Grabitja në Rinas, grupi hetimor: Nuk kemi ende emra, raportimet në media janë të pavërteta

19 Prill 2019, 18:34Kronika TEMA

Policia dhe prokuroria nuk kanë ende emra të autorëve të grabitjes së parave në aeroportin e Rinasit, më 9 prill.

Në një njoftim për mediat, grupi që po heton rastin në fjalë sqaron se lajmet e publikuara për identifikimin e dy prej grabitësve, janë të pavërteta.

“Lidhur me disa publikime në media ditën e sotme, për hetimet mbi grabitjen e datës 9 prill 2019 në Rinas, grupi i posaçëm hetimor deklaron se këto lajme janë të pavërteta dhe të pasakta”, thuhet në njoftim.

Policia dhe prokuroria kërkojnë ndihmën e qytetarëve për çdo informacion që mund të ndihmojë hetimin.

“Duke përfituar nga ky komunikim me mediat dhe publikun, garantojmë qytetarët se Policia e Shtetit, Prokuroria dhe agjenci të tjera ligjzbatuese mbeten shumë të angazhuara për zbardhjen sa më të shpejtë të rrethanave të grabitjes, zbulimit të autorëve dhe përballjen e tyre me drejtësinë.

Çdo qytetar që ka informacion që beson se ndihmon hetimin, mund të telefonojë falas në numrin 112, duke iu garantuar anonimatin”, thuhet në njoftim.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje