ANALIZA: Ja pse emigrimi është një dukuri e pandalshme dhe një përgjigje për debatet e pafundme

15 Prill 2019, 11:01Bota TEMA

Nga Robert A Burton

Ndërsa shtohet rradhët e njerëzve nëpër botë, ndryshimet e popullsisë, janë shfaqur si një sfidë e madhe globale, me ndikime potencialisht katastrofike. Debatet e pafundme, mbi të drejtat e emigrantëve, kanë dështuar të prodhojnë edhe variantin më të dobët të një zgjidhjeje të pranueshme.

Por ndoshta një qasje alternative, do të ishte të bazohemi mbi një ligj bazik themelor të kimisë.

Duke pranuar rrezikun e një mbi-thjeshtëzimi të madh, çfarë ndodh nëse e shohin fluksin e popullatave që zhvendosen, si ekuivalentin njerëzor të dukurisë kimike të osmozës?

Në lëndën e kimisë në shkollën e mesme, kemi mësuar se në një enë me ujë, të ndarë në dy gjysma nga një membranë gjysmëpërçuese, përqendrimet e pabarabarta të kripës, sjellin lëvizjen e ujit nga ana më e holluar drejt anës me koncentrimin më të madh të kripës.

Sa më e madhe të jetë mospërputhja në përqendrimin e solucioneve, qoftë të një molekule kripë apo të një proteine ​​plazmore komplekse, aq më e madhe është forca për të barazuar përqendrimet.  Tani imagjinojeni botën si një enë gjigante, të ndarë në një numër kontejnerësh më të vegjël (kombeve), të ndarë nga njëri-tjetri nga membrana gjysmëpërçuese (kufijtë).

Në vend të kripës, hidhni në çdo enë sasi të ndryshme ushqim, strehim dhe shërbime jetike.

Në këtë skenar, zhvendosja e popullsisë nga një vend në tjetrin, do të jetë një funksion i drejtpërdrejtë i shkallës së dallimit të mallrave, mundësive dhe shpresës.

Ky zhvendosje e popullsisë, nuk është vetëm një dilemë etike apo metafizike, që duhet të zgjidhet në nivelin e një kundërvënie “ne” përkundrejt “atyre”. Nuk ka të bëjë as me të drejtën për të menaxhuar territorin dhe mbrojtur kufijtë, po me vlerën relative të individëve kundrejt grupeve.

Përkundrazi, presionet që nxisin emigracionin, duhet të shihen si të natyrshme dhe të pashmangshme – ashtu si reagimet kimike; dhe nga kjo perspektivë, një reduktim i elementëve, do të ishte zgjidhja e vetme e mundshme afatgjatë.

Mjerisht, shumica e politikëbërësve, përqendrohen tek mënyra se si të vazhdojnë në një mënyrë më efektive me këtë mungesë balance.  Reagimi më popullor dhe më i menjëhershëm, është rritja e papërshkueshmërisë së “membranave” që ndajnë vendet.

Por siguria e forcuar, apo ngritja e mureve teorikisht të pakapërcyeshëm, nuk merr parasysh fuqinë e madhe të dëshpërimit.  Sikurse ka shkruar poeti britaniko-somalez Uarsan Shire:”Askush nuk largohet nga shtëpia, përveç nëse ajo është bërë si goja e një peshkaqeni!”.

Kriza aktuale e emigracionit, mund të ishte parashikuar shumë kohë më parë (dhe ndoshta të ishte menexhuar më mirë), nëse do të ishte pranuar që përveç pabarazive të thella socioekonomike, ndryshimet e ardhshme të popullsisë, do të nxiten nga dy tendenca përshpejtuese:një shkallë më e madhe asimetrike e lindjeve, në rajonet më pak të begata të botës, si dhe emigrimi nga zonat më të prekura nga ndryshimet klimatike.

Si rezultat i luftës, urisë dhe sëmundjeve, rritja e popullsisë dikur, kishte ritmet e kërmillit. U deshën 7 shekuj (nga fillimi i shekullit IX-të deri në mesin e shekullit XVI-të), që popullsia të  dyfishohej nga 250 në 500 milionë. Megjithatë, në mesin e shekullit XX-të, u deshën më pak se 40 vjet që popullsia e botës, të shkonte nga 2.5 në 5 miliardë njerëz – me një normë rritjeje prej pak më shumë se 2 për qind në vit.

Fatmirësisht, ritme të tilla rritjeje të shpejta, arritën kulmin në fillim të viteve 1960. Mjerisht, në gjysmën e shekullit të fundit, rënia e normës së rritjes së popullsisë nuk ka qenë uniforme. Sa për të përmendur shembullin më ekstrem, rritja vjetore e popullsisë (duke përjashtuar rritjen për shkak të emigracionit) në shumë vende evropiane, është tani negative.

Ndërkohë nga viti 2017, Afrika Sub-Sahariane po e rrit popullsinë e saj me 2.7 për qind në vit. Me këto rritme, brenda dekadës së ardhshme, do të ketë një rritje prej 30 përqind në “zhvendosjen ozmotike” midis pjesës më të madhe të Afrikës dhe Evropës Perëndimore.

Mospërputhjet në hemisferën perëndimore, janë shumë më të vogla, por ende domethënëse. Ndërsa normat e lindjeve në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada, janë nën nivelin e zëvendësimit (në të cilin një brez i caktuar, mund të zëvendësojë veten), edhe ndryshimet e vogla në përqindje, kanë pasoja të mëdha.

Në vitin 2017, norma e rritjes në Amerikën e Jugut dhe Karaibe, ishte afërsisht 1 për qind. Një studim demografik i vitit 2009, thekson se vendet me popullsi shumë të re, arrijnë rrallë pragje të larta të zhvillimit. Dhe ky është një paralajmërim ogurzi: 90 përqind e varfërisë globale, është e përqendruar tek vendet me popullsi të re, dhe në rritje të shpejtë të saj.

Nuk është ndonjë çudi, që emigrimi në shkallë të gjerë nga vendet e varfëra drejt rajoneve më të pasura të botës, do të jetë një tipar i përhershëm i ekonomisë së ardhshme globale. Shtojini këtu marrëdhënien e anasjelltë ndërmjet nivelit arsimor dhe nivelit të lindshmërisë, dhe keni një recetë të pagabueshme drejt katastrofës ekonomike.

Merrni Nigerinë, me një popullsi prej rreth 200 milionë banorësh, dhe me një normë vjetore të rritjes së popullsisë afër 3 përqind. Mosha mesatare e popullsisë, është më e vogël se 18 vjeç, me më shumë se 40 përqind më të rinj se sa 15-vjeç. Sipas ambasadës së SHBA-së në Nigeri, përkundër përpjekjeve të përbashkëta për të përmirësuar mundësitë arsimore në vend, më shumë se një e treta e popullsisë është analfabete; një numër i madh i fëmijësh dhe të rinjsh me një edukim të kufizuar, kanë pak shpresë për t’ju bashkuar ndonjëherë fuqisë punëtore.

Deri në vitin 2050, Nigeria është në rrugën e duhur për të qenë vendi i tretë më i populluar në botë. Sikur këto shifra të mos jenë mjaftueshëm të frikshme, kini parasysh efektin negativ të ndryshimeve të ardhshme klimatike, mbi zhvendosjet e popullsive.

Një raport i vitit 2018, i hartuar nga 91 shkencëtarë nga 40 vende të botës për Panelin Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike, ka arritur në përfundimin se një rritje prej 2 gradë Celsius mbi nivelet para-industriale, do të sjellë “një evakuim të shpërpjestuar” të njerëzve nga rajonet tropikale.

Sikurse shprehet Aromar Revi, një nga autorët e raportit për “The Neë York Times”:”Në disa pjesë të botës, kufijtë kombëtarë do të bëhen të parëndësishëm. Ju mund të ngrini një mur që mund të frenojë hyrjen e 10 mijë, 20 mijë apo edhe 1 milionë njerëzve, por jo 10 milionë”.

Natyrisht, ka shumë faktorë të tjerë që ndikojnë në zhvendosjen e popullsisë, por pa një rishpërndarje dramatike të mallrave dhe mundësive, si dhe pa përpjekjet serioze për të kontrolluar apo reduktuar popullsinë globale, si dhe një përpjekje të gjithanshme për të kufizuar ndryshimet klimatike, ne mund të presim që në mbarë botën zhvendosja e popullsisë vetëm sa do të rritet.

Kur një pacient ka një sëmundje serioze të konfirmuar, është e kotë të vazhdosh përsëritjen e testeve laboratorike, me shpresën se do të ketë një rezultat të ndryshëm. Argumentet mbi të drejtat e kombeve për të kontrolluar kufijtë e tyre, janë një hap i madh në drejtimin e gabuar.

Ne duhet të shqyrtojmë më së pari dinamikën shkatërruese të pabarazisë.(Aeon – Bota.al)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje