Çfarё e bёn tё veçantё njeriun?

26 Prill 2019, 09:51Blog TEMA

Zbulimet shkencore në vitet e fundit kanë ndryshuar kuptimin tonë mbi evolucionin dhe unikalitetin e njeriut.

Nga Ani Bajrami

Të kuptosh njeriun është si të shohësh përmes një kaleidoskopi. Mozaiku i ngjarjeve që shoqëruan evolucionin e tij ka ngjyresa të shumta, disa herë të dallueshme prej studiuesve dhe shpeshherë, faktet gëlojnë, por ende mbeten në errësirë, duke pritur të ndriçohen. Disa tipare si bipedalizmi ose të ecurit drejt mbi dy këmbë evoluan herët, ndërsa zmadhimi i trurit ndodhi relativisht vonë. Bipedalizimi u shfaq ndër paraardhësit tanë 7.2 milionë vite më parë. Që prej asaj kohë, klada e njeriut pësoi ndryshime thelbësore anatomike dhe në sjellje, ndryshime që kanë lënë gjurmët e tyre në njeriun e sotëm.

Në Marok u zbuluan pjesëza fosilesh të cilat i përkisnin Homo sapiens-it dhe datonin më shumë se 300 mijë vite më parë. Ky zbulim befasues hodhi dritë mbi dy fakte të pranuara deri vonë prej antropologëve. Së pari, prej datimit të fosileve të gjetura më parë rezultoi se njeriu kishte një origjinë 200 mijë vjeçare. Së dyti, Etiopia pranohej si djepi i origjinës së njeriut pasi fosilet më të vjetra të tij ishin gjetur aty. Por ky zbulimi provoi se Homo sapiens kishte evoluar paralelisht në disa rajone të Afrikës.

Ndërkaq në Kenia, në Afrikën Lindore, u gjetën vegla pune prej guri që ishin përdorur prej Homo Sapiens. Ato datonin rreth 320 mijë vite më parë. Rëndësia e tyre qëndron në faktin se ato janë dëshmi e një teknike të re vegëlbërjeje, shprehje e zhvillimit të mëtejshëm konjitiv të njeriut. Gjithashtu, obsidiani, një lloj guri përbërës i tyre, gjendej rreth 95 km larg nga vendgjetja e tyre fillestare. Jetesa nomade ose lëvizja e vazhdueshme drejt vendeve me resurse si dhe bashkëveprimet sociale ishin karakteristikë e Homo sapiens.

Përpos gurit obsidian ishte dhe gjetja e pigmentit ngjyrosës në disa gurë të tjerë. Ngjyrosja e qëllimshme e tyre është dëshmi e komunikimit simbolik, përdorur prej këtij grupi social për të ruajtur dhe zhvilluar marrëdhëniet sociale me grupet e tjera. Megjithë këto, aftësia për të menduar simbolikisht është shfaqur më herët, tek kushërinjtë tanë, Neandertalët. Kjo tregohet në të dhënat e përftuara nga studimi i shpellave prehistorike në Spanjë, ku rezultoi se Neandertalët kishin vizatuar muret e shpellave përpara se Homo sapiens të popullonte Evropën. Vizatimet e tyre ishin në formë pikash, kutish dhe formash gjeometrike të kafshëve.

Neandertalët janë kushërinjtë tanë më të afërt gjenetikë dhe kanë një origjinë rreth 500 mijë vjeçare. Ata kanë pasur sjellje të ngjashme me ne dhe në njëfarë mënyre, silleshin si ne. Neandertalët prodhuan dhe përdorën vegla pune, praktikonin rite varrimi dhe kujdeseshin për të vegjlit e tyre deri në 2 vjet e gjysmë, ashtu si kujdesi prindëror që haset në individët që jetojnë në shoqëritë e sotme paraindustriale. Ata u zhdukën rreth 40 mijë vite më parë, në kohën kur njeriu i sotëm pushtoi Evropën. Përpara kësaj kohe, Neandertalët dhe Denisovianët, dy lloje të mëveçëm por të afërt me ne, popullonin Evropën dhe u kryqëzuan mes tyre tyre rreth 90 mijë vite më parë. Kështu, prej analizës së një fragmenti kockor të një vajze 13 vjeçare e cila u quajt “Deni” u arrit në përfundimin se ajo ishte vajza e një nëne Neandertali dhe babai Denisovian. Deni është hominini i parë hibrid.

Arsyet e zhdukjes së dy homininëve mbeten ende të panjohura. Mbase lindja e gjuhës ka luajtur rol. Lindja e saj rreth 70 mijë vite më parë, e ndihmoi njeriun të përsosë përshtatjet e tij kulturore dhe në sajë të komunikimit simbolik, të përmirësojë aftësinë për të mësuar. Në këtë kuptim, përveç bipedalizmit ajo që e veçon njeriun prej organizmave të tjerë është aftësia e tij për të mësuar me anë të gjuhës simbolike.

Megjithëse evolucioni i gjuhës përfshin ndryshime në nivel neuronesh më shumë se ndryshime në anatominë që mundëson të folurën, ende ka pikëpyetje mbi kohën e shfaqjes së saj dhe për më tepër, të dobisë së saj gjatë evolucionit të njeriut. Zbulime të reja emocionuese priten.

1 komente në “Çfarё e bёn tё veçantё njeriun?”

  1. Njutoni says:

    Kemi edhe homo malokus albanian.
    Esht dykembshi i shpellave veriore qe ka jetu n ballkan para se t vinin grek e romak.
    Para egjyptjanve e sumerve.
    Dhe vazhdon t rroj edhe sot,porse tash ka zbrit nga shpellat neper qytete,ku bllokon rrug e hedh n er shtylla elektriku..
    Esht me i lasht sesa ata bythzinjt e Etiopis apo Kenias.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje