Një vlonjat i thekur, ul kokën tek burimet e Karbunarit!

14 Prill 2019, 19:28Blog TEMA

Nga Kristo  Mërtiri

-Me vendlindjen nuk lahemi kurrë, miku im, bashkëvuajtës në emigracionin e detyruar ekonomik e politik ! Deri sa të mbyllim sytë e të ikim nga kjo botë e marrë. Një rit i cuditshëm që përcillet fort e dhimbshëm në brezat. Në Shqipërinë tonë hallemadhe e jashtë saj, në cdo qoshe të globit ku merr frymë edhe shqiptari i fundit. Djep i përjetshëm që përkundet dridhshëm në cdo hap e bisedë, në gëzime e hidhërime, në varfëri e pasuri, në ëndrra e zemra. Përshembull, njihu me punën vetmohuese të Xhevat Zenjelit, që po kalon muaj e vite ankthi duke gërmuar e mbledhur plot merak e dashuri nëpër fakte,shifra, episode e ngjarje “me cika stërralli”, me dokumente të pakontestueshme në arkivat shtetërore e gojë më gojë me njerëzit brenda e përtej Karbunarit të Vlorës. Një përkushtim i rrallë qytetar e atdhetar për trojet ku na ka rënë koka.

Udhëtimet e tij të shumta në moshën e bardhë, te ndonjëri që e shtyn ditën vetëm me llafe në kafe rreth gotës a filxhanit, hapi edhe shtigje të nemitura ziliqare e thashethemnaje. Shpirti i tyre i pushtuar nga “stuhia materialiste e pragmatiste e parasë kallpe”, arriti deri te hamendësime foshnjore, të liga e naive :” E mo, do jetë duke kumbisur tapitë e pronave stërgjyshore” ose “dikush e ka ëmbëlsuar me peshqeshe mbi e nën dorë, që ngulka këmbë si mushka nëpër udhë të pashkelura ” etj. Të kam rixha, më dëgjo edhe pak ! Ai djalë Karbunari e vlonjat i thekur, i tha herët “Mirëupafshim” vatrës familjare kur mbaroi studimet e larta pas shërbimit ushtarak dhe u nis pa asnjë pishmanllëk a pakënaqësi nëpër malet e Gramshit e në kufi me Skraparin. Atje ku e emëruan, në ekonomitë bujqësore e blegtorale (Sot, nganjëherë më vjen për të vjellë e pështyrë, kur dëgjoj disa kokorocë në median televizive, që transferimin e shërbimin nëpër rrethe e pagëzojnë fët e fët gati si “persekutim politik”, “pasoja të diktaturës” e të tjera brockulla aguridhe. Dhe arrijnë deri aty sa guxojnë të kërkojnë qiqra në hell dhe shpërblime e favore nga shteti demokratik !). Me korrektësi, pasion e aftësi të dukshme profesionale, me dashuri e idealizëm të kulluar, ka falur dekadat e moshës më të mirë në ato male hijerënda, pa qibër e pa salltanete private e zyrtare. Atje lidhi edhe jetën me bashkëshorten nga Berati. Kur të prekësh nga afër punën e Xhevatit, dua të dëgjoj mendimin tënd si gazetar profesionist e si mik që flet drejtpërdrejt dhe pa kthesa e mbulesa…

Këto radhë rrëfimi të pastra i hodha një javë pas leximit të dorëshkrimeve voluminoze të sistemuara bukur e gati pa asnjë gabim ortografik nga ekonomisti vizionar, Xhevat Zenjelaj. Nga serioziteti i tij gjuhësor e informues, mund të mësojë pa frikë edhe cdo gazetar i sotëm. Ishte vështirë t’i krasitje qoftë edhe një paragraf me ujë e pa ujë. Rrallë më ka qëlluar të përballem me punime të tilla. Ndërsa perifrazoja “amanetin” e Isufit (para se të fluturonte mbi dete e oqeane drejt tokës amerikane) më feksi natyrshëm një moment gjurmëlënës i 22 viteve më parë. Ishte e dielë, një ditë takimi e pashkruar për refugjatët fatkob në periferinë e sheshit “Omonia” në Athinë. Nëpër kafenetë e thjeshta e aspak luksoze derdheshin kujtime e derte, por edhe ndonjë këngë e lotë të kripur mërgimi. Jo shumë larg kioskës “Everest” ku shpaloseshin gazetat e ardhura nga Tirana, u mblodhëm disa tepelenas, përmetarë e vlonjatë. Fjala ngiste fjalën. Dhe si zakonisht gjuha shkonte tek dhimbte “dhëmbi”, te vatrat që lamë prapa në fshatra e qytete, te prindërit zemrapërvëluar, te gratë e fëmijët e parritur…te mëmëdheu fytyrënxirosur gjatë rrokullimës zezonë të ’97-ës shushamë pa fund e anë ! Pranë një gote me uzo a një shishe birre edhe këngët sikur pikonin helme e maraze. Befas, Isuf Danaj, mësuesi veteran e djalë dëshmori (pasi pyeti të tjerët se nga isha unë), lëshoi një gurgullimë labe që mua më ngriu të tërin :” Në Jugun e Shqipërisë/ Sec janë dy malësi/ Trebeshina me Golikun/ Që të dy janë karshi/ Përmes tyre shkon një lumë/ Lumi Vjosa është ai/ Përmbi Vjosë një fshat i bukur/ Peshtani, shokë Peshtani !…”. Një surprizë e këndshme, por edhe tronditëse e tepër emocionuese për mua që sapo kisha marrë arratinë e detyruar.

E mbi të gjitha, e këndonte ai burrë nga Karbunari i Vlorës, për vendlindjen time të shenjtë te Grykat e Këlcyrë-Mezhgoranit ! (Vitet e fundit mësova që autori i saj ishte Nako Cami, vëllai i nënës time, të cilin e përjashtuan nga partia dhe nga puna në Durrës dy letra anonime këllira, pas 40 viteve në atë qytet ku e deshën dhe e respektuan aq shumë njerëzit e thjeshtë…). Në kushtet e emigracionit, përjetime të tilla nuk janë hic të rëndomta apo thjesht “hartime” urithësh ethebutë. Më mirë se kushdo, më kuptojnë ata mijëra që kanë marrë udhët e botës…” –Unë e kam dëgjuar shpesh nga ish partizani Xhelo Malaj, që ligjëronte me gjongul e zjarr këtë këngë aq të dashur për të. Nuk di më tutje se si është rrjedha e saj në gojën dhe shpirtin e tij. Vecse mbaj mend që tundej Karbunari me gurë e drurë. Mbase një ditë do piqemi në Selenicë, se atje ka shkuar,-sqaronte Isufi, djali i nënë Fizes kapedane që rriti e seliti e vetme fëmijët jetimë me baba të pushkatuar nga nazifashistët.

Kur u ktheva nga kurbeti kobeshumë, doja të takoja sa më shpejt këngëtarin Xhelo. Por ah, ai kishte mbyllur sytë përgjithmonë ! Vecse portretin e tij e gjeta mes shokëve të vet luftëtarë në dorëshkrimet e Xhevat Zenjelit. Bashkë me foton bardhë e zi. Bashkë me një vragë plage në ballë, mbetur gjatë marshimit partizan në kthesat e tmerrshme të Salarisë e në mes të dëborës. Gjurmë që i gjen deri  në ish Jugosllavi; në Provokacionet greke të gushtit ’49; në Ushtri; në minierën e bitumit e gjetkë…Madje mjaft djem e vajza të Karbunarit buzë Vjosës, ish partizanë e komunistë të ndershëm, nuk kërkuan kurrë spaleta, poste e privilegje të pamerituara. Me djersën e ballit, ata bënë emër të mirë nëpër galeritë e minierës së Selenicës, në bujqësi e blegtori, pa tundur e shkundur dekorata për të rrëmbyer. Shërbyen me devotshmëri e atdhedashuri. Po kështu fëmijët e tyre. Si në monizëm dhe në pluralizëm. Një brez i ndritur që do të kujtohet e nderohet gjatë…Mirëpo, Xhevati ynë dhe vërsnikët e tij e marrin vendlindjen me vete, kudo ku i hedh fati e jeta. Fjala vjen, jam befasuar nga statistikat kokforta e tepër domethënëse për Arsimin dhe Kulturën. Ndokujt që do i bien në dorë ato dorëshkrime të gjalla (sidomos lexuesve jashtë Karbunarit), ndoshta do u duken të pabesueshme informacionet pa pikë uji të tepërt, vecanërisht ato për djemtë dhe vajzat që paskan mbaruar studimet në auditorët e Harvardit, në Londër, Zvicër, Romë etj. Ose për  ata bashkëfshatarë që sot janë në krye të Politikës sonë të Jashtme apo në drejtimin e Komitetit Shqiptar të Helsinkit; mbi 30 vetë nga Mjekësia nëpër universitete e klinika italiane, zviceriane, angleze, greke e amerikane; mbi 60 ekonomistë e 32 në shkencat inxhinierike; mbi 25 juristë e 50 vetë në mësuesi; mbi 40 ushtarakë karriere…Ndërsa tingujt e një violinceli të orkestrës filarmonike në Strasburg, francezët i njohin dhe i duartrokasin shpesh. Fare pak e dinë që instrumentisti virtuoz është shqiptar. Dhe askujt nuk i shkon mendja se ai është nga Karbunari i Vlorës. Nuk thosh kot Sami Frashëri nga viset e mia :” Nëse do të mbjellësh për një vit, mbill misër e grurë. Nëse kërkon të mbjellësh përgjithmonë, mbill  Arsim e Kulturë” !…

I palodhuri Xhevat, nuk hyn te ajo racë që ndryshe mendon e ndryshe shkruan apo sot të betohet për të vërtetën e nesër të puthet me gënjeshtrën. Informacioni që rrjedh, shpesh të hedh në meditime aspak fluturake, të nxit e të mëkon natyrshëm krenarinë, atdhedashurinë, qytetarinë e pse jo edhe nostalgjinë për të mirën e provuar në breza, në zakone e tradita adhuruese rrënjëthella, në cdo grusht dheu të Karbunarit me një mal “histori kapakkuqe”. Histori që burrat e vërtetë të kësaj treve i ndezën si pishtarë të pashuar sot e gjithë ditën, që nga 1912; 1920 e gjer te Lufta e shenjtë Antifashiste Nacionalclirimtare, te rindërtimi i një Bote të Re me themelet te Liria, Pavarësia e Demokracia. Me themelet e përjetshme te “lule djemtë e nënave” ! Në cdo kohë e stinë, me diell, llohë a furtunë. Të lidhur e të bashkuar me njeri-tjetrin “si fishekë gjerdani”! Sistemet politike vijnë e shkojnë, por njeriu me dy gisht nder në ballë mbetet. Shprehem kështu, sepse në këtë botë “ka dy lloj pishtarësh : Pishtarë që ndritin dhe pishtarë që i vënë zjarrin rrugës !”. Lum kush e mbyll me faqe të bardhë e që “nuk lëndon askënd”!, thoshte shpesh vëllai Mujo, ushtaraku që gremisi sytë e iku në paqe me veten dhe të tjerët. Sepse te burimi duhet të falen e të ulin kokën të gjithë, të varfër e të kamur. Kudo që të jemi, afër edhe larg. Ashtu sic bën Xhevat Zenjelaj me shokë….    

6 komente në “Një vlonjat i thekur, ul kokën tek burimet e Karbunarit!”

  1. Besniku says:

    Dashuria per vendin, per njerzit e tu ne atdheun tend apo ne emigracion leitmotivi kryesor i gazetarit Mertiri. Dhe kjo nuk eshte pak kur vershon me stilin e rrjedhshem e te njohur te tij.

  2. Erioni says:

    Bravo, bravo, 100 here bravo. Xhevat Zenjelaj nje njeri i thjeshte por me bote te madhe nuk mund ti rrije larg baltes se Karbunarit. Personazhe si ky qe sjell artikullshkruesi, fitojne te gjithe respektin tone sepse te percjellin virtytet me te larta njerezore. Gjithcka humane.

  3. Lazer says:

    Ky shkrim m’solli ne ket ore te mbrame vargjet e Gjergj Fishtes:
    Derisa t’mundem me ligjrue,
    E sa gjall me fryme un jam,
    Kurr’Shqypni s’kam me t’harrue,
    Edhe n’vorr me t’permende kam.

  4. fred says:

    Xhevati eshte nje njeri i punes,serioz ne gjithcka qe ben dhe teper korrekt.e kam njohur disa vite me pare.Ka bere nje pune te jashtezakonshme per te rrefyer Historine vendlindjes,pa asnje lloj mbeshtetje dhe pa asnje lloj shperblimi.Nje pune me shume se 10 vjecare,i vetem. Por e ka kuptuar mire se cfare po ben dhe ku po shkon.Respekt per njerez te tille Anonime qe vlejne aq shume per vendin.

  5. Syrja Xhafaj says:

    Eshte nje shkrim shume kuptimplote me pelqeu per te gjitha c’far shkruhet kryesisht per Xhevat Zenelin, ka qene dhe eshte njeriu me virtyte shume dimesionale

  6. malsori says:

    Një njeri me vlera si Zoti Mërtiri, evidenton vlera. Këto janë shkrimet që duhen lexuar.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje