ONM peshon akuzat për ‘konflikt interesi’ ndaj kryetares së KPA, Natasha Mulaj

15 Prill 2019, 17:12Kronika TEMA

Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit po shqyrton një ankim për konflikt interesi ndaj gjyqtares Natasha Mulaj, e cila nëse vlerësohet se ka të dhëna të mjaftueshme, mund të prodhojë një hetim disiplinor ndaj kreut të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.

Nga Besar Likmeta

Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit – struktura e ngritur nga Bashkimi Europian dhe SHBA për të mbikëqyrur procesin e vetingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve, po vlerëson një ankesë ndaj kreut të Kolegjit të Apelimit, Natasha Mulaj, e cila akuzohet për konflikti interesi pas përfshirjes së familjarëve të saj në një çështje gjyqësore me një subjekt rivlerësimi.

Akuzat ndaj kreut të KPA-së, Mulaj rrjedhin nga një çështje për “sigurim padie” në Gjykatën Administrative të Apelit, e ngritur kundër bashkisë Tiranë për kundërshtimin e një lejeje ndërtimi nga shoqëria ‘Construction Management Alliance Albania’ dhe të tjerë – e cila po gjykohet nga një trupë gjykuese e udhëhequr nga gjyqtari Artur Malaj.

Malaj u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, por vendimi u ankimua nga Komisioneri Publik në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Çështja ndaj tij pritet të gjykohet nga një trupë prej pesë gjyqtarësh, e cila përfshin dhe kreun e KPA-së, Natasha Mulaj.

Pala e paditur e akuzon gjyqtarin Malaj për shkelje proceduriale në procesin administrativ, që sipas tyre vijnë si pasojë e interesave të këtij të fundit për të kaluar procesin e vetingut si dhe interesave të familjarëve të gjyqtares Mulaj në këtë çështje.

Përfaqësuesja ligjore e palës së paditur ka bërë kërkesë për përjashtimin nga gjykimi të relatorit të çështjes, Artur Malaj, ndërkohë që i ka dërguar një ankesë kundër kreut të KPA-së disa institucioneve vendase dhe ndërkombëtare – përfshirë Ambasadës së SHBA-së në Tiranë, Presidentit të Republikës dhe Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.

I pyetur nga BIRN mbi ankimin e marrë, ONM tha në një përgjigje me shkrim se akuzat ndaj gjyqtares Mulaj po shqyrtoheshin.

“Vëzhguesit ndërkombëtarë në Tiranë konfirmojnë që çdo akuzë që merret nga ONM kundër anëtarëve të komisioneve të vetingut analizohet me kujdes rigoroz, në mënyrë që të vlerësohet nëse përmbush kushtet për të hapur një hetim disiplinor – sipas nenit 16 dhe 17 të ligjit të vetingut,” tha ONM, duke shtuar se ankesa ndaj gjyqtares Mulaj “po vlerësohen në këtë kontekst”.

E pyetur nëpërmjet një zëdhënësi nëse ka një konflikt interesi me subjektin e rivlerësimit, Artur Malaj, kryetarja e KPA-së, Natasha Mulaj mohoi të kishte dijeni për një konflikt të tillë.

“Znj. Natasha Mulaj nuk është në dijeni të ndonjë konflikti interesi, mes saj apo familjarëve, me subjektin e rivlerësimit Artur Malaj,” tha zëdhënësja e KPA-së në një përgjigje me shkrim.

“Kjo për shkak se nuk ka pasur dhe nuk ka njohje personale, marrëdhënie profesionale apo shoqërore me subjektin e rivlerësimit Artur Malaj. Znj.Mulaj e njeh z.Artur Malaj vetëm nëpërmjet medias dhe si subjekt rivlerësimi nga shorti i hedhur në Kolegj,” shtoi ajo.

Edhe gjyqtari Artur Malaj i hodhi poshtë si të pabaza akuzat e palës së paditur dhe mohoi kategorikisht të kishte favorizuar vëllanë e znj.Mulaj në proces.

“As me zonjën Mulaj dhe as vëllanë e saj nuk kam asnjë njohje. Kurrë në jetën time nuk e kam takuar as zonjën Mulaj, as vëllanë e saj dhe as isha në dijeni të faktit se zoti Admir Mulaj ishte vëllai i zonjës Mulaj,” tha Malaj për BIRN.

“Këtë e kam mësuar pas ankesës së palës së paditur, pasi kisha lënë datën e seancës. Pasi erdha në dijeni të këtij fakti, në bazë të nenit 72 të Kodit të Procedurës Civile konstatova se nuk kam shkak ligjor për të dhënë dorëheqjen,” shpjegoi Malaj, duke shtuar se heqja dorë pa shkak ligjor mund ta penalizonte atë me “procedim disiplinor”.

Konflikti gjyqësor

Sipas nenit 27 të ligjit 84/2016 ‘Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve,”, i njohur gjithashtu si ligji i vetingut, anëtarët e institucioneve të rivlerësimit janë të detyruar të deklarojnë dhe shmangin çdo konflikt interesi. Sipas këtij neni, çdo vendim i marrë në një situatë konflikti interesi, përveç pasojave ligjore në procesin e vendimmarrjes, përbën shkelje disiplinore.

Në rast se një anëtar i institucioneve të rivlerësimit – përfshirë Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, Komisionerin Publik dhe Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ka dijeni se nuk mund të shqyrtojë një çështje, ai ose ajo duhet të njoftojë menjëherë me shkrim trupin gjykues.

Ankimi i Komisionerit Publik ndaj konfirmimit në detyrë të gjyqtarit Artur Malaj është shortuar në Kolegjin e Apelimit me datë 15 nëntor dhe pjesë e trupit gjykues janë zgjedhur gjyqtarët Rezarta Schuetz, Sokol Çomo, Ina Rama, Natasha Mulaj dhe Ardian Hajdari.

Dy muaj më vonë, më 14 janar 2019, në Gjykatën Administrative të Apelit u paraqit një kërkesë për sigurim padie kundër Bashkisë së Tiranës nga kompania ‘Construction Managment Alliance Albania’  dhe shtetasi Refik Mehmeti. Palë të treta në këtë proces janë kompania ABV Konstruksion, Avokatura e Shtetit dhe shtetasit Arjan Çukaj, Ferid Sukaj dhe Indrit Sukaj.

Padia ka si objekt shfuqizimin e një lejeje ndërtimi të dhënë nga bashkia Tiranë për një ndërtesë 8-katëshe në rrugën ‘3 Vëllezërit Kondi’, si dhe marrjen e masës së sigurimit të padisë duke pezulluar aktin administrativ të nxjerrë nga bashkia Tiranë.

Kompania ‘Construction Managment Alliance Albania’  është në pronësi të shtetasit Admir Mulaj – vëllai i gjyqtares së Kolegjit, Natasha Mulaj. Ashtu si ABV Konstruksion, edhe kjo kompani ka pasur interes për të ndërtuar në truallin ku është dhënë leja e ndërtimit dhe pjesë e të cilit pretendohet nga shtetasi Refik Mehmeti.

Në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë, padia e tyre është hedhur poshtë nga një trupë gjykuese e udhëhequr nga gjyqtari Avni Sejdi.

Kërkesa për përjashtimin e gjyqtarit

E ankimuar nga paditësit në Gjykatën Administrative të Apelit, konflikti midis dy ky kompanive të ndërtimit është hedhur në short dhe i ka kaluar për shqyrtim trupës gjyqësore të kryesuar nga relatori Artur Malaj dhe anëtaret Lindita Sinanaj dhe Rilinda Selimi.

Çështja është regjistruar me 14 janar dhe është caktuar për gjykim më 7 mars, një periudhë relativisht e shkurtër për Gjykatën Administrative të Apelit dhe ngarkesën e këtij institucioni, çfarë ka ngritur dyshime tek pala e paditur se relatori i çështjes nuk ishte i paanshëm.

Duke dyshuar se relatori i çështjes nuk po gjykonte me paanshmëri çështjen, për shkak të interesave të tij që lidheshin me procesin e rivlerësimit, pala e paditur i është drejtuar Gjykatës Administrative të Apelit duke kërkuar përjashtimin e tij nga çështja.

“Ky përshpejtim pa u plotësuar ende afati 2 mujor i depozitimit, na bind se përcaktimi i kësaj date për shqyrtimin e ankimit nga pala ankimuese Refik Mehmeti dhe shoq. “Construction Menagment Alliance Albania” shpk, në dhomë këshillimi, pa prezencë të palëve, tregon dhe provon se ky gjyqtar është një gjyqtar i ndikuar dhe plotësisht i njëanshëm, duke na bindur që ka një interes në përfundimin e çështjes,” shkruhet në kërkesën për përjashtimin e gjyqtarit Malaj nga çështja.

“Po ti referohesh kalendarit të gjykimit të çështjeve të këtij gjyqtari në lidhje me masat e sigurimit dhe ankimet ndaj tyre, ky gjyqtar është duke gjykuar akoma çështje të regjistruara në shkurt 2015,  nëntor 2016, shtator 2016,” pretendon pala e paditur.

Pala e paditur shkruan gjithashtu se njëanshmëria e gjyqtarit Malaj ndikohet nga interesi për t’u konfirmuar në detyrë në Kolegjin e Apelimit, për shkak të lidhjeve familjare midis palës paditëse dhe kreut të Kolegjit të Apelimit.

“Motra e avokatit të çështjes objekt gjykimi, Vladimir Mulaj dhe administratorit të CMAA, Admir Mulaj është znj.  Natasha Mulaj, e cila është kryetare e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit dhe lidhja familjare dhe interesi i gjyqtarit për të marrë një vendim pozitiv nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit  mund të ndikojë në vendimmarrjen e gjyqtarit Artur Malaj dhe kjo e bën atë një gjyqtar të njëanshëm dhe jo të besueshëm për të vijuar me shqyrtimin e kësaj çështjeje,” shkruhet në kërkesën për përjashtimin e gjyqtarit.

Megjithatë, i pyetur nga BIRN, gjyqtari Malaj mohoi se kishte përshpejtuar çështjen ose të kishte favorizuar në ndonjë mënyrë ndonjë nga palët. Ai tha se caktimi i shpejtë i seancës vinte pasi kjo padi ishte një kërkesë për masë sigurie. Ai nënvizoi se kërkesat për sigurim padie janë të karakterit të ngutshëm dhe nuk zgjidhin çështjen se kush ka të drejtë, por ruajnë status-quonë deri sa të zgjidhet themeli për të mënjanuar dëmet që mund të pësojnë qytetarët.

“Në lidhje me përshpejtimin e gjykimit sqaroj se është masë sigurie dhe  bëhet për shkak të urgjencës brenda afatit 5 ditor thotë ligji,” tha Malaj.

“Nuk është e vertetë që është bërë vetëm në rastin në fjalë. Kështu është vepruar edhe në raste te ngjashme,” shtoi ai, duke listuar nja 5 vendime që sipas gjyqtarit Artur Malaj ka vepruar në mënyrë të ngjashme, për shkak se kanë qenë masë “me karakter te ngutshëm.”

Malaj tha se kërkesa për përjashtimin e tij nga trupa gjykuese e çështjes po gjykohej nga një trupë gjykuese me relator gjyqtarin Amarildo Laçi.

“Gjykimi deri tani që po flasim nuk është përfunduar dhe unë nuk kam kryer asnjë veprim procedural, derisa të merret vendim për kërkesën e përjashtimit,” tha ai.

“Nëse do pranohet kërkesa, atëherë çështja do rishortohet. Nëse jo, do të vazhdoj gjykimin,” shtoi Malaj.

Ankesa në ONM

Sipas neni 16 të ligjit të vetingut, anëtarët e institucioneve të rivlerësimit mbajnë përgjegjësi disiplinore, në rast të mosparaqitjes së kërkesës për heqje dorë nga shqyrtimi i çështjes, kur ka dyshime të arsyeshme për ekzistencën e rasteve të papajtueshmërisë për ushtrimin e funksionit, sipas legjislacionit në fuqi dhe nëse anëtari është në dijeni të rrethanave të tilla.

E pyetur nga BIRN, gjyqtarja Mulaj mohoi të ketë bërë një kërkesë për heqje dorë nga shqyrtimi i çështjes për rastin e rivlerësimit të gjyqtarit Artur Malaj. Ajo gjithashtu nuk iu përgjigj një pyetje specifike nëse e konsideronte konflikt interesi çështjen me nr. “31154-00111-86-2019” dhe palë familjarët e saj në Gjykatën Administrative të Apelit.

Përveç kërkesës për përjashtimin e gjyqtarit, shoqëria ABV Konstruksion dhe shtetasit Ferid Sukaj dhe Indit Sukaj  kanë bërë dhe një ankesë në Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit, duke aluduar që ‘shkeljet procedurale në çështjen e pronësisë në Gjykatën Administrative të Apelit lidhen me procesin e rivlerësimit të gjyqtarit Artur Malaj dhe interesat e familjarëve të kreut të KPA-së, Mulaj’.

Në ankesën e tyre drejtuar ONM-së, bëhet një përmbledhje e gjatë e konflikteve gjyqësore civile dhe penale në të cilat është përfshirë prona e lakmuar nga të dy palët. Në ankesë pretendohet se gjyqtarja Mulaj mund të ndikojë në procesin e rivlerësimit të gjyqtarit Artur Malaj, çfarë sipas palës së paditur e bën gjyqtarin të anshëm.

“Fakti që kemi interesa personale mes palëve paditëse dhe gjyqtarit Malaj, cënon parimin e një gjykate të paanshme,” thuhet në ankesë.

Ankuesit i kërkojnë Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit të marrë masa për ta hetuar çështjen.

“Qëllimi i vetingut ishte të zbulonte pasuritë e fshehura të gjyqtarëve, sepse vetëm kështu mund t’i vëmë para përgjegjësisë gjyqtarët që kanë kryer korrupsion dhe nuk mund t’i shërbejë interesave personale të gjyqtarëve apo anëtarëve të vetigut,” përfundojnë ankuesit.

I pyetur nga BIRN, gjyqtari Artur Malaj mohoi që kreu i KPA-së, Natasha Mulaj të kishte interesa të lidhura me këtë çështje.

“Në çështjen në fjalë, zonja Mulaj nuk ka asnjë interes. Interes në çështje ka paditësi Refik Mehmeti, i cili pretendon se po ndërtohet në tokën e tij pasi i është prishur edhe shtëpia,” përfundoi Malaj.

5 komente në “ONM peshon akuzat për ‘konflikt interesi’ ndaj kryetares së KPA, Natasha Mulaj”

  1. Goni says:

    Eshte e tmerrshme te mendosh se vetingu ka mbetur ne dore te njerezve me lidhje familjare kriminale. Vellezerit e Natashes jane gjobevenesit me te medhenj ne Tirane. Gjoja ndertues por ne fakt biznesi i tyre eshte gjobvenia. U marrin pronen pronareve me dhune.

  2. Martini says:

    99% e gjyqtarëve dhe prokurorëve janë një tufë qensh të cilët janë mësuar të hanë mut.Ata nuk mundet të veprojnë ndryshe.Të gjithë duhen zhdukur.

  3. Alba says:

    Vëllezërit e zonjës Mulaj dhe familja e saj janë të nderuaj dhe rrallë në këtë shoqëri ku jetojmë. Të ndershem, te gjithë te shkolluar (ca prej tyre edhe në Universitetet më prestigjioze të botës) dhe zonja në fjalë nuk është e rastësishme aty por e përzgjedhur dhe e skanuar nga amerikanët. Me profesion avokat një vëlla i zonjës Mulaj, ndodh që të ketë konflikte që ca personave nuk ju pëlqen dhe përdoren lloj lloj teknikash për të arritur qëllimin e tyre (baltosi, shpifje, mina…). Më qenë “kriminale” Goni më sipër si një djalë i mirë le të shkojë në prokurori dhe të denoncojë rast pas rasti. Por kjo nuk ndodh pasi është e sigurtë se familja Mulaj është në të drejtën e saj. Si i thonë asaj shprehjes qentë të lehin dhe “reforma” të ecë përpara”

  4. Dritani says:

    Goni ti qe e ke shkruajtur kete, nuk je asgje me shume vetem nje pleher, nje mbeturine dhe nje shpifes ordiner.
    Tu pergjigjesh shpifjeve te tua eshte humbje kohe. Por kete po e shkruaj me shume per lexuesit e tjere te sinqerte dhe te ndershem. Familjen Mulaj e njoh shume mire prej dekadash. Nese ka familje te ndershme patriotike dhe me vlera te jashtezakonshme jane ata.Edhe Kryetarja eshte teper dinjitoze dhe koha po e provon. asnje gjykates i korruptuar deri tani nuk ka kaluar ne kete gjykate. Kaq ka per borxhe vendit dhe shqipetareve kjo zonje e hekurt. Ndersa per vellezerit i njohin te gjithe se sa serioz, te ndershem dhe punetore jane. jane edhe te shkolluar asgje te keqe nuk i bejne. Po kur hasin ne veshtersi nga njeres bandite dhe te korruptuar ja tregojne vendin. ky shkrim thjesht eshte per te hedhur balte mbi nje person dhe familje qe eshte krenari kombetare.
    Respekte te gjitheve.

  5. Arta says:

    Natasha Mulaj eshte gjykatsja me e ndershme dhe e drejte ne tere historine e shtetit Shqipetare. Ky eshte nje gazetare pleher qe merr lek per te shantazhuat figura te pastra per ti sherbyer majes.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje