Ngritja, rënia dhe vdekja e Hamdija Pozderacit

14 Prill 2019, 15:46Rajoni TEMA

Çdo vit në fillim të prillit në Bosnjë kujtohet jo vetëm shpërthimi i luftës si pasojë e agresionit serb, por edhe ditëvdekja e Hamdija Pozderac, njërit prej politikanëve më me ndikim boshnjakë të epokës jugosllave. Pozderac ka merita të mëdha në avancimin e myslimanëve të Bosnjës në komb shtetformues. Nacionalistët serbë e përbuzin edhe për shkak se si kryetar i komisionit kushtetues jugosllav në fillim të viteve ‘70 përkrahu autonominë e gjerë të Kosovës dhe Vojvodinës. Me Kushtetutën e vitit 1974 u vunë themelet juridike që Kosova të ketë të drejtë të jetë e pavarur nëse shpërbëhet Jugosllavia.

Nga Enver Robelli

6 prilli është një datë e rëndësishme për Sarajevën. Më 6 prill 1945 forcat partizane çliruan qytetin nga nazistët. Më 6 prill 1992 filloi rrethimi i Sarajevës nga forcat serbe. 6 prilli shënohet si ditë e qytetit të Sarajevës. Më 6 prill në opinionin boshnjak kujtohet edhe vdekja e Hamdija Pozderacit, i cili ka qenë njëri prej politikanëve më me ndikim të boshnjakëve në Jugosllavinë e Josip Broz Titos. Pozderaci vdiq më 6 prill 1988 në moshën 64-vjeçare (sipas disa burimeve më 7 prill). Më parë kundër tij ishte zhvilluar një fushatë e egër e drejtuar nga nacionalistët serbë, nga shërbimi sekret jugosllav i dominuar nga serbët dhe nga mediat e Beogradit.

Pozderaci akuzohej se kishte qenë i përfshirë në aferën «Agrokomerc». Kjo ndërmarrje bujqësore nga Velika Klladusha, e drejtuar nga funksionari komunist Fikret Abdiq, akuzohej se përmes lëshimit të letrave me vlerë pa mbulesë kishte shkaktuar një dëm prej rreth një miliardë dollarë. Udhëheqja e «Agrokomercit» pa dyshim që kishte bërë gabime e keqpërdorime, por a ishte e vetmja në Jugosllavi? Jo. Afera «Agrokomerc» i kishte të gjitha karakteristikat e një komploti kundër Bosnjë-Hercegovinës dhe përpjekjes për të larguar nga pushteti politikanët më të rëndësishëm të Bosnjës, gjë që klani nacionalist dhe agjenturor serb e arriti.

Janë disa koincidenca: më 1987 Sllobodan Millosheviqi u bë shef i Lidhjes së Komunistëve në Serbi duke rrëzuar krahun që konsiderohej pak më liberal, më 1987 shpërtheu afera «Agrokomerc», me ç’rast u arrestuan Fikret Abdiqi dhe Hakija Pozderaci, vëllai i Hamdija Pozderacit, i cili më 1987 ishte nënkryetar i Jugosllavisë dhe një vit më vonë do të bëhej president i Jugosllavisë. Nuk arriti të bëhej, sepse u detyrua të japë dorëheqje.

«Agrokomerc» ishte shtyllë e ekonomisë së Bosnjës, eksportues i madh, punëdhënës po ashtu i madh në krahinën e Cazinit, e cila banohej kryesisht nga myslimanët (boshnjakët). Kur u bë publike afera «Agrokomerc», në krye të ministrisë së brendshme të Bosnjë-Hercegovinës ishte Dushko Zgonjanini, një kuadër serb me karrierë të gjatë si «punëtor operativ» i UDB-së, shërbimit sekret jugosllav. Në sistemin e sigurisë të Bosnjës atëbotë dominonin kuadrot serbe, ndërsa udhëheqësit komunistë në Sarajevë ishin izoluar dhe njollosnin njëri-tjetrin me akuza se cili prej tyre është më pak apo më shumë i përzier në aferën «Agrokomerc».

Për nacionalistët serbë rrëzimi i Hamdija Pozderacit ishte një sukses i madh. U dëbua nga pushteti politikani që ishte angazhuar për barazi mes popujve të Jugosllavisë, ai që punoi në afirmimin kombëtar të myslimanëve dhe avancimin e tyre si komb shtetformues. Për dallim nga Alija Izetbegoviqi, i cili ishte i obsesionuar pas fesë islame dhe atë e shihte si vlerë supreme jo vetëm shpirtërore, por edhe shoqërore dhe politike, Pozderaci e shihte kombin mysliman si pjesë të përvojës shumëvjeçare të bashkëjetesës mes popujve të ndryshëm në Bosnjë-Hercegovinë. Dallimi mes Pozderacit dhe Izetbegoviqit ishte i madh, ndonëse të dy rridhnin nga dy familje me traditë aristokrate dhe fetare myslimane. Pozderaci e konsideronte fenë si pjesë të rëndësishme të identitetit të myslimanëve të Bosnjës, por refuzonte që ajo të gëzonte primat para kombit dhe problemeve tokësore. Për Izetbegoviqin ishte me rëndësi islamizimi i politikës. Pas zgjedhjeve të para parlamentare në Bosnjë në fillim të viteve ’90 deputetët e partisë së Izetbegoviqit ngarendnin të merrnin avdes nëpër tualetet e parlamentit dhe të faleshin në objektet zyrtare, ndonëse në Sarajevë ka mjaft xhami për t’iu falur zotit.

Hamdija Pozderaci urrehej nga nacionalistët dhe udbashët serbë jo vetëm se dha kontribut të paçmueshëm për konsolidimin e kombit boshnjak (mysliman). Arsyeja tjetër e urrejtjes ndaj tij ka të bëjë me Kosovën. Duke qenë kryetar i komisionit kushtetues të Jugosllavisë, Pozderaci në vitet ’70 përkrahu autonominë e gjerë të Kosovës dhe Vojvodinës. Kjo autonomi u vulos me Kushtetutën e vitit 1974, e cila decentralizoi Jugosllavinë. Kushtetuta vuri themelet juridike që Kosova të ketë të drejtë të jetë e pavarur – nëse shpërbëhet Jugosllavia. Këtë e ka nënvizuar edhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë kur vendosi mbi ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës në vitin 2010.

Hamdija Pozderaci u lind më 15 janar 1924 në Cazin në Bosnjën perëndimore, jo larg kufirit me Kroacinë e sotme. Paraardhësit e tij Nurija dhe Devleta Pozderac gjatë Luftës së Dytë Botërore shpëtuan një numër të madh hebrenjsh dhe në vitin 2013 nga qeveria e Izraelit u shpallën «Të drejtë mes popujve». Vajza e Nurija Pozderac, Sadeta, është gjyshja nga nëna e Vuk Jeremiqit, ish-ministrit të Jashtëm të Serbisë, i cili një kohë të gjatë është përpjekur të fshehë origjinën pjesërisht boshnjake.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore Nurija Pozderaci refuzoi ofertën e kreut të ustashëve kroatë, Ante Paveliq, për t’u bërë ministër në qeverinë e «Shtetit të Pavarur Kroat», një krijese kriminale pronaziste. Paveliq i quante myslimanët e Bosnjës «lule të kombit kroat». Ky ishte një kompliment me plot helm, të cilin nuk e pranoi familja Pozderac, por kishte myslimanë që vërtet i besuan Paveliqit dhe u bënë pjesë e regjimit të tij kriminal, i cili vrau mijëra hebrenj, serbë, romë dhe antifashistë.

Hamdija Pozderaci u kyç në aktivitetet e rinisë komuniste të Jugosllavisë dhe nga viti 1941 edhe në rezistencën partizane kundër pushtuesve nazistë. Në Jugosllavinë komuniste ushtroi funksione të larta: ishte kryetar i kryesisë së Bosnjë-Hercegovinës, kryetar i Kuvendit të Republikës Socialiste të Bosnjë-Hercegovinës, kryetar i Lidhjes së Komunistëve të Bosnjë-Hercegovinës dhe anëtar i kryesisë së Jugosllavisë. I shkolluar në Beograd dhe Moskë, Hamdija Pozderac ligjëroi sociologjinë e përgjithshme në Fakultetin e shkencave politike në Sarajevë dhe shkroi disa punime publicistike dhe shkencore. Shumë opinionistë në Sarajevë janë të bindur se Hamdija Pozderac u vra indirekt nga ultrancionalistët serbë. Vdiq në spitalin Koshevo të Sarajevës. Sot një rrugë në kryeqytetin e Bosnjë-Hercegovinës bart emrin e tij. Vdekja e tij ua kujton boshnjakëve vdekjen e Xhemal Bijediqit, politikanit më me ndikim të myslimanëve të Bosnjës, i cili humbi jetën në vitin 1977 pasi avioni i tij u rrëzua në një kodër të Bosnjës në rrethana tepër misterioze. Bijediqi ishte atëbotë kryeministër i Jugosllavisë dhe njëri ndër bashkëpunëtorët më të besueshëm të Josip Broz Titos.

3 komente në “Ngritja, rënia dhe vdekja e Hamdija Pozderacit”

  1. Vatra says:

    Paska vjedh diku disa shkrime dhe na plason formë artikulli këtu ky Robelli sa kalon Te Pozdercët sa te Izetbegoviqë te Bjediqi e poshtë e përpjetë Pozdercët kanë qenē familja ma revolucionare ndoshta edhe në Ballkan tu fillu nga Nuri Pozderac që ishte numri 2 pas Titos se që nga aty filoi aktivitetin Tito mafiozi dhe i cili pasi mori këmbë e eliminoi fizikisht Nuriun diku gjatë luftës dhe Tito mu ndaj bosanëve dhe shqipëtarëve e tregoi fytyren e renenegatit të idesë të kombeve për vetë vendosje si shqiptarët dhe boshnjakët i përdori gjatë luftës kurse pas lufte kohë të gjatë i eliminoi bashnjakëve nuku njohu kombin bosanci ata si bosanë njifeshin vetëm për humor ndaj tyre se automatikisht Bosna do të ishte boshnjake kurse shqiptarëve kompaktë etnikisht dhe teritorialisht minimumi i minimumit ka qene e drejta e statutit republikë se ishte edhe popullata e tetë me teritor dhe banorë por u tregu shoven dhe po të kishin gëzu boshnjakët dhe shqiptarët republikat e tyre Jugosllavinë do ta kishte ma të fortë dhe ende ndoshta gjallë se do të kishin qenë faktorë stabiliteti duke ju kundërvi shovenizmit serbë dhe separatizmit Kroatë dhe po të kishte ardhur deri te çthurja e federares me siguri pa ose me pakë viktima njerzore

  2. Kapit Tupalla says:

    Ky autori debill, si duket nuk ka dëgjuar për politikanin tjetër boshnjak Xhemal Bijediq ?!

  3. dori says:

    qelbësirë që shpif kundër një autori të respektuar! dhe qelbësirë edhe gazeta tema që toleron këso komentesh…

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje