Ballkani, në krizë për fuqi punëtore

24 Mars 2019, 08:53Rajoni TEMA

Vendet e Ballkanit po përballen me mungesë të fuqisë punëtore si rrjedhojë e emigracinit dhe plakjes së popullsisë. Kroacia po kërkon punonjës nga fqinjët, Serbia po mendon për një zgjidhje afatgjatë, ndërsa politika shqiptare nuk duket se po e merr seriozisht këtë fenomen…

Rënia e lindshmërisë, rritja e jetëgjatësisë, emigrimi, janë disa nga faktorët kryesorë që ndikojnë në rritjen e mungesës së fuqisë punëtore në vend, një tjetër prej problemeve më të rëndësishme të një numri të madh shtetesh në Europën Lindore dhe Ballkanin. Artikujt në mediat e Ballkanit nuk mungojnë për këtë fenomen që sa po vjen e po bëhet më shqetësues dhe rrezikon rënien e produktivitetit dhe uljen e konkurrueshmërisë së një vendi, ndërsa mund të thellojë deficitin në skemën e financimit të pensioneve.

Mungesa e fuqisë punëtore është kthyer në një problem madhor për të gjithë sektorët në Shqipëri, ka raportuar më herët Monitor. Përfaqësuesit e industrisë kryesore në vend pohuan se përveç ambientit jo shumë favorizues për sipërmarrjet, mungesa e fuqisë punëtore është kthyer në një sfidë për të cilën zgjidhjet janë të vështira. Industria fason, bujqësia dhe turizmi kanë filluar të vuajnë më së shumti mungesën e punonjësve. Por ankesa janë vërejtur në të gjithë sektorët, sidomos në shërbimet publike të mjekësisë. Pagat e ulëta dhe emigracioni i lartë janë shkaqet kryesore, teksa bizneset kanë mbetur pa zgjidhje. Në dekadën në vijim, INSTAT parashikon se popullsia në moshë pune do të bjerë me ritme më të larta se popullsia e përgjithshme.

INSTAT në një studim të posaçëm për projeksionet e popullsisë deri më 2030 parashikon se popullsia në moshë pune do të bjerë me një ritëm pak më të shpejtë se sa popullsia e përgjithshme, me më shumë sesa 18% në pothuaj të gjitha qarqet, përveç atyre që e shtojnë popullsinë nëpërmjet migrimit (Tirana dhe Durrësi).

Përveç emigracionit, numri i ulët i lindjeve po shton presionin mbi perspektivën e tregut të punës. Shtesa natyrore e popullsisë për tremujorin e tretë 2018, pasqyron një rënie me 35,4%, në krahasim me tremujorin e tretë 2017, raportoi INSTAT, ndërsa numri i lindjeve ka shënuar rënie në të gjitha qarqet e vendit, përveç Tiranës.

 

KROACIA KA NEVOJË URGJENTE PËR FUQI PUNËTORE TË HUAJ

Ulja e lindshmërisë, rritja e jetëgjatësisë dhe emigrimi në shifra alarmante. Këta janë disa nga faktorët kryesorë që kanë krijuar mungesa të theksuara të fuqisë punëtore jo vetëm në shtetin kroat por edhe në shtete të tjera të Europës Lindore.

Në fillim të dhjetorit të vitit të kaluar, gjatë dimrit të ftohtë boshnjak, një delegacion i grupit të hotelerisë kroate Jadranka u caktua që të zhvillonte takime në Bosnjën Verilindore, kryesisht në tre qytete, Tuzla, Bijeljina, Bërçko, me qëllim që të rekrutonte punëtorë të rinj dhe t’i merrte ata më vete në Mali Lošinj dhe Cres.

Por ndërsa puna në këtë sektor nuk do të fillojë deri në hapje të sezonit, mungesa e madhe e fuqisë punëtore gjatë 2018 dhe pritshmëritë se ajo do të rritet gjatë 2019, kanë bërë që shumë biznese të vihen në lëvizje përpara fillimit të sezonit. Niveli i pagës fillon nga 500 euro. Gjatë vitit 2018 kemi dëgjuar shpeshherë për rritje të pranisë së punëtorëve të huaj në ekonominë kroate.

Vite pas anëtarësimit në BE dhe kalimit të krizës financiare, migrimi dukej se po shkonte vetëm në një drejtim, nga Kroacia në vendet që tashmë kanë një traditë të emigracionit, si Gjermania apo ekonomitë e hapura si Irlanda. Shteti kroat u përball me mungesë të fuqisë punëtore në momentin kur ekonomia nisi të rimëkëmbej.

Me më shumë se 9,000 leje të lëshuara për punëtorët e huaj të pranishëm në vend, në vitin 2018 qeveria kroate arriti një numër rekord prej 21,210 hyrjesh të reja, kryesisht shtetas me origjinë jashtë BE-së. Më vonë shifra u rrit në 29,769. Sektorët kryesorë ishin ndërtimi dhe turizmi, ndjekur nga industria e metaleve, ndërtimi i anijeve, transporti, industria ushqimore dhe e konservimit, sektori i teknologjisë së lartë dhe bujqësia. Një sërë sektorësh hapën vende pune si për punëtorë të kualifikuar ashtu edhe për ata të pakualifikuar.

Mungesa e fuqisë punëtore nuk është vetëm në Kroaci një prej problemeve më të rëndësishme, por edhe në shtete të tjera të Europës lindore. Në Hungari, protesta të mëdha shpërthyen kundër vendimit të qeverisë së Orbanit për të rritur numrin e orëve në punë, në rreth 400 orë në vit, si një lëvizje për të zbehur disi mungesën e fuqisë punëtore. Në të katër shtetet e Vishegradit ka më shumë se 520,000 vende të lira pune, kryesisht si pasojë e uljes së normës së lindshmërisë dhe rritjes së emigrimit në vendet e Europën Perëndimore. Këto janë disa prej shkaqeve që kanë shkaktuar mungesën e fuqisë punëtore në Kroaci. Sipas Iva Tomiç, nga Instituti i Ekonomisë së Zagrebit, “ne jemi në një situatë të ndryshimeve të mëdha demografike.

Nga njëra anë, shkalla e ulët e lindshmërisë, në tjetrën jetëgjatësia është rritur shumë. Për shkak të nivelit të pandërprerë të uljes së lindshmërisë, numri i të rinjve që po hyjnë në tregun e punës po ulet. Ndërkohë edhe numri i personave në moshë pune po shënon ulje. Nëse shifrave të mësipërme do t’i shtojnë edhe numrin e lartë të emigrantëve (sipas të dhënave zyrtare të statistikave, pothuajse 200,000 persona të larguar nga viti 2009 deri në 2017), prej të cilëve më shumë se 47% i takojnë grupmoshës midis 25 dhe 44 vjeç, hendeku i mungesës së fuqisë punëtore do të rritej. Pikërisht punëtorët e huaj pritet ta ngushtojnë këtë hendek.

 

 

Importi i fuqisë punëtore

Që prej vitit 1980, Kroacia ka mirëpritur një numër të konsiderueshëm punëtorësh me prejardhje nga republikat e tjera jugosllave, veçanërisht nga Bosnjë-Hercegovina dhe Serbia të cilët janë punësuar kryesisht në sektorë si ndërtimi dhe turizmi. Sipas Iva Tomiç, “këto vende po përballen edhe me numrin në rënie të njerëzve në moshë pune, të cilët, nëse vendosin të emigrojnë, parapëlqejnë të shkojnë në shtetet e pasura të Europës Perëndimore. Nuk duhet harruar as fakti se një numër i madh i boshnjakëve kanë shtetësi kroate (dhe rrjedhimisht edhe pasaporta), dhe gëzojnë të njëjtin status si kroatët në tregun europian të punës”, tha ai më tej.

Që kur “rezervat” e ish-Jugosllavisë filluan të reduktohen (dhe vazhdojnë të shënojnë rënie), komuniteti kroat i biznesit nisi të shikonte jashtë kufijve të vendit për t’i zëvendësuar këto mungesa. Në mars të 2018, ministri kroat i Punës dhe Pensioneve, Marko Paviç, shkoi në Ukrainë me synimin e deklaruar që të sillte me vete punëtorë sezonalë në Kroaci. Fjalimi i tij kishte nota të ekzagjeruara duke ua përshkruar ukrainasve tokën kroate si tokën e premtuar për të ardhmen. Aktualisht, numri i ukrainasve që kanë marrë një leje për të punuar në Kroaci është më shumë se 500 vetë.

Sipas shumë treguesve, kjo shifër pritet të rritet gjatë viteve të ardhshme. Edhe pse në shifra të ulëta, në Kroaci kanë ardhur edhe punëtorë me origjinë nga shtete si India apo Egjipti. Megjithatë, në tetor të 2018-s kishte ende 10,133 vende të lira brenda sistemit të kuotave. Ajo çka i bën ofertat për punë në Kroaci jo tërheqëse është niveli i ulët i pagave, shumë më i ulët se niveli i pagave në vendet me një traditë të gjatë në mirëpritjen e emigrantëve. Me përjashtim të profesioneve të caktuara, kuzhinierëve për shembull, pagat për punëtorët e pakualifikuar janë shumë më poshtë pragut prej 1000 eurosh në muaj.

 

 

Entuziazëm dhe pyetje

Disa nga mbështetësit më entuziastë të importit të fuqisë punëtore janë padyshim nga Dhoma e Tregtisë kroate dhe Bashkimi i Punëdhënësve, të cilët i frikësohen përkeqësimit të mungesës së fuqisë punëtore në një të ardhme të afërt. Në fakt, sipas disa vlerësimeve të fundit, Kroacia e ka nisur 2019 me një mungesë të fuqisë punëtore prej 15,000 deri në 20,000 punëtorësh. Këshilltari i Dhomës së Tregtisë kroate, Davorko Vidović, këshillon se duhet rritur numri i forcës punëtore që importohen jo vetëm nga Ukraina, por edhe nga Siria, Libani, Jordania dhe Egjipti.

Çështja e rritjes së importit të fuqisë punëtore nga vende të huaja, ngre njëkohësisht edhe shumë pyetje të tjera. Pavarësisht të gjitha përpjekjeve për të tërhequr punëtorë të huaj që të vijnë të punojnë në Kroaci, niveli i papunësisë mbetet i lartë në këtë vend. Në fillim të 2018-s, ai ishte në 8.4%, ndërsa në fund të tij, në nëntor arriti në 9.1%. Sipas Siniša Miličić nga bashkimi rajonal i Varaždinit, Kroacisë i mungon vullneti për të krijuar kushte atraktive dhe vende pune të përhershme, edhe pse kostoja e veprimeve të tilla është e lartë, largimi i të rinjve të talentuar dhe thellimi i hendekut të mungesës së fuqisë punëtore.

Deklaratat e shumta dhe shpeshherë me tone të ekzagjeruara për të pranuar një numër të madh punëtorësh nga vende të ndryshme, fshehin edhe një realitet tjetër, ku paragjykimet duket se po rriten, gjë që është kthyer në objektin e një fushate ksenofobike politike dhe mediatike. Hapja e kufijve të shtetit kroat ndaj importit të punëtorëve nga vende të ndryshme bie në një kontrast të madh me qëndrimin armiqësor që mbahet ndaj refugjatëve që hyjnë në vend përmes rrugës ballkanike. Integrimi i këtyre refugjatëve në tregun e punës kroat mbetet një dukuri e rrallë.

Emigrantët duhet të vijnë kryesisht nga shtete të Europës Lindore, që sipas Radimir Çaçiç nga HNS, do të shtojë numrin e emigrantëve të krishterë. E ashtuquajtura “katastrofë demografike” ka qenë edhe një prej çështjeve më të rëndësishme edhe për Presidenten e vendit, znj. Kolinda Grabar Kitarović, e cila ka bërë thirrje për marrjen e masave të nevojshme për të ndryshuar këtë trend. Në të njëjtën linjë, ekziston edhe ideja e lehtësimit të marrjes së shtetësisë kroate për gjeneratat e dyta ose të treta, duke hequr kërkesën për të njohur domosdoshmërisht gjuhën kroate dhe zakonet e shoqërisë kroate.

 

Ndikimi global

Edhe pse shumë pak mund të jenë ata që do ta mohonin domosdoshmërinë e Kroacisë për import të fuqisë punëtore të huaj, polemikat kundër Marrëveshjes së Marrakeshit mbi emigracionin e ligjshëm dhe të kontrolluar janë duke u shtuar. Kroacia ka liberalizuar pa kurrfarë pengese emigracionin, gjë që të sjell ndër mend edhe fushatën kundër Konventës së Stambollit. Në mbështetje të kësaj linje është kryesisht Presidentja e vendit, Kolinda Grabar Kitarović.

Teksa në fillim ajo u duk optimiste dhe shprehu mbështetjen entuziaste për Konventën e Kombeve të Bashkuara të Sekretarit të Përgjithshëm, António Guterres, ajo u tërhoq shpejt nga ky qëndrim dhe vendosi të mos marrë pjesë në Marrëveshjen e Marrakeshit, që u mbajt në nëntor të vitit të kaluar. Ajo shfrytëzoi edhe intervistën e dhënë për një prej prezantuesve të njohur, Velimir Bujanec, për të theksuar edhe një herë qëndrimin e saj kundër kësaj Marrëveshjeje.

 

 

Qeveria kroate e qendrës së djathtë, e tronditur nga kthesa e papritur e Presidentes së vendit, e mbajti fjalën e saj dhe dërgoi në Samit ministrin e Brendshëm, Davor Božinoviç. Marrëveshja e Marrakeshit ka krijuar edhe një konflikt midis krahut të moderuar të përfaqësuar nga Kryeministri i vendit Plenković dhe krahut nacionalist të përfaqësuar nga Presidentja e vendit, Kolinda Grabar-Kitarović.

Ministri Božinoviç tha në Marrakesh se ishte kundër të gjitha lajmeve të rreme rreth emigracionit dhe konfirmoi mbështetjen për një marrëveshje globale për të rregulluar këtë fenomen, duke “siguruar” qytetarët që “shteti kroat dhe policia kroate do të mbrojnë si qytetarët dhe mysafirët e Kroacisë”.

Në lidhje me politikën e jashtme, mosmarrëveshja mbi Paktin Global pasqyron edhe ndarjen midis një të djathte që është më pranë grupit të Vishegradit, duke përdorur politikën antiemigruese si çështjen e tyre kryesore, dhe një të djathte të qendrës filo-europiane më të moderuar. Secila prej tyre nuk e kundërshtojnë njëra-tjetrën kur bëhet fjalë për emigracionin, por në mënyrë sistematike dhe “me vendosmëri” përdorin dhunën për të kontrolluar kufijtë e tyre.

Francesca Rolandi / Ky artikull është botuar në bashkëpunim me të dhënat e Rrjetit Europian të Gazetarisë dhe është publikuar sipas CC BY-SA 4.0.
—————————

SERBIA PËRPIQET TË NDALOJË RËNIEN E NUMRIT TË POPULLSISË QË PO E DËMTON RËNDË BALLKANIN

Sfida e ministrit serb të Punës, Zoran Djordjevic është të ndalë rënien e numrit të popullsisë, e cila është tkurrur me më shumë se 5% gjatë dekadës së fundit, shkruan Gordana Filipovic, gazetare e Bloomberg-ut në Serbi.
Z. Djordjevic po përballet me pengesa të njëjta si ato në çdo vend tjetër të Rajonit të Ballkanit, si nivelet relativisht të ulëta të pagave, papunësia e lartë dhe vende pune të paguara më mirë në shtetet fqinje të Bashkimit Europian, shkruhet në bloomberg.com.

Ai ka punësuar një ekip ekonomistësh dhe statisticienësh, të cilët drejtohen nga një ekspert i çështjeve të emigracionit, për të trajtuar një nga problemet më të mëdha ekonomike dhe demografike në Europë. Nëse do të ketë sukses, plani do të ndikojë në rritjen e qëndrueshme të ekonomisë së Serbisë, do të rrisë investimet e huaja në vend dhe ndoshta do të realizojë edhe planin e Presidentit Aleksandar Vuçiç për ta bërë Serbinë pjesë të BE-së në dekadën e ardhshme, deklaroi Zyra e Shtypit e Ministrisë së Punës.

“Këto janë armët që ne mund të përdorim”, tha ish-ekzekutivi financiar dhe dikur ministër i Mbrojtjes, 49-vjeçari, Djordjevic. Në kohën kur ne do të bashkohemi me BE-në, duam që Serbia të jetë një prej shteteve që të renditen diku në mes, ndërsa emigrimi të jetë një çështje që do të ndodhë në vende të tjera. Serbia nuk është e vetme në këtë drejtim. Shqipëria fqinje, Bosnjë dhe Hercegovina, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi po kërkojnë gjithashtu të bëhen pjesë e BE-së.

 

 

Kroacia dhe Bullgaria fqinje, të cilat janë tashmë anëtare të BE-së, një status ky që në fakt ndihmoi në intensifikimin e eksodit të qytetarëve të tyre. Bullgaria, e cila po vuan nga niveli shumë i ulët i lindshmërisë, po përballet edhe me një rënie të lartë të numrit të popullsisë së saj.

Sergei Guriev, kryeekonomist në Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, u shpreh se Rajonin e Ballkanit e pret një situatë shumë e vështirë, e cila është përkeqësuar edhe nga niveli i ulët i standardeve të jetesës. Shteti i Serbisë është ende në anën e shteteve të dobëta, dhe kur Serbia të arrijë nivelin e sotëm të Gjeorgjisë, Turqisë ose Hungarisë, zhvillimi i mëtejshëm do të ulë emigrimin, përfundoi z. Guriev.

 

“Kampion i botës”

Sipas një raporti të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik, rreth 60% e 415,000 serbëve që u larguan nga shteti i tyre gjatë periudhës 2007-2016, emigruan në Gjermani. Niveli i papunësisë tejkaloi 11% në fund të vitit të kaluar. Megjithatë, rritja ekonomike vjetore prej 3.5% në tremujorin e katërt është një shifër më e lartë në krahasim me atë të 2017, si dhe investimet direkte prej 1.4 miliardë eurosh (1.6 miliardë dollarësh) nga mesi i vitit të kaluar duket se po ecin në rrugën e duhur për të shënuar më shumë rritje.

Plani i Djordjevic është që të ndalojë largimin e punëtorëve nga Serbia dhe të ndërtojë më shumë fabrika, një strategji kjo që ka ndikuar pozitivisht dhe ka ndihmuar shtete si Hungaria, Sllovakia, Republika Çeke dhe Polonia. Në të njëjtën kohë, ministri serb i Punës tha se vendi nuk duhet t’u kushtojë rëndësi krijimit të një modeli bazuar në punën e lirë, por edhe në atë të profesionistëve të kualifikuar. “Ideja jonë është që Serbia të jetë ndryshe”, tha ë fund ministri Djordjevic.

2 komente në “Ballkani, në krizë për fuqi punëtore”

  1. like says:

    emigracioni me kto vende nuk vjen si rezultat i pagave te uleta. artikuj koti do kete gjithmone por urojme qe ndonje artikull te thote te verteten ose te jete pak me shume objektiv.
    shumica e njerezve qe ikin e bejne sepse nuk trajtohen si te barabarte nga shoqeria por shkelen me kembe ne dinjitet sepse jane me pak te pasur. kjo nuk ndodh ne gjermani p.sh, ku emigrantet jane de detyruar te bashkjetojne me te huaj ne te njejtin apartament se nuk u del rroga per me teper, por preferojne me mire ashtu se te jene te perbuzur prej komshinjve apo te njohurve te tjere qe mund te jene edhe me injorante por duke qene me te pasur kerkojne dhe gezojne te drejta mbi te varfrit.

  2. ed hajdari says:

    Paska plas puna modhe ne ballkan , o kokrrat e mashtrusve , kerkojn ti japin vler sistemit me mashtrime , komplet piramid jan ne te kater anet , thoni ore legena te verteten nje her , se do vdisni dhe do ju ngelet pishman qe se that nje her te vetme te verteten . artikull propagandistik pa vler.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje