Vdekja në mërgim e “trurit” të krimeve të Milosheviçit dhe dhjetëra milionë euro që mori me vete

Mirjana Markoviç, e veja e ish-presidentit serb dhe jugosllav Sllobodan Millosheviç, raportohet se ka ndërruar jetë në moshën 76-vjeçare në Moskë, ku jetonte në mërgim.

Nga Filip Rudic

Mirjana Markoviç, e veja e ish-presidentit të Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviç, vdiq të dielën në spital në Moskë, njoftoi media serbe.

Raportohet se Markoviç i është nënshtruar disa ndërhyrjeve kirurgjikale në Rusi, pas së cilës gjendja e saj u përkeqësua. Shkaku i vdekjes nuk u bë menjëherë publik.

Ajo siguroi përkrahje të vazhdueshme politike për bashkëshortin e saj Millosheviçin, ndërsa ai udhëhoqi vendin në luftëra katastrofike në Kroaci, Bosnje dhe Kosovë, e fundit e të cilave që përfundoi me NATO-n që bombardoi Jugosllavinë dhe e detyroi Beogradin të braktiste sundimin e tij mbi Kosovën në vitin 1999.

Disa e shihnin Markoviçin si pushtetin pas fronit dhe si këshilltaren kryesore të burrit të saj. Në vitin 1994, ajo themeloi partinë e saj, E Majta e Bashkuar Jugosllave, JUL, e cila qeverisi në koalicion me Partinë Socialiste të Serbisë të Millosheviçit.

Lideri aktual i Partisë Socialiste, Ministri i Jashtëm serb Ivica Daçiç, shprehu ngushëllimet për vdekjen e saj.

“Ne mund të mos kemi gjithmonë të njëjtat mendime, por unë gjithmonë e kam respektuar atë, si gruan e  Sllobodan Millosheviçit,” tha Daçiç për mediat serbe.

Megjithatë, të tjerët kujtuan rolin e saj në mbështetjen e politikave të bashkëshortit të saj gjatë luftërave ballkanike.

“Ajo ishte një pjesë integrale e regjimit të tij vrasës, dhe si shumë të tjerë , ajo gjithashtu i shpëtoi drejtësisë, duke i jetuar ditët e saj të fundit në mërgim në Rusi,” shkroi në Twitter shkencëtari politik Jasmin Mujanoviç.

Markoviç u largua nga Serbia për në Rusi në vitin 2003 pasi Millosheviçi u dërgua në Hagë për t’u gjykuar për krime lufte, edhe pse ai vdiq në vitin 2006 para se të jepej vendimi në gjyqin e tij. Asaj iu dha azil politik nga Moska.

Ajo dhe djali i saj Marko dhe vajza Marija kërkoheshin të gjithë në Serbi për krime që varionin nga korrupsioni, shpërdorimi i detyrës deri tek posedimi ilegal i armëve. Besohet se ata kanë fshehur dhjetëra miliona euro në llogari jashtë vendit.

Interpoli lëshoi një njoftim të kuq për arrestimin e saj pasi autoritetet serbe e akuzuan atë për shpërdorim të detyrës dhe ndërhyrje të paligjshme. Megjithatë, Rusia nuk pranoi ta ekstradonte atë në Serbi.

Gjykata e Apelit në Beograd, së fundmi, hodhi poshtë një vendim që e kishte gjetur Markoviçin fajtore për shpërdorim detyre për ndërhyrjen në ndarjen e apartamenteve shtetërore dhe e dërgoi çështjen për rigjykim.

Markoviç është akuzuar se ka qenë pas vrasjes së gazetarit të shquar Slavko Curuvija në Beograd në prill 1999 – një nga vrasjet më të famshme të kohës së Millosheviçit. Ajo mohoi ndonjë përfshirje.

Serbia dënoi katër ish-oficerë të sigurimit të shtetit serb për vrasjen e Curuvijës më 5 prill, por personi apo personat që dhanë urdhër për vrasjen e gazetarit mbeten ende pa u gjykuar.

REMOTE_ADDR:[]

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *