Jari e shikon me dyshim humbjen e Erdoganit në qytetet kryesore

1 Prill 2019, 20:29Antena TEMA

Pas përfundimit të zgjedhjeve në Turqi, duket se Erdogani ka humbur tre qytetet më të mëdha të Turqisë, Ankaranë, Stambollin dhe Izmirin, duke i dhënë shpresa të mëdha opozitës, ndërkohë që në rang vendi ka fituar pak mbi 51 për qind.

Shumë njerëz u gëzuan shumë nga disfata e Erdoganit, por Jari ka dyshimet e veta për këtë çështje:

“Të dashur demokratë,

Jari ju sqaron!

Të gjithë i dimë lidhjet e ngushta të Erdoganit me Edi Ramën.

Ky i fundit, i cili gjendet në krizë në Shqipëri para zgjedhjeve lokale, ka shumë gjasa që ka biseduar me Erdoganin dhe kanë bërë një plan të përbashkët se si të na mashtrojnë.

Sipas skemës së Erdoganit, opozitës duhet t’i lihen disa qytete kryesore.

Në këtë rast, ne do na lihet Durrësi, Shkodra dhe Elbasani, pasi në Tiranë, lali Eri nuk tërhiqet.

Edhe Erdogani bëri sikur u la Ankaranë, Stambollin dhe Izmirin.

Ky është një kurth për të na tërhequr në zgjedhje.

Pastaj pasi të hyjmë në zgjedhje dhe të dalim kokë më kokë në Durrës, ose dhjetë vota para, Edi Rama do ta hedhë çështjen në gjyq, do gjejë fletë votimi jashtë kutive, do t’i numërojë përsëri dhe do nxjerrë fitues kandidatin e tij në Durrës.

Kështu merr hak dhe për atë që i kemi bërë ne dikur në Tiranë.

Ndaj unë them që të mos gëzohemi kot nga humbja e Erdoganit.

Mua kjo më duket e qëllimshme për të futur  në valle opozitën në Shqipëri, pasi në Turqi është e sigurt që Erdogani do t’i anulojë prapë zgjedhjet.

Stambollin ka për ta fituar me dhjetë  vota, pasi të verifikojë parregullsitë, ndërsa në Ankara do kërkojë hapjen e kutive nën moton “Hap kutitë, ose largohu”.

Të gjitha këto i them pasi shikoj disa njerëz që janë bërë entuziastë dhe po kërkojnë të hyjmë në zgjedhje, pasi mund t’i fitojmë qytetet e mëdha.

Në fund të fundit qytetet e mëdha nuk kanë çfarë na duhen, pasi baza jonë, janë njerëzit e varfër të fshatit dhe periferive si Kamza e Paskuqani.

Por tani më e rëndësishme është të refuzojmë joshjen që na bëjnë me këto zgjedhjet e Turqisë.

Ky është një kurth që duhet ta shmangim.

I juaji, Jari!”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje