Një shëtitje opozitare, në boshllëkun e errët pa cak!

13 Prill 2019, 23:24Blog TEMA

Nga Alfred Peza

Për të gjithë ata që në dy muajt e fundit, nuk kanë qenë të vëmendshëm për të fiksuar çdo detaj të strategjisë opozitare të djegies së të gjitha mandateve të deputetëve të saj, mjafton që të kishin durim për të parë orët e protestës së 13 prillit, për ta kuptuar atë nga “A”-ja e deri tek “ZH”-ja. Kjo protestës është ndoshta pasqyra më e qartë, më besnike dhe më e mirë, për të kuptuar thelbin e gjithçkaje që lidhet me krizën e thellë të lidershipit opozitar, që e sheh çdo ditë veten të bjerë në gjendje të lirë, në fundin e një humbere të thepisur politike.

Kanë një muaj që partitë politike të Opozitës së Bashkuar, përgatiteshinn për të mbledhur njerëzit të shtunën në orën 18.00 në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Duket sikur gjithçka është e menduar, e studiuar, e planifikuar deri në detaj. Lidershipi drejton, udhëheq, komandon dhe i prin protestuesve. Në pamje të parë, vetëm për pak çaste duket si një protestë model, e një opozite të organizuar që e ka shumë të qartë se çfarë kërkon, pse ka dalë dhe si do ia arrijë qëllimit final.

Por pas pak minutash, gjithçka rikthehet në origjinë. Me një protestë që degjeneron shpejt në kaos, dhunë, goditje të institucioneve, sulme mbi policët, kapsolla, fishekzjarre, pishtarë. Fjalime zëçjerra, mungesë skenari, axhende, qëllimi dhe strategjie. Më pas qëndrim ca kohë duarkryq e gojëkyç në bulevard me duar në xhepa. Për të nisur lëvizjen kaotike të radhës, drejt godinës së seancave plenare të Parlamentit. Ndërkohë rishfaqet Presidenti I Republikës që e thotë edhe ai një fjalë, sa për të mos thënë që edhe këtë radhë, do fliste me heshtjen e tij…

Sapo masa e protestuesve të mbetur, mbërrin përpara rrethimit të Parlamentit, mediat fillojnë e thonë: “Nuk është e qartë se si do të vijojë protesta.” Por mos u shqetësoni, se ka kush ju sqaron. Menjëherë i dalin mikrofanave përpara Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi për të folurr siç dijnë vetëm ata: “Për protestën do të vendosin qytetarët!” “Ne jemi qytetarë të thjeshtë dhe do tani ata e kanë në dorë se çdo ndodhë”. E pasi u ngjirën duke thirrur: “Rama ik”, në fund, ikën siç edhe erdhën. Për tu rikthyer pas një muaji… për protestën e radhës!

Eshtë fiks pamja e 2 muajve më pare. Në momentin kur opozita vendosi që të djegë “on block” mandatet, të dilte nga sistemi parlamentar dhe të niste marshimin e pandalshëm drejt rikthimit në pushtet. Të gjithë mbetën gojëhapur, siç do të shprehej një diplomat i huaj në Tiranë. Ngase bota nuk e kish parë kurrë që kjo të ndodhte deri në demokracitë e kohëve moderne, dikush po priteste për të kuptuar se kush ishte hapi gjenial i radhës I lidershipit opozitar, që do ta zinte “shah- mat” qeverinë e Kryeministrit Edi Rama.

Prit e prit e skishte të sosur. Shpejt u kuptua që opozita jonë kishte një plan, që as nuk kishte dhe as nuk mund të bënte dot as edhe një plan. Pas djegies së mandateve, e gjitha çfarë vijoi dhe po vijon, është thjeshtë një shëtitje e pafund në një boshllëk të errët pa cak. Zbulimi i madh i liderëve të opozitës sonë, ishte që… të bënin protesta. Një herë në javë; jo më brenda dhe jashtë sallës së Kuvendit, por tashmë vetëm përpara godinës së saj. E një herë në muaj; në bulevard përpara Kryeministrisë. Kaq!

Të gjithë e kuptuan se ajo që duan në fakt, është vetëm pushteti në tavolinë, për ti shpëtuar ndëshkimit të SPAK e BKH, për të penguar çeljen e negociatave të anëtarsimit të Shqipërisë në BE dhe për të shmangur humbjen në zgjedhjet lokale të 30 qershorit. Një lojë që e ka kuptuar i madh e i vogël. Shqiptar e ndërkombëtar. Nuk kanë mbështetjen e askujt. Nuk kanë mbështetjen e asnjë politikani të huaj. Të asnjë institucioni. Të asnjë kancelarie. Të asnjë shteti të botës demokratike euroatlantike. Ndaj edhe janë të pashpresë.

Ngaqë nuk e thonë dot këtë të vërtetë të thjeshtë. Ngaqë nuk e pranojnë se i kishin bërë hesapet e djegies së mandateve “pa hanxhiun”. Ngaqë vepruan si në atë shprehjen “jep pesë lekë e hyr në valle dhe jep 100 e nuk del dot më”. Ngaqë thanë se dëgjuan zërin e qytetarëve dhe urdhërin e sovranit popull, por në çdo protestë po i ndjekin gjithnjë e më pak militantë qorrë. Ngaqë nuk e pranojnë se janë të dështuar në këtë ndërmarrje vetëvrasëse politike. E vetmja gjë që po shtojnë me kalimin e kohës, janë gojështhurja dhe dhuna mbi institucionet e mbi ruajtësit e rendit. Ndaj, po kërkojnë me dëshpërim rrugëdalje.

E vetmja rrugë që i ka mbetur është rruga pa krye, e cila rastësisht ose jo, është e përputhur në kohë e në hapësirë, me protestat në Podgoricë dhe Beograd. Ndërkohë që aleatët tanë strategjikë në SHBA, BE dhe NATO, po flasin gjithnjë e më shpesh për skenarë rusë në Ballkanin Perendimorë. Kjo që po ndodh në Tiranë, është pasqyrimi i një dëshpërimi të pangushëllueshëm i një lidershipi politik opozitar në krizë të thellë, që bashkë me gremisjen e vet, po lut natë e ditë që të gremiset edhe vendi.

E vetmja gjë që harrojnë, është se Shqipëria e 2019, nuk është më Shqipëria e 1919. Kanë kaluar 100 vjet nga ajo kohë, kur ende ishte në pikëpyetje, ekzistenca e shtetit të shqiptarëve. E si të mos mjaftonte kjo, ka 20 vjet që jemi i vetmi komb mbi dhe’, me dy shtete në Ballkan. Ndaj, bashkë me mandatet e deputetëve të opozitës, e shumta para Parlamentit protestuesit dhe lidershipi i tyre i dëshpëruar, mund tia dali që ti vendosin flakën edhe ndonjë makine të harruar… Por, jo Shqipërisë.

7 komente në “Një shëtitje opozitare, në boshllëkun e errët pa cak!”

  1. Tarrasi qe ta plasi says:

    Fredi do te duket si profesor, pavaresisht se flet e shkruan gomarlleqe …

  2. Brahoo says:

    Hiqeni kete Pezen se i prish gjithe seriozitetin kesaj gazete.
    “Ky nuk ishte i mire vetem as per Peqinin

    1. Nje qytetar says:

      Tarrasi qe ta plasi dhe Brahoo , dukeni qysh nga nick-name-t qe jeni dy injorante ne moshen e internetit , dy maloke me cp .
      Peza , ka bere nje shkrim ne te cilin pasqyrohet vertetesia e gjendjes se sotme politike, por juve , si duket nuk ju pelqen e verteta e Pezes por ajo e Pekes , sepse jeni maloke berishiste si Qimi .

  3. ??? says:

    E dim ,që kanë hallin e vet.
    E dim, që i tremb vetingu.
    E dim , që do të hyjnë në zgjedhje.
    E dim, që do humbasin në zgjedhje .
    Problemi është që edhe ata e dinë, por , çtë bëjnë?
    Bëjnë pordhesta madhështore.
    Pordhesta e sotme , ja vuri vulën .
    U dhjenë, s’di si do tu dalë era .

  4. fcb says:

    Paska dale nga burgu ky fshatari ?

  5. Lizga says:

    E sakte….analize me se e vertete ku pasqyron ne menyre korrekte gjendjen e opozites sot….

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje