Protesta lyp qytetari!

15 Prill 2019, 17:55Blog TEMA

Nga Artan Xh. Duka

Në turmë nuk quhet?!

Protestat e PD e LSI nuk po dëshmojnë standartin e pritshëm nga parti që pretendojnë të  qeverisin nesër këtë vënd bazuar në rregulla e ligj. Përkundrazi, gjëra që normalisht janë të papranueshme në publik dhe sytë e ligjit nga cënimi i sigurisë fizike e pronës, uzurpimi apo ndotja e mjediseve publike etj, kalohen si pa gjë të keq kur ndodhin në turmë njëlloj sikur turma të jetë apriori “liçensë” apo “kartabiankë” për kundra-vajtje dhe shkelje ligji pa teklif!

PD e LSI duhet t’i dalin për zot protestës që ajo të mos degradojë dhe jo të justifikojnë më pas degradimin e saj. Ligji nuk bën dallim nëse shkelja bëhet tek-pull apo në grup, kryhet nga një e dy apo qindra individë! Turma nuk mund të shërbejë si mburojë për shkeljen e ligjit, ajo nuk është “entitet” ndaj të cilës ligji pushon së ekzistuari (njëlloj paralelizmi me filmin “The Purge” ku me ligj për 12 orë ligji pushonte së ekzistuari dhe anarkia kishte imunitet e “liçensë” për gjithshka).

Sikurse merr përgjegjësi fusha, klubi apo ekipi për një incident tifozash, po ashtu dhe drejtuesit e partive që inkurajojnë njerëzit në shesh duhet të marrin përgjegjësitë që u takojnë me ligj. Të parët që nuk duhet të lejojnë kompromentimin e shpirtit dhe dinjitetit të protestës duke u distancuar nga dhuna dhe eksesi në rrugë, molotovët e maskat, duhet të jenë politikanët që në pamundësi për t’i izoluar këto raste, duhet të kërkojnë ndihmën e policisë dhe jo t’a anatemojnë atë kur dhuna fiton terren ndërkohë që policia është atje për të gjithë.

Problemi nuk është protesta por abuzimi me të

Protesta dinjitoze është në meritën e partive që e thërrasin atë dhe anasjelltas çdo degradim i saj është kosto politike për to. Dhuna dhe vandalizmi, qoftë dhe episodik, ndikojnë në imazhin e partive në protestë dhe e pakta që duhet bërë është distancimi pa ekuivok dhe jo dhënia e imunitetit politik apo rreshtimi para murit të komisiariatit për lirimin e të ndaluarve në flagrancë! Ndryshe, anarkia në rrugë që politika i del zot nuk është protestë, bile i jep emër të keq asaj!

Degradimi i protestave ka karakterizuar të dyja krahët e politikës këto 30 vjet. PS e PD kanë kusuret e tyre por ndërkohë dallojnë si nga kauzat (raporti fakt/paragjykim), morali i protagonistëve ashtu dhe nga reagimi i organeve të rendit sa kohë në pushtet. Ndërsa protestat e PS në opozitë kanë patur kryesisht kauza të qënësishme (grabitja flagrante e votës, 21 janari, Gërdeci etj), sot thirren protesta për protestë nga politikanë në “turnin” e të cilëve ndodhën gjëra që ata sot anatemojnë!

Shpresa për të ardhmen nuk mund të ofrohet nga syresh që e sfumuan atë deri dje, nuk ngjizet as përmes anarkisë dhe eksesit në rrugë por duke i dhënë shansin drejtësisë të funksionojë dhe vëndit të çelë bisedimet këtë qershor për integrimin europian si një arbitër më shumë për standartin demokratik dhe vetë të drejtat e opozitës në vënd. E nëse ka një shqetësim real sot, është mesa duket paniku nga reforma në drejtësi. Por ndërsa ndaj reformës në drejtësi politika e tranzicionit rebelohet nga instikti i mbijetesës, qytetari nuk ka pse bëhet dekor i saj në dëm të integrimit europian dhe standartit demokratik për vete dhe familjen e tij.

Nëse protesta degradon dhe nuk ka distancim nga eksesi por përkundrazi imunizohet politikisht ai, përgjegjësia bie së pari tek organizatorët dhe alibia “populli mori situatën në dorë” nuk pi më ujë. Tek të dyja palët përballë në protestë janë bijë e bija nënash dhe nëse politika e ka të pamundur të shmangë anarkinë në rrugë, më mirë të heqë dorë nga protestat apo të gjitha palët të bien dakort që tubimet të mbahen në periferi pa shkaktuar probleme për qytetarin që shkon në punën e tij.

Protestën e nderon vetëm qytetaria

Qeverisja ka kusuret e saj dhe protesta qytetare është jetike për emancipimin demokratik, respektin prej perëndimit dhe partneritetin me të por nëse nuk është ende e thënë të mbushet sheshi për të drejtat qytetare, më e pakta është të lihen fillikat politikanët që i shpie atje paniku nga reforma në drejtësi. Protesta qytetare nuk ka pse mbetet ujë i pakët pas tre dekadash liri dhe militantizmi e verbëria partiake duhet të sfumohen nga e drejta qytetare për reflektim dhe ndryshim real në politikë.

Nëse sot duhet protestuar, duhet protestuar për zbatimin e reformës në drejtësi duke iu kundërvënë çdo përpjekjeje për sabotim apo sindrome “pas meje, qameti”, duhet ngritur zëri për respektimin e pronës historike, hartimin e një ligji zgjedhor bazuar tek merita, punësim dhe investime, përmbushjen e detyrimeve për integrimin europian, hallet ekonomike e sociale me të cilat shtresa të tëra përballen për ditë etj. Mbi të gjitha protesta finalizohet në kutinë e votimit dhe ligji aktual zgjedhor, pavarësisht se i stisur, nuk pengon që të votohet tjetërkush përveç partive që kanë zhgënjyer në pushtet.

Sot është sfidë qytetare e denjë për standartin e perëndimit dalja nga rrethi vicioz i tranzicionit ku mbijetesa ekonomike dhe sociale diktoi “robërim” e “hipnozë” pafund ndaj politikës abuzive të ditës që është po shkaktari i kësaj gjëndje në rradhë të parë. Është në dorën e qytetarit dhe për fatin e tij një dorë sot po ia jep edhe vetë reforma në drejtësi që, për shansin por dhe turpin tonë, është “bast” perëndimor falë së cilës qytetari nuk pse puth më nga halli “dorën” e politikës abuzive që nuk e kafshon dot 30 vjet. Protestës i jep dinjitet vetëm qytetari i lirë ndryshe më mirë sheshi bosh se sa problemi brënda.

2 komente në “Protesta lyp qytetari!”

  1. Pandi says:

    Me vjen keq qe keni cuar kohen tuaj dem duke shkruar kete artikull dhe gjithashtu keni cuar dem edhe kohen time qe lexova artikullin tuaj. Ju duhet te kishit analizuar pse njerezit protestojne dhe marrin pjese masivisht ne protestat e organizuara nga drejtues te dobet si lulzimi dhe monika. Po nuk keni nje pergjigje per kete, me vjen keq, nuk keni gje per vije…

  2. epo kjo pune says:

    opozite intifadash, lane nam, me okupatorin po luftojne keta plehra, pinjollet e atyre qe priten me lule 7 prillin, maskarenj e kaluar maskarenjsh, ben bota protesta ama kur i arreston policia, ben burgun dhe jo si keta qurranjoset tane qe dhe hedhin molotov dhe pastaj vine turma dhe kerkon lirimin se po persekutohet politikisht!!!!! Po mos arrestoni maskat se ata jane thjesht mish per top por kokat e protestes se ndryshe ky avaz qe i vjen per shtat rusit dhe interesave antishqiptare do vazhdoje, ja sot del lulzimja dhe kerkon monitorim te shqiperise nga BE si te ishim shtet gabel, edhe serbi nuk do kerkonte kaq shume, dakort le te monitoroje se keta zengjinat e opozites qe e kane bere avionin si urban cdo fundjave, nga i bene gjithe keto pasurira, nuk u sosen parate per mitingje, qenka si ai gjeli plakes.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje