Anëtari i Këshillit Kombëtar: Lulzim Basha futi PD-në në luftë me SHBA dhe Gjermaninë. Tani është mat, ka vetëm një rrugëdalje

24 Prill 2019, 10:29Politika TEMA

Genti Malko është anëtar i Këshillit Kombëtar të PD dhe një emër i njohur për këtë parti, që nga 1997.

Ai ka folur për emisionin I ftuari” në A2 CNN të Endri Xhafos, ku u shpreh se pas vendimeve të marra kohët e fundit, Basha është në dilemë se çfarë rruge duhet të ndjekë në vijim.

“Nëse te dikush ti ndjen se ka dilema, tregon se ka kuptuar se gjërat nuk po ecin ashtu si e kishte menduar.

Basha duhet ta marrë në konsideratë këtë. Nëse ai do të jetë humbës në fund të kësaj, atëherë kjo do të jetë pjesë e analizës.

Unë besoj se ai është në dilemë se çfarë rruge duhet të zgjedhë”, shprehet Malko.

Më tej, ai thotë se Lulzim Basha prishi marrëdhëniet e Partisë Demokratike me Shtetet e Bashkuara dhe me Gjermaninë.

“Është bixhoz dhe konotacioni në këtë rast është negativ. Pa marrë vendimin për djegien e mandateve, Departamenti Amerikan i Shtetit pati një qëndrim shumë të qartë, që kërkonte nga PD të tërhiqej nga masa ekstreme.

Po ashtu, pati edhe një qëndrim të njëjtë nga BE.

Ditën e këshillit, Ambasada amerikane iu drejtua në mënyrë individuale çdo deputeti dhe jo liderit.

Më qartë dhe më ashpër se kaq, unë nuk mbaj mend që kjo Ambasadë të ketë folur ndonjëherë.

Ne një aleat kemi të parin, SHBA-të. Kur ty të thotë aleati më i rëndësishëm se kjo që po bën është në kundërshtim me interesat e vendit, duhet të tërhiqesh.

DASH thotë mos e bëj. Ti je bërë armik me ata. Zoti Basha na ka prishur marrëdhëniet me SHBA.

Ka prishur marrëdhëniet me CDU. Këto janë risqe dhe ky është bixhoz”, u shpreh Malko.

Ai tha se Lulzim Basha ka vetëm një rrugë për të shpëtuar PD-në: T’i kthehet jetës parlamentare.

Malko theksoi se Lulzim Basha ka shkuar shumë larg dhe tashmë do të jetë i detyruar të bëjë kompromis.

“Sigurisht që do të ketë lëvizje të reja dhe kështu do të çmontohet copë-copë.

Ky është një proces që zgjat 6 muaj, një vit, apo dy vite deri sa të finalizohet.

Zoti Basha, në bindjen time, është zënë mat. Ka ikur shumë larg me atë që ka bërë.

Ka vetëm një rrugë, nëse do të mendojë mirë për të shpëtuar partinë: t’i kthehet jetës parlamentare me deputetët e rinj që janë në parlament.

Në fund, janë të gjithë njerëzit që i ka vendosur vetë. Sigurisht që nuk është lista më e mirë.

Të ulet, me kosto personal, por për të mirën e vendit dhe të PD, të diskutojë kushtet për të hyrë në një palë zgjedhje që të garantojë zgjedhjet.

Nëse ne do ishim në rregull, Rama nuk rri asnjë javë.

Basha, në mënyrë absolute, do të jetë i detyruar të bëjë kompromis. Nëse nuk hyn në zgjedhje, rrezikon ta çosh PD në fund, pasi do të ketë të tjerë që do të marrin pjesë në zgjedhje.

Kam informacione se ka kandidatë që do të shkojnë në zgjedhje. Po hyri në zgjedhje, shpëton partinë, por jo fytyrën e tij”, tha Malko.

Malko foli dhe për mbledhjen e fundit të Këshillit Kombëtar të PD.

Ai thotë se nuk votoi në mbledhjen e fundit të Këshillit Kombëtar dhe se kërkoi të flasë atje, ku ai e quan një “Këshill i heshtur”.

“Mu duk se Basha kishte ndryshuar diçka të lehtë nga qëndrimi i tij i mëparshëm në mbledhjen e fundit të Këshillit Kombëtar të PD.

Diskutimi i zotit Basha mu duk se kishte një ndryshim të lehtë nga ai qëndrim i ashpër që kishte pasur më parë. Unë kërkova të sqarohesha.

Ai këshill me 350 veta është një këshill ku njerëzit përgjithësisht nuk flasin ose edhe kur flasin të kujton një kohë të shkuar me ovacione dhe mbështetje për frymën apo vendimmarrjen e partisë. Unë ngrita dorën dhe kërkova sqarime.

Në këtë moment, zoti Gjana më kërkoi të pushoja. Nuk ishte një diskutim me argument. Unë e pyeta zotin Basha nëse ka hequr dorë nga qëndrimi për të mos negociuar me qeverinë për sa kohë Rama është kryeministër.

Në fund të një argumentimi të shkurtër, përfundimi ishte: Jo nuk kemi hequr dorë”, u shpreh Malko.(TemA)

2 komente në “Anëtari i Këshillit Kombëtar: Lulzim Basha futi PD-në në luftë me SHBA dhe Gjermaninë. Tani është mat, ka vetëm një rrugëdalje”

  1. -_-_- says:

    Vari karet ! Iku PD.

  2. vilson naci says:

    Populli thote qe uthulla e forte thyen enen e vete

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje