur i kishte dhënë ultimatum Beogradit.

Më 19 shkurt, Solana nënvizoi urgjencën e arritjes së një marrëveshje nga palët dhe bëri të ditur se Aleanca ishte e gatshme të udhëhiqte një forcë paqeruajtëse shumëkombëshe për vënien në jetë të aspekteve ushtarake të marrëveshjes. Ai paralajmëroi se në rast se marrëveshja nuk do të arrihej brenda afatit të caktuar, NATO ishte e gatshme që të merrte të gjitha masat e nevojshme, përfshirë sulmet ajrore, në rast se ato do të bëheshin të domosdoshme. Aleanca shpresonte për një  zgjidhje, në formën ë nënshkrimit të marrëveshjes së Rambujesë të paktën nga shqiptarët. Nga ana tjetër, Rusia vazhdonte të kundërshtonte se aneksi ushtarak i marrëveshjes nuk ishte produkt i Grupit të Kontaktit, siç paraqitej nga NATO. Kundërshtimi i Rusisë po rritej nga dita në ditë paralelisht me refuzimet e përsëritura të Beogradit për të pranuar një forcë të NATO-s në Kosovë. Ndërkaq, Aleanca po vazhdonte përgatitjet e saj për një forcë ushtarakë për në Kosovë e quajtur ndërkohë KFOR dhe që po formohej me shpejtësi rreth bërthamës fillestare të EXFORCE në Ish Republikën Jugosllavë të Maqedonisë.

Pas një procesi të gjatë e të lodhshëm diplomatik, Delegacioni i shqiptarëve të Kosovës nënshkroi më 15 mars marrëveshjen e Rambujesë duke u detyruar të bëjë koncesione të rënda si referendumi për pavarësi dhe çmilitarizimi i UÇK-së. Të vendosur që ti bënin të dështonin tratativat serbët nënshkruam më 18 mars një dokument të tyre alternativ dhe ngulën këmbë se prania e NATO-s në Kosovë nuk mund të pranohej. Në ditët që vazhduan toni i propagandës serbe u bë më i ashpër se kurrë në drejtim të Perëndimit. Por ndërkohë, në Kosovë dhe rreth saj kishin zënë pozicion 40 mijë trupa serbe me artileri dhe tanke. Pas nënshkrimit të marrëveshjes nga shqiptarët kushtet kishin ndryshuar në mënyrë rrënjësorë.

Tashmë që kishte mbetur vetëm një palë dhe presioni politik ndaj saj nuk po sillte rezultatet ë caktuara. Pas ultimatumit të tetorit sulmet ajrore ishin dukur të largëta dhe retorike. Tani ishin farë afër, dramatikë dhe menjë peshë tepër të rëndë për politikën ndërkombëtarë. Kur më 20 mars misioni verifikues i OSBE-së u tërhoq nga Kosova, ndërkohë që Beogradi filloi një tjetër ofensivë ushtarake, atmosfera u elektrizua me shpejtësi dhe u bë gjithnjë e më e qartë se kësaj here NATO do të vepronte duke përdorur forcën. Në një klimë tensioni dhe ankthi të prekshëm Këshilli i Aleancës u mblodh sërish më 22 mars dhe në përgjigje të arrogancës së Beogradit dhe vazhdimit të dhunës kundër popullsisë shqiptarë autorizoi Sekretarin ë Përgjithshëm Solana të vendoste fillimin e një game të gjerë operacionesh ajrore  në rast se do të ishte nevojshme.

Më 23 mars 1999, pasi kishte përballuar me sukses sfidat shumëvjeçare të Luftës së Ftohtë, Aleanca e Atlantikut të Veriut ishte e detyruar që në prag të pesëdhjete vjetorit të saj dhe në emër të të gjithë vlerave të shpallura moralë, etike dhe politike të Perëndimit të hynte për herë të parë në një luftë reale për të shpëtuar një popull të tërë nga dhuna gjenocide e regjimit të Beogradit. Lufta pritej të ishte e vështirë por përfundimi i saj për Aleancën ishte i sanksionuar. Pavarësisht sesi do të arrihej fitorja dhe sa shtrenjtë mund të paguhej ajo NATO duhej që absolutisht të fitonte nëse donte të vazhdonte të ekzistonte dhe të kishte një rol në të ardhmen.

*Ekspert i çështjeve të NATO-s në Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme

1 komente në “20 vjet më parë, ja pse NATO duhej ta fitonte me çdo kusht misionin në Kosovë!”

  1. Messerschmitt says:

    Shpresoj qe diplomacia shqiptare te ket nxjerre mesimin e vet nga kjo situate !

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje