FOTOT: Brenda shtëpisë së Ernest Heminguejt, SHBA dhe Kuba bëhen bashkë për të ruajtur trashëgiminë e shkrimtarit

Një qendër restaurimi për të ruajtur punën e Ernest Heminguejt është hapur të shtunën në Kubë, një lëvizje që e zgjeron fushën e bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara, në kohën kur lidhjet e ndërsjellta midis armiqve të vjetër të Luftës së Ftohtë janë rivendosur.

Hemingueji, fitues i Nobelit të Letërsisë në vitin 1954, shkroi disa nga veprat e tij më të njohura gjatë 21 viteve të jetës në Finca Vigia ose në Fermën e Vrojtimit, tani një muze në San Francisco de Paula, në periferi të Havanës.

Qendra e restaurimit e ndërtuar nga Këshilli i Trashëgimisë Kulturore Kombëtare të Kubës dhe Fondacioni Finca Vigia i Shteteve të Bashkuara është vendosur në një pronë prej 15 hektarësh ku Heminguej ka jetuar në një shtëpi të stilit spanjoll, të rrethuar nga pemët.

“Kur bashkohemi, kur punojmë së bashku, mund të bëjmë gjëra pozitive dhe të mrekullueshme”, tha Jim McGovern, kongresmen amerikan për Masaçusetsin, në ceremoninë e prerjes së shiritit.

McGovern tha se projekti do të kishte qenë shumë më i lehtë po të mos ishte embargoja tregtare e SHBA-ve në Kubë, që Presidenti Donald Trump e ka forcuar pas ardhjes në pushtet.

Heminguej u zhvendos në Finca Vigia në vitin 1939, një vit para se të botohej “Për kë bien këmbanat” dhe shkroi kryeveprën e tij, “Plaku dhe deti”.

Ai u largua nga Kuba në vitin 1960, më shumë se një vit pas revolucionit kuban dhe pak muaj para se të vriste veten në Idaho, në moshën 61 vjeç, ndërkohë që luftonte me depresionin.

Shkrimtari la mijëra dokumente në Kubë, si dorëshkrimet e disa prej veprave të tij dhe fotografi e libra me shënime.

Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Kubane dhe Fondacioni Finca Vigia kishin nënshkruar më parë tre marrëveshje bashkëpunimi për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë së Heminguejt. (TemA TV)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *