Sulmuesi më i mirë me 10 gola, dështim i hidhur për futbollin dhe klubet shqiptare!

17 Prill 2019, 18:10Sport TEMA

Javën e shkuar Reginaldo shënoi ndaj Flamurtarit dhe theu një “tabu”, duke shkuar në kuotën e 10 golave: i pari futbollist që kap shifrën e dyfishtë, pas javësh e javësh ku askush nuk guxonte ta kalonte numrin 9 në renditjen e golashënuesve.

Reginaldo është në rregull me bilancin, vjet shënoi 18 gola ne 31 ndeshje,këtë sezon nëse kalon kuotën 13 gola askush nuk e kritikon dot, përtej problemeve që ka pasur te Kukësi.

Pas tij vijnë Shkurtaj dhe Latif Amadu, me nga 9 gola, ndërsa Roger i Kastriotit dhe Edon Hasani (mesfushor) kanë nga 8 gola.

Mediokritet i pastër! Latif nuk shënon në Superiore prej dhjetorit 2018, kur Teuta për pak sa nuk e shiti në Bjellorusi, ndërsa Shkurtaj ka shënuar 4 herë këtë vit mes kampionatit e kupës, por është shumë larg pritshmërive të Kukësit, sepse presidenti Gjici priste prej tij golat e titullit.

A është faji i sulmuesve? Kush e mendon këtë, nuk ka parë ndonjë ndeshje futbolli në Superiore, apo edhe më poshtë. Statistikat janë të frikshme: luajmë ndoshta futbollin më të ngadaltë në Europë, loja ndalet pa fund për faulle, vonesa loje, dëmtime të vërteta apo false, arbitra që fishkëllejnë vend e pa vend dhe mbi të gjitha mentalitet skandaloz, duke qëndruar gjithë kohën pas, në pritje të ndonjë gabimi të kundërshtarit për të shënuar.

Natyrisht, kjo e fundit vjen nga presioni i madh për pikë, duke qenë se kampionati shqiptar është tepër i ekuilibruar me 10 ekipe dhe çdo humbje të fundos.

Megjithatë, aq shumë e kemi injektuar në mendjen e futbollistëve, që të vegjël, detyrimin për të marrë rezultat, me çdo kusht, saqë askush nuk kujdeset dot për futbollin e luajtur, për skemat sulmuese.

Dakord, nuk mund të kërkojmë qiqra në hell dhe të studiojmë Ajax e Barcelona, por është e tmerrshme të shohësh skuadra që duan 60 sekonda për të shkuar nga mesfusha e vet në atë kundërshtare, me topin që endet pafundësisht në zona të vdekura, me pasime boshe në mesin e fushës.

Trajnerët e Superiores nuk mund të konsiderohen fajtorët realë për futbollin e dobët që shohim çdo javë: Daja në Vlorë, për shembull, po bën mrekulli me një grup të varfër, duke luajtur me 3-4 lojtarë ofensivë në formacion dhe duke marrë frytet e punës së tij, mjafton të shohim rezultatet e fundit.

Jo rastësisht, një futbollist si Sukaj ka shënuar 4 gola me rreth 350 minuta futboll, mesatarja më e lartë në Superiore.

Nën akuzë janë edhe klubet: jo vetëm që nuk punojnë fare me ekipet e moshave, ose nuk u japin besim të rinjve që rriten tek ekipet zinxhir, por nuk dinë as të bëjnë merkato.

Ali Sowe e Sindrit Guri vjet, Ekuban e Pejic para dy vitesh, Sukaj 3 vite më parë, këta janë të vetmit futbollistë që e kanë kaluar kuotën e 15 golave prej vitit 2014, por nga këta vetëm Guri është produkt “bio” i kësaj dekade në futbollin shqiptar dhe i vetmi që ka mbushur arkën e një klubi.

Me justifikimin se nuk kemi lojtarë në Shqipëri, klubet shpenzojnë pa fund në merkato, por “shumë e për lumë”, sepse afrojnë lojtarë në provë, pa CV ose pa luajtur futboll prej muajsh, duke pranuar kompromisin e pagës së ulët, në një kohë që askush uk e mendon realisht si hipotezë të ndërtojë ekip shqiptar, mundësisht e lojtarë poshtë 26-27 vjeç, duke shpenzuar shifra të mëdha vetëm për 3-4 lojtarë të huaj, por lojtarë niveli.

Më mirë 8-9 afrime në merkato, me nga 3000-4000 euro secili në muaj, apo 3 përforcime të vërteta (jo emra e lojtarë që kanë luajtur në nivele të larta para një dekade), me pagë 10-15 mijë euro në muaj? Frika dhe paaftësia i detyrojnë presidentët të mos e marrin në konsideratë hipotezën e dytë…(Telesport)

1 komente në “Sulmuesi më i mirë me 10 gola, dështim i hidhur për futbollin dhe klubet shqiptare!”

  1. ben says:

    Po nuk synove te arrish Ajaksin a Barcelonen, sigurisht do mbetesh ke niveli Kukesit dhe Lacit.
    Per tu ngjitur sa me lart, jo vetem ne sport, por ne cdo fushe, duhet agresivitet dhe pune e palodhur duke u perpjekur te arrish me te miret. Edhe ky gazetari qe ka shkruar kete artikull, nderkohe qe akuzon traineret per lojen e ngadalte, nuk shkon me larg se ata duke kerkuar te mos krahasohemi me Barcelonen apo Ajaksin.
    Le te marrim nje shembull kuptimplote nga hapesira shqiptare. Shikoni ku eshte Kombetarja e Kosoves e ndertuar ne vitet e fundit dhe shikoni ku eshte kombetarja e madhe. Ajo e Kosoves, nuk njeh ndalje dhe kur perballet me emra me te medhenj te futbollit europian, por luan si e barabarte me to. Mesoni nga kjo kombetare dhe lerini llafet. Me pune Barcelona eshte bere Barcelona qe shohim sot. Nuk ka dale nga hici. Po te vazhdojme te kemi ne krye te futbollin mafiozin Duka, me mire te mos shohim me futboll ne Shqiperi.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje