Pse të lë shije të hidhur vendimi i Ministres për pezullimin e Rektorit?

16 Prill 2019, 19:29Blog TEMA
Pse të lë shije të hidhur vendimi i Ministres për pezullimin

Prof. Asoc. Dr. Gafur MUKA

Edhe pa i lexuar pretendimet dhe argumentet e palëve, pra Ministres së Arsimit, Rinisë e Sporteve nga njëra anë dhe Rektorit të Universitetit, Prof. Dr. Munir Koni, nga ana tjetër, vendimi për pezullimin e Rektorit të lë një shije të hidhur. Kjo pasi kur përdoret fjala pezullim menjëherë mendja të shkon tek një masë ekstreme e marrë në kushtet e flagrancës. Pra thjesht gjykohet që shkelja e ligjit apo e normave etike është e një niveli të tillë që vazhdimi i ushtrimit të funksionit nga personi, në rastin e mospezullimit, do të kishte pasoja të menjëhershme dhe tepër të dëmshme jo vetëm për institucionin ku ai drejton, por edhe më gjerë. Kështu, sapo e dëgjon lajmin mbi pezullimin, të zgjohet interesi për të ditur shkaqet e tij. Dhe në rastin e Rektorit Koni argumenti që jep Ministrja për pezullimin e tij është: “rektori i UT Koni nuk është mjaftuar me kompetencat akademike, por ka dashur të mbajë edhe kompetenca administrative të cilat me ligj nuk i takojnë”. Natyrisht, në kushtet e vërtetësisë së këtij pohimi, masa e marrë duket në mos e pranueshme, e justifikueshme. E pra, një drejtues që del nga shtrati i kompetencave që i jep ligji, jo vetëm ka prirjen, por edhe realizon shkelje me pasoja të rënda nëpërmjet ushtrimit të funksionit në pozicionin që mban.

Atëhere çfarë?! Pse të lë shije të hidhur vendimi i Ministres për pezullimin e Rektorit?

Po të njihesh me problematikën e bërë publike duket që nuk jemi në kushtet e flagrancës apo të shkeljeve të rënda. Është e qartë se duke u përpjekur të ushtronte kompetenca administrative Rektori do të binte ndesh me ligjin dhe do ndëshkohej nga drejtësia. Ky nuk është rasti, pasi po të lexohet deklarata e Rektorit Koni mësohet që edhe për tejkalimet e pretenduara derimëtani ai nuk është denoncuar, aq më pak dënuar penalisht. Në këto kushte, zgjedhësit e rektorit nuk mund të jenë të bindur se vendimi i Ministres për pezullimin është i mbështetur në ligj.  Vetë Ministrja në artikulimin publik shprehet që: “Në shkurt të vitit 2018-të, MASR dërgoi një grup inspektimi në Universitetin e Tiranës për të verifikuar zbatimin e Ligjit të Arsimit të Lartë në atë institucion. Grupi i inspektimit gjeti shkelje (nuk cilësohen të rënda) në organet vendimarrëse, nga rektori, senati dhe pjesa administrative dhe la rekomandime të qarta për adresimin e tyre (pse këto shkelje dhe nga nga të gjithë?!).

Dhe në vazhdim: “në vjeshtë të 2018-tës, grupi i punës kthehet sërish në Universitetin e Tiranës për të parë zbatimin e rekomandimeve të lëna dhe gjen që nga të gjitha organet drejtuese, vetëm rektori nuk kishte zbatuar asnjë nga rekomandimet e Ministrisë (vepër penale flagrante apo shkelje e rëndë e ligjit?!)”. Po t’i referohesh këtij artikulimi del që Rektori ose nuk ka dashur t’ia dijë për ligj e përgjegjësi ligjore ose ai e ka parë si tendencioz këtë lloj kontrrolli. Kjo e dyta evidentohet qartazi kur, në deklaratën e tij për vendimin e pezullimit ai shprehet: “Sulmet e vazhdueshme në media, vend e pa vend, pa asnjë arsye dhe fakt, të Kryeministrit dhe tashmë të Ministres, nuk janë gjë tjetër, veçse përfundimi i një skenari të shkruar, ideuar, instrumentuar dhe drejtuar nga vetë qeveria”. Tani le t’i lëmë të dyja palët dhe të vijmë tek votuesit e zotit Koni. Nuk di sa të motivuar ndjehen ata në zgjedhjen e tyre (zotin Koni) dhe sa të mbështetur ndjehen në të drejtën e zgjedhjes. Natyrisht nuk përjashtohet mundësia e një zgjedhje të gabuar por, në rastin e pezullimit të zgjedhjes së tyre (pra rektorit) ata duhet ta kuptojnë se kanë gabuar dhe, për ta ndrequr këtë gabim apo dhe për të nxjerrë mësime që të mos gabojnë në të ardhmen, duhet të vendosin po ata për shkarkimin e tij dhe zgjedhjen e një tjetri.

Vendimi i Presidentit, sido që të jetë, do konsiderohet i pa mbështetur në vullnetin real të tyre. Këtu mendoj se ka vend për sugjerime, por edhe për konsiderim të këtyre sugjerimeve. Kështu, qoftë ligji për Arsimin e Lartë, qoftë statutet e Institucioneve të Arsimit të Lartë Publik, ndërkohë që legjitimojnë qartazi Asamblenë e Personelit Akademik për zgjedhjen e të gjithë drejtuesve (si të institucionit ashtu edhe të njësive kryesore e bazë) nuk i japin asnjë rol asaj në shkarkimin e personave të zgjedhur.

A nuk mund të ndërhyhet këtu për t’ia dhënë asaj këtë të drejtë?

Nëse Asambleja, si për institucionin ashtu edhe për njësitë, do të kishte të drejtën të mblidhej me kërkesën e 1/3 të antarëve të saj dhe të vendoste për shkarkimin e drejtuesit të zgjedhur me 50+1 % të votave, atëhere pezullimi do të përdorej, ashtu si e përcakton ligji pra “në rastet e kryerjes së veprave penale flagrante ose të shkeljeve të rënda” dhe shkarkimi do realizohej pa prekur autonominë e Arsimit të Lartë dhe duke konsideruar vullnetin real të votuesve. Më tej akoma, një e drejtë e tillë  e Asamblesë do ta minimizonte sjelljen arbitrare, përkatësisht arrogante, të drejtuesve të zgjedhur, duke i bërë të kuptojnë se ligji nuk janë ata. Me siguri një shikim më i vemendshëm i kompetencave të Asamblesë do ta zgjidhte problemin edhe për sot edhe për nesër duke na i kursyer situatat të cilat, së paku, të lënë shije të hidhur.

 

4 komente në “Pse të lë shije të hidhur vendimi i Ministres për pezullimin e Rektorit?”

  1. Buda says:

    Ministria e Arsimit eshte pronare e Universiteteve Shteterore. A i di ti Gafur te drejtat e pronareve? Ne kohen e Sales, ti ke qene edhe ne Gjermani o Gafur! U ktheve prape tek Sala?!

  2. Bledi says:

    Presor, shkrimi i mire, por ketu nuk njihet kultura e shkarkimit dhe doreheqjes. Ne zgjedhje, fituesit nuk i dridhet bytha qe mund te shkarkohet ashtu sic zgjidhet. Kjo shtrihet deri te kryedrama apo te tjere…

  3. URITHI says:

    bravo prof GAFURI

  4. era! says:

    Eshte gallate kur mundohet te te jap mend edhe qeni i kallajxhiut

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje