Viktor Hygo: Katedralen e Shën Mërisë (Notrë Dame) nuk do ta shkatërrojë koha, por njerëzit…

16 Prill 2019, 10:55Kulturë TEMA

Katedralja e Shën Mërisë së Parisit është padyshim edhe sot e kësaj dite, një ndërtesë madhështore. Por, sado e bukur që ka mbetur katedralja duke u plakur, njeriu nuk mund të mos pikëllohet dhe të mos pezmatohet kur sheh gjymtimet dhe dëmtimet e panumërta që i kanë bërë koha dhe njerëzit kësaj përmendoreje të nderuar të lashtësisë, pa e përfillur fare Karlin e Madh, që i ka pas vënë gurin e parë, dhe Filip Augustin, që i ka pas vënë gurin e fundit.

Në fytyrën e kësaj mbretëreshe të vjetër të katedraleve tona gjendet përherë, përbri çdo rrudhe, edhe një shenjë plage. Tempus edax, homo edacio, gjë që unë do ta përktheja me shumë dëshirë kështu: “Koha është e verbër, njeriu është kokëtrashë”.

Sikur të kishim nge të shqyrtonim bashkë me lexuesin një nga një të gjitha ato gjurmë shkatërrimi që i janë lënë kësaj faltoreje të vjetër, do të vinim re se pjesa që i takon këtu kohës është fare e vogël dhe se dëmin më të madh e kanë sjellë njerëzit, sidomos njerëzit e artit. E quaj për detyrë të përmend “njerëzit e artit”, sepse gjatë këtyre dy shekujve ka pasur plot njerëz që kanë marrë titullin e arkitektit.

Para së gjithash, për t’u kufizuar vetëm me disa shembulla nga më të rëndësishmet, duhet thënë se do të ishte e vështirë të gjendej në historinë e arkitekturës një faqe më e bukur se ajo e fasadës së kësaj katedraleje, ku na dalin përpara syve njëri pas tjetrit dhe në tërësi tri portale me qemer gotik; përmbi to një kornizë e dhëmbëzuar, që duket sikur është qëndisur me njëzet e tetë kamare mbretërore, një dritare –rozetë qendrore shumë e madhe me dy dritare të vendosura anëve, si ai prifti që qëndron midis dhiakut dhe ndihmësdhiakut: arkada e lartë dhe elegante e galerisë me skalitje në formë tërfili, që mban mbi shtyllat e saja të holla një platformë të rëndë, dhe, së fundi, dy kulla kambanaresh të mëdha e të zeza me strehë prej plloçash të murrme.

Të gjitha këto pjesë harmonike të një tërësie madhështore, të ngritura njëra mbi tjetrën në pesë kate vigane, shtjellojnë para syve tanë me një larmi të pafund detalet e tyre të panumërta të skalitura dhe të gdhendura, që shtrihen mbi hijeshinë e qetë të së tërës. Ko është, si të thuash, një simfoni e madhe prej guri; vepër kolosale e një njeriu dhe e një populli; një tërësi e vetme dhe njëkohësisht e ndërlikuar, siç janë “Iliada” dhe “Romanserua” ), me të cilat ajo është motër; krijim i mrekullueshëm, ku janë shkrirë të gjitha forcat e një epoke, ku në çdo gur spikat në njëqind mënyra fantazia e punëtorit, e drejtuar nga gjenia e artistit; me pak fjalë, një krijesë e duarve të njeriut, e fuqishme dhe e pasur.

Ajo që po themi këtu për fasadën duhet thënë për gjithë katedralen në përgjithësi; dhe ajo që themi për Katedralen e Parisit duhet thënë edhe për të gjitha kishat kristiane të mesjetës. Çdo gjë ka vendin e saj, logjikën e saj dhe përpjesëtimet e saja në këtë lloj arti që ka lindur vetvetiu. Të matësh një gisht të këmbës së një vigani, do të thotë të matësh tërë viganin.

Por le të kthehemi te fasada e katedrales, ashtu siç na paraqitet ajo edhe sot, kur shkojmë e soditim me nderim të thellë këtë katedrale hijerëndë dhe të fuqishme, e cila, sipas kronistëve të saj, të kall tmerrin: quae mole sua terrorem incutit spectantibus ).

Sot kësaj fasade i mungojnë tri pjesë kryesore: së pari, të njëmbëdhjetë shkallinat, që e ngrinin atë mbi nivelin e tokës; pastaj rreshti i poshtëm i statujave, që zinin kamaret e të tri portaleve, dhe, së fundi, rreshti i sipërm i statujave, që zbukuronin dikur galerinë e katit të parë dhe që paraqitnin njëzet e tetë mbretërit e lashtë të Francës, që nga Kildeberti e deri te Filip Augusti, i cili mbante në dorë simbolin e pushtetit mbretëror.

Koha, duke e lartuar pak nga pak dhe në mënyrë të pandalshme nivelin e truallit të Qytetit të Vjetër, bëri të zhdukeshin shkallët. Por megjithëqë zgjerimi përherë më i madh i kalldrëmit të Parisit pruri zhdukjen njëra pas tjetrës të atyre njëmbëdhjetë shkallinave, që e bënin edhe më madhështore lashtësinë e kësaj ndërtese, prapëseprapë, koha i ka dhënë, ndoshta, kishës më shumë nga sa i ka marrë: ajo i ka dhënë fasadës së saj atë kolorit të errët të shekujve, që e bën pleqërinë e këtyre përmendoreve epokën e lulëzimit më të madh të bukurisë së tyre.

Po kush i ka rrëzuar të dy rreshtat e statujave? Kush i ka lënë kamaret të zbrazëta? Kush e ka bërë mu në mes të portalit qendror atë qemer të ri dhe bastard? Kush ka guxuar të vendosë atje atë derë të skalitur, të rëndë dhe të shpëlarë të stilit të Luigjit XV përbri arabeskave të Biskornetit? Njerëzit, arkitektët, artistët e kohës sonë.

Dhe brenda në ndërtesë, kush e ka përmbysur atë shtatoren vigane të shën Kristoforit, që ka qenë po aq e famshme ndërmjet shtatoreve, sa ç’është salla e madhe e Pallatit të Drejtësisë ndërmjet sallave të tjera dhe shtiza e katedrales së Strasburgut ndërmjet kambanareve? Dhe, kush i ka hequr nga faltorja me aq vrazhdësi ato mijëra statuja, që mbushnin gjithë hapësirën ndërmjet kolonave të navatës dhe të korit, statuja në gjunjë, statuja në këmbë, statuja mbi kuaj, statuja burrash, grash, fëmijësh, mbretërish, peshkopësh, luftëtarësh, statuja prej guri, prej mermeri, prej ari, prej argjendi, prej bakri, madje, edhe prej dylli? Sigurisht jo koha.

Dhe kush ka vënë në vend të altarit të vjetër gotik, të mbuluar plot madhështi me sarkofagë dhe relikuarë, atë qivur të rëndë prej guri, të zbukuruar me re dhe me koka engjëjsh, i cili i ngjan një modeli arkitektural të kishës Val-dë-Gras ose të Shtëpisë së Invalidëve? Kush e ka ngulur pa pikë shije këtë anakronizëm të rëndë prej guri në pllakat e dyshemesë karolingase, vepër e Erkandit? Mos vallë Luigji XIV, për t’i plotësuar dëshirën Luigjit të XIII?

Dhe kush ka vënë xhama të bardhë, të ftohtë në vend të atyre vitrinave me ngjyra të ndezët, që mahnitnin sytë e stërgjyshërve tanë, tek shihnin herë rozetën e portalit kryesor, herë dritaret me qemerë të altarit? Dhe ç’do të thoshte ndonjë dhjak i shekullit XVI, po të shihte atë suva të verdhë, me të cilën kryepeshkopët tanë vandalë e kanë llaçkavitur katedralen? Atij do t’i kujtohej se pikërisht me bojë të verdhë i shënonte xhelati shtëpitë e njerëzve të dënuar nga ligji; do t’i kujtohej pallati Pti-Burbon ), që u lye edhe ai fund e krye me bojë të verdhë për shkak të tradhtisë së konestablit, bojë, që sipas Sovalit, ishte “aq e fortë dhe e qëndrueshme, saqë edhe pas njëqind vjetësh e ka ruajtur freskinë e vet”. Dhiaku do të pandehte se ky vend i shenjtë është përdhosur dhe do të ikte i tmerruar.

Dhe, po të ngjitemi në majë të katedrales, pa u ndalur në njëmijë shfaqje të vogla barbarizmi, do të pyesim veten: ç’u bë ajo kambanare e vogël, e bukur, që mbështetej në pikën e kryqëzimit të kubesë dhe që ishte po aq delikate dhe po aq e hedhur sa fqinja e saj, shtiza e kishës Sen Shapel (që është prishur edhe ajo)? E hijshme, majëmprehtë, kumbuese, e tejdukshme, ajo ngrihej në qiell më lart se kullat! Një arkitekt me shije të hollë në vitin 1787 e gjymtoi atë dhe, për të fshehur plagën pandehu se mjaftonte të vihej mbi të ca plastër plumbi, që i ngjet një kapaku kusie.

Në këtë mënyrë janë trajtuar veprat e mrekullueshme të artit mesjetar pothuaj kudo e sidomos në Francë. Mbi gërmadhat e tija mund të shquash tri lloj dëmtimesh pak a shumë të thella: së pari, bien në sy ato që ka shkaktuar koha, e cila ka prishur aty-këtu në mënyrë të pandijshme dhe ka mbuluar me ndryshk sipërfaqen e ndërtesave; pastaj mbi to kanë shpërthyer turbullirat politike dhe fetare, të cilat e kanë shqyer veshjen e pasur skulpturore dhe skalitjet e katedraleve, kanë thyer rozetat, kanë këputur gjerdanët e përbërë prej arabeskash dhe statuetash, kanë shembur shtatoret, qoftë sepse këto kishin nga një tiarë, qoftë sepse mbanin në kokë nga një kurorë; së fundi, veprën shkatërrimtare e plotësuan modat përherë e më groteske dhe më bajate, që zëvendësuan njëra-tjetrën, me rënien e pashmangshme të arkitekturës, pas atyre ravgimeve anarkike, por madhështore, që karakterizojnë epokën e Rilindjes.

Modat kanë sjellë më shumë dëm se revolucionet. Ato kanë prekur palcën e artit mesjetar, kanë cenuar vetë bazën e tij, i kanë cunguar, i kanë shtrembëruar, i kanë prishur ndërtesës formën dhe simbolin e saj, kuptimin dhe bukurinë e saj. Nga ana tjetër, modat kanë guxuar ta ndryshojnë atë fund e krye, gjë që nuk kanë synuar ta bëjnë as koha, as revolucionet. Duke e hequr veten të pagabueshme në lëmin e “shijës së mirë”, ato, pa pikë turpi, kanë vënë përsipër plagëve të arkitekturës gotike stringlat e tyre të mjera e jetëshkrurtëra: shirita mermeri, pompone ) metali, medalione, një mori ornamentesh vezake, volutash, kurorash, thekash, flakash prej guri, shtëllungash prej bronxi, amuresh ) topolakë dhe kerubinësh faqekuqë, të cilët, si ajo sëmundja e gërbulës, zënë ta gllabërojnë fytyrën e artit qysh në lutësoren e Katerina dë Mediçit ) dhe që, dy shekuj më vonë, e bëjnë këtë art të sfilitur dhe artificial të shuhet fare në buduarin e zonjës Dybarri ).

Atë art të mrekullueshëm që kishin krijuar vandalët, e vranë akademikët.

Një mizëri arkitektësh të shkolluar dhe të diplomuar, që kanë prishur me vetëdije dhe frymën e një shije të keqe, i zëvendësuan tantellat gotike me fletët e çikores të kohës së Luigjit XV, për lavdinë më të madhe të Partenonit. Kështu dhe gomari i bie me shqelm luanit që vdes. Kështu dhe lisin që fillon e thahet e brejnë, e shpojnë, e copëtojnë vemjet.

Katedralja e Shën Mërisë së Parisit, nga ana tjetër nuk mund të quhet një monument i përkryer, i plotë, i përcaktuar. Ajo nuk është një kishë e stilit romanik, por nuk është as edhe një kishë e thjeshtë gotike. Është një lloj ndërtese e ndërmjetshme.

Ajo është ndërtesë e një periudhe kalimtare. Arkitekti sakson sapo kishte ngritur shtyllat e para të navatës, kur kubeja me qemer gotik, e sjellë në Evropë nga kryqtarët, erdhi dhe u vendos triumfalisht mbi ato kapele të gjera romanike, që duhej të mbanin vetëm një kube në formë gjysmërrethi. Duke u bërë qysh atëherë sundimtare e plotfuqishme, kubeja me qemer ka përcaktuar format e gjithë katedrales në tërësi. E papërvojë dhe e druajtur në fillim, kjo kube zgjerohet, zmadhohet, por prapë e përmban vetveten, nuk guxon të lëshohet drejt qiellit me majat e shtizave dhe të harqeve të saja të larta, siç bëri më vonë në shumë katedrale të mrekullueshme. Njeriu ka përshtypjen se asaj i rëndohet fqinjësia me shtyllat e rënda romanike.

Por studimi i këtyre ndërtesave të periudhës kalimtare nga stil romanik në stilin gotik ka po aq rëndësi sa dhe studimi i modeleve të stilit të thjeshtë. Ato shprehin një nuancë të artit, dhe pa to artin do ta kish marrë lumi. Në to kubeja me qemerë është shartuar me kubenë që ka formën e një gjysmërrethi.

Katedralja e Shën Mërisë është një vepër interesante e këtij tipi. Çdo faqe, çdo gur i kësaj përmendoreje të nderuar është jo vetëm një faqe e historisë së Francës, por edhe e historisë së shkencës dhe të artit.

Këto ndërtesa të stilit të përzier paraqesin një interes të madh si për artistin, ashtu edhe për amatorin e antikave dhe për historianin.

Njëlloj si gjurmët e mureve qiklopike, si piramidat e Egjyptit dhe pagodat vigane të indianëve, ato të bëjnë të kuptosh sa i vjetër, sa primitive është arti i arkitekturës dhe tregojnë qartë se përmendoret më të mëdha të së kaluarës janë jo aq krijime të një njeriu të vetëm, sesa vepra të një shoqërie të tërë; janë më tepër pjellë e përpjekjeve krijuese të një populli, sesa pjellë e mendjes së një njeriu gjenial; janë lymi që lë prapa një komb; shtresa që formojnë shekujt; mbeturina e avullimeve të njëpasnjëshme të shoqërisë njerëzore; me një fjalë, janë një lloj formacioni gjeologjik. Çdo valë e kohës lë mbi përmendoren lymin e vet, çdo brezni lë aty shtresën e vet, çdo individ lë gurin e vet. Kështu bëjnë kastorët, kështu bëjnë bletët, kështu bëjnë edhe njerëzit. Simboli më i madh i arkitekturës, kulla e Babilonisë, ka qenë një zgjua bletësh.

Ndërtesat e mëdha, ashtu si malet e mëdha, janë një krijim i shekujve. Shpesh, forma e artit ndryshon, kurse ato ende nuk janë përfunduar, pendent opera Interrupta ); atëherë ato marrin qetë-qetë drejtimin që zgjedh arti. Arti i ri e merr përmendoren në atë formë në të cilën e gjen, trupëzohet në të, e përpunon atë, e zhvillon sipas fantazisë së vet dhe, kur mundet, e përfundon atë. Kjo punë bëhet pa mundime, pa trazime, pa kundërveprime, në bazë të një ligji natyror, të qetë e të paanshëm: kjo është një shartesë që formohet, është një lëng i ri druri që qarkullon, është një bimësi që lind rishtaz. Sigurisht, në këto shkrirje të njëpasnjëshme të arteve të ndryshme në lartësitë e ndryshme të së njëjtës ndërtesë ka lëndë të mjaftë për të shkruar vëllime të tëra, sidomos lidhur me historinë e përgjithshme të njerëzimit. Artisti, njeriu, individi zhduken në këto masive të mëdha, pa lënë pas as emrin e krijuesit; mendja e njeriut gjen në to shprehjen dhe rezultatin e vet të përgjithshëm. Koha është arkitekti, kurse populli është muratori.

* Kjo pjesë është marrë nga romani i Viktor Hygo: “Katedralja e Parisit”, SHB “Naim Frashëri”, Tiranë, 1976, përkthyer nga Bujar Doko, Kreu XIV, f. 141-148

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje